FSHATI OROSH; FUSHË-ARRËZ | STRUKTURAT E POSAÇME TË POLICISË SË SHTETIT ARRESTUAN JULIAN CUMRRAKUN DHE ARBEN (HAMZA) UKËN (PËRFAQËSUES TË VLERAVE TË ISLAMIT RADIKAL).
- Agjencia Telegrafike Vox

- 2 days ago
- 3 min read

Fshati Orosh, Fushë-Arrëz, Pukë, Shqipëri | Strukturat e Posaçme të Policisë së Shtetit arrestuan:
1- Z. Julian Cumraku.
2- Z. Arben (Hamza) Uka.
Ata konsiderohen subjekte që qëndruan të izoluar dhe të armatosur për më shumë se dhjetë (10) orë në një banesë të braktisur edhe pse strukturat e posaçme të Policisë së Shtetit u bënë thirrje për dorëzim dhe çarmatosje; ndaj të cilave ata kryen kanosje me armë zjarri.
Ata kanë qenë frekuentues të xhamisë së fshatit Kryezi.




Njoftim | Pukë.
Finalizohet operacioni policor i koduar “OROSHI”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Pukë, strukturat e DVP Shkodër, Drejtoria e Antiterrorit me mbështetjen e Forcave Speciale Renea.
Kërcënuan me jetë punonjësit e Policisë së Komisariatit të Policisë Pukë, u mbyllën në banesë dhe reaguan me armë ndaj punonjësve të Policisë së Repartit Special Renea duke u rrezikuar jetën, pas 12 orësh në rrethim, pamundësisë për t’u larguar dhe pas negociatave me të afërmit e tyre, vetëdorëzohen dy shtetas që u mbyllën në banesë.
Sekuestrohen 5 armë zjarri, municion luftarak, granata dore difensive, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës.
Vihen në pranga të dy shtetasit që kundërshtuan Policinë me armë.
Më datë 24.11.2025, rreth orës 09:00, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, gjatë kontrollit të territorit në fshatin Orosh, Fushë-Arrëz, kanë konstatuar një person i cili, sapo ka parë shërbimet e Policisë, është larguar me shpejtësi duke u futur në një banesë të braktisur, pronë e shtetasit P. C.
Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje që të dilte nga banesa, por personi nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka kërcënuar punonjësit e Policisë.
Ndodhur në këtë situatë, bazuar edhe në informacionet e siguruara më parë për rrezikshmërinë e këtij personi, shërbimet e Policisë rrethuan banesën dhe kërkuan ndërhyrjen e forcave policore të specializuara, me qëllim sigurinë e jetës së punonjësve të Policisë.
Në vendngjarje shkuan Forcat Speciale Renea, të cilat morën në kontroll perimetrin e jashtëm të banesës që mbahej nga forcat e Komisariatit të Policisë Pukë dhe forcat “Shqiponja” të DVP Shkodër.
Në momentin që Forcat Speciale Renea i kanë bërë thirrje personit të dalë nga banesa, nga brenda banesës është qëlluar me armë zjarri në drejtim të forcave speciale Renea.
Pas 12 orësh në rrethim, ku Forcat Speciale Renea u bënë thirrje të vazhdueshme për t’u dorëzuar, pamundësisë për t’u larguar nga rrethimi dhe pas negociatave me të afërmit e tyre të cilët luajtën një rol të rëndësishëm në finalizimin e operacionit pa përdorur forcë dhe pa shkaktuar dëmtime, të dy personat që ndodheshin në brendësi të banesës u dorëzuan.
Në momentin e vetëdorëzimit, shtetasi E. U. kishte një dëmtim tejshpues në kofshën e djathtë, i cili menjëherë është transportuar me ambulancë për në Spitalin Rajonal Shkodër dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit të banesës janë sekuestruar, në cilësinë e provave materiale, 4 armë zjarri automatike dhe një armë zjarri pistoletë, një flamur i Organizatës Terroriste “Shteti Islamik” (ISIS), i vendosur në faqen e murit ndërmjet armëve të lartpërmendura, 17 copë granata dore difensive, municion luftarak, kapsolla detonatore elektrike për shpërthimin e lëndëve eksplozive, fitil zjarrpërcjellës që përdoret për shpërthimin e lëndëve plasëse, dy gëzhoja.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
E. U., 35 vjeç, lindur në Gjorm-Kurbin, i dënuar për veprën penale “Nxitja e urrejtjes dhe grindjeve”.
J. C., 34 vjeç, lindur në Pukë, i dënuar për veprat penale “Vjedhje” dhe “Kanosje”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, “Prodhimi i armëve luftarake”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































Comments