top of page
E BARDHË SHIRIT.png

FLOTA AMERIKANE PRANË IRANIT MUND TË PËRFSHIHET NË LUFTË PAVARËSISHT ASAJ QË DËSHIRON TRAMPI (TRUMP).

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • 3 hours ago
  • 9 min read

Nga z. Tom Sharp (Sharpe).

Londër, Mbretëria e Bashkuar | Ndërsa bisedimet dhe masakrat në tokë vazhdojnë, rreziku i një gabimi në vlerësim në det mbetet gjithmonë i pranishëm.

 

Është temë e diskutueshme nëse ShBA-ës mund të arrijë ndonjë fitore serioze taktike kundër ushtrisë iraniane.


Presioni në Iran vazhdon të rritet. Protestat kundër regjimit brutal në pushtet janë në kulm dhe negociatat - nëse ka të tilla - janë të lëkundshme.


Ndërkohë, vazhdon fluksi i fuqisë ushtarake amerikane drejt Gjirit të Omanit dhe rajoneve përreth.


Numri total i aeroplanëve dhe sistemeve raketore amerikane tani është i njëjtë me atë që ishte pranë Venezuelës muajin e kaluar - edhe pse forca atje përfshinte elemente amfibe, të cilat, nuk i ka grupi i aeroplanmbajtëses “USS Abraham Lincoln” në Gjirin e Omanit.


Momentalisht ka më pak fuqi goditëse amerikane sesa ajo që ishte në të njëjtën zonë në qershor të vitit të kaluar, gjatë Operacionit “Çekani i Mesnatës” (Midnight Hammer) për goditjen e objekteve iraniane të pasurimit të uraniumit.


Kur vjen puna për të parashikuar veprimet, lëvizja e raketave tokësore të mbrojtjes ajrore “Thaad” dhe “Patriot” është më e rëndësishme sesa numrat në det, ndërsa po merren masat për të mbrojtur bazat në të gjithë rajonin nga spektri i gjerë me raketa dhe dronë iranianë.


Por, ndonjëherë gjërat shpërthejnë jo sepse komanda e lartë është gati për to, por sepse një shkëndijë ndez fitilin.


Në një nivel më taktik, dy çështje ndodhën kohët e fundit në det që tregojnë se sa shpejt mund të eskalojnë gjërat.


Së pari, Forca Detare e Gardës Revolucionare Islamike (IRGCN - njëra prej dy flotave të Iranit) u përpoq të hipte në një tanker nën flamurin e ShBA-ës në Gjirin e Hormuzit.


Rreth të njëjtës kohë, iranianët nisën një dron vëzhgues, “Shahed‑139”, shumë afër grupit të “USS Abraham Lincoln” dhe ai u rrëzua.


Përpjekja për hipje ngre disa çështje interesante.


Së pari, ajo u parandalua nga destrojeri “USS McFaul”, i cili, nxitoi për të ndërhyrë.


Duhet të jesh mjaft i papërgjegjshëm për të bërë një hipje brenda rrezes së një destrojeri të klasit “Arleigh Burke”, siç janë këto anije.


Irani kishte bërë diçka të ngjashme më 2019 me një anije me flamur britanik dhe anija “HMS Montrose” ndërhyri për ta ndalur atë.


Edhe këtë herë ishte një ekzekutim i dobët operativ nga ana iraniane në territorin e vet.


Por, më mirë kështu - nëse kjo përpjekje e fundit për të kapur anijen do të kishte qenë e suksesshme, tani do të ishim në një situatë që do të eskalonte më shpejt.


Anijet luftarake iraniane sfidojnë tankerin me flamur amerikan në Ngushticën e Hormuzit.


Komandanti i IRGCN-së i cili organizoi kapjen e një skuadre të Marinës Mbretërore në vitin 2007, mori një ngritje të menjëhershme në detyrë.


A u shkaktua kjo përpjekje e fundit nga një komandant i ngjashëm që veproi në mënyrë të pavarur për të fituar respekt të ngjashëm?


Nuk e dimë, por sa i përket mënyrës se si komandimi dhe kontrolli mund të funksionojnë në Lindjen e Mesme dhe kur diskutohet më gjerë rreziku i eskalimit, ia vlen ta kujtojmë këtë.


Ndërveprimi i dronit gjithashtu nxjerr në pah faktin se anijet luftarake lëvizin, dhe kështu, nëse dëshiron të qëllosh mbi një të tillë, pozicioni i shënjestrimit duhet të jetë njëkohësisht i saktë dhe shumë i përditësuar.


Idealja do të ishte që ai të përditësohej në kohë reale, madje edhe mirë pas lëshimit të armës, sidomos nëse është një goditje me rreze shumë të gjatë.


Nuk dëshiroj të rihap një debat të vjetër, por është e qartë se ata që mendojnë se anijet luftarake dhe aeroplanmbajtëset janë të vjetruara nuk e kuptojnë se sa e vështirë është të merret një informatë e tillë, veçanërisht kundër një kundërshtari të armatosur mirë që mund të kundërpërgjigjet, ndërsa në të njëjtën kohë bën gjithçka për të fshehur pozicionin e vet.


Nëse je iranian dhe dëshiron informacion që është mjaftueshëm i saktë për një shënjestrim të pozicionit të aeroplanmbajtëses amerikane, atëherë ke vetëm disa opsione.


Satelitët mund të jenë të dobishëm; jo ata iranianë, madje as ata rusë - këto vende nuk kanë mjaftueshëm satelitë dhe ata që kanë nuk janë sa duhet modernë.


Por, kinezët kanë shumë satelitë që mund të gjejnë dhe ndjekin anije dhe Pekini lehtësisht mund t’ua jap informacionin iranianëve.


Por, satelitët e Kinës mund të gjejnë anije në hapësirën e pafundme të oqeanit vetëm duke kapur transmetimet prej saj.


Kjo është arsyeja pse kontrolli i emetimeve (EMCON) është përdorur që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe është 100 për qind e sigurt që anijet e grupit goditës “Lincoln” janë në gjendje të mbylljes.


Transponderët komercialë të gjurmimit AIS janë shkyçur prej kohësh, të gjithë radarët ushtarakë të anijeve janë të fikur dhe heshtja ushtarake e radios është në fuqi (radarët komercialë për shmangie përplasjesh dhe komunikimet satelitore komerciale mund të jenë ende në përdorim, siç janë nga gjithë trafiku tregtar lokal).


Aeroplanët e aeroplanmbajtëses amerikane do të fluturojnë pa u hetuar - pa përdorur radio kur janë pranë aeroplanmbajtëses.


Nëse nuk transmeton fare në spektrin elektronik, atëherë po i mohon armikut shumë nga metodat që ka për të gjetur pozicionin tënd.


Për një forcë të zakonshme anijesh, kjo gjithashtu do të kishte efektin e tmerrshëm meqë askush nuk do të dinte çfarë po ndodh rreth tyre me të gjithë radarët e fikur.


Por, ky është një grup goditës i aeroplanmbajtëses amerikane. Mund të jemi të sigurt se “Lincoln”-i do të ketë një aeroplan me radarin “Hawkeye E-2” në ajër, në mënyrë të vazhdueshme, me komunikime dhe radar me rreze të gjatë, duke transmetuar të gjitha ato informacione në anije përmes lidhjeve të sigurta të të dhënave.


Jo vetëm që “Hawkeye” do të skanojë ajrin dhe detin për qindra milje, por aeroplani me radar mund të udhëzojë aeroplanët që të kthehen drejt aeroplanmbajtëses pa qenë nevoja që as ata dhe as anija të transmetojnë.


Ai gjithashtu mund të drejtojë aeroplanët luftarakë amerikanë patrullues ndaj aeroplanëve që afrohen, sërish pa qenë nevoja të transmetojnë derisa të vijë koha për të qëlluar.


Kinezët (dhe ndoshta edhe iranianët) do ta dinë ku është “Hawkeye”, por jo aeroplanmbajtësja, apo anijet shoqëruese, apo aeroplanët goditës të saj.


Mjafton të thuhet senëse kinezët do të mund të gjenin dhe ndiqnin aeroplanmbajtëset nga hapësira, ata nuk do t’i ndërtonin të vetat - por, po i ndërtojnë.


Vlen gjithashtu të përmendet se destrojerët dhe kryqëzorët amerikanë mbajnë raketa SM-3 të cilat mund të rrëzojnë satelitët në orbitë të ulët - kjo është dëshmuar.


Nëse situata përshkallëzohet seriozisht, Kina mund të mos ketë më shumë satelitë mbi Gjirin e Omanit.


Ka edhe mënyra të tjera për të gjetur aeroplanmbajtësen, sigurisht. Anijet sipërfaqësore nuk vlejnë shumë në këtë skenar, por një nëndetëse bërthamore e drejtuar mirë, e aftë të lëvizë shpejt dhe larg duke qëndruar e zhytur plotësisht, paraqet një opsion.


Do të çuditesha nëse Marina e Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës nuk do të kishte konsideruar të paktën dërgimin e një nëndetëseje sulmuese në këtë zonë, për të parë se çfarë mund të gjejë.


Këto janë gjëra shumë të avancuara, edhe para se të kujtohesh se dy forcat më të mira të nëndetëseve në botë - Marina Amerikane dhe Marina Mbretërore - të dyja kanë nëndetëse në këtë zonë, të cilat mund të hyjnë lehtësisht në gjurmët e një nëndetëseje kineze që endet fshehurazi.


Çdo grup goditës i aeroplanmbajtëses amerikane ka të bashkëlidhur një nëndetëse sulmuese dhe ShBA-ja gjithashtu ka një nëndetëse të klasit Ohio atje.


Dhe, siç ndodhi të shtunën e kaluar, nëndetësja sulmuese e klasit Astute e Marinës Mbretërore, HMS Anson, kaloi Kanalin e Suezit në drejtim lindor.


Nëse ajo do të ndalej për pak kohë në Gjirin e Omanit përpara se të vazhdonte udhëtimin për në Australi, mund të ishte shumë e dobishme.


Duke qenë se teknologjia e sofistikuar hapësinore dhe nëndetëset ndoshta nuk do të funksionojnë për iranianët, ata qartazi do të drejtoheshin te opsioni i vjetër: të dërgojnë një aeroplan me rreze të gjatë, një “gjurmues” (i quajtur “shad” në zhargonin e Luftës së Ftohtë) për të gjetur grupin aeroplanmbajtës, pastaj ta ndjekë dhe të raportojë vazhdimisht vendndodhjen e tij.


Kur isha kontrollor luftarak në Marinën Mbretërore, puna ime ishte të drejtoja aeroplanët luftarakë për t’u marrë me këtë kërcënim.


Zbuloje gjurmuesin” (hack the shad) ishte termi që përdorej për të “eliminuar gjurmuesin” (take out the shadower), dhe ishte në thelb gjëja e parë që bëhej nëse gjërat po përshkallëzoheshin.


Distanca është aleati yt në det, kështu që më së miri do ta bëje këtë me një palë aeroplanësh të patrullimit luftarak me radar (CAP), shumë përpara se “gjurmuesi” apo forcat për të cilat ai jepte informacione për shënjestër, të mund të afroheshin.


Sot, duhet ta eliminosh “gjurmuesin” përpara se ai madje të të gjejë, sepse mund të jetë duke transmetuar informacion për raketa të largëta balistike që mund të mbërrijnë për disa minuta.


Sigurisht që, për shkak të lakimit të Tokës, aeroplani me radarin “Hawkeye” i aeroplanmbajtëses “Lincoln” do ta ketë parë dronin iranian “Shahed-139” në radar shumë përpara se droni të shihte aeroplanmbajtësen.


Gjëja tjetër që ndodhi ishte se një aeroplanë luftarak “F-35C” i Trupave Detare të ShBA-ës nga aeroplanmbajtësja “Lincoln”, u drejtua për të rrëzuar “Shahed”-in, ndoshta nga një kontrollor në pjesën e pasme të “Hawkeye” ose nga një tjetër që vepronte përmes lidhjeve të të dhënave nga anijet.


Po spekuloj se urdhri në ditët e sotme mund të jetë “zbuloje Shahed-in” - por ndoshta nuk do ta dimë kurrë.


Një gjë tjetër që nuk e dimë është çfarë përdori piloti i Marinës për të rrëzuar dronin.


Ka raporte të pakonfirmuara për përdorimin e armëve 25 milimetërshe të “F-35C”-së për të goditur dronët në Detin e Kuq.


Përndryshe, mund të jetë përdorur raketa “Sidewinder” me ndjekje infra të kuqe në rreze më të shkurtër, ose raketa “Amraam” me rreze të gjatë përtej pamjes së rrezes vizuale.


Kjo nuk ka shumë rëndësi për një incident të vetëm, por nëse iranianët do të kishin dërguar një tufë dronësh, përdorimi i “Amraam”-eve apo edhe i “Sidewinder”-ave do të ishte shumë i kushtueshëm.


Në çdo rast, Irani do të kishte përfituar shumë pak nga kjo përplasje, përveçse ndonjë ideje se ku nuk ndodhej “Lincoln”-i.


Po ashtu zbuluan që amerikanët, këtë herë, do të qëllojnë në vend që të lejojnë që aeroplanmbajtësja të ndiqet.


Imagjinoj se ata do të qëllojnë gjithashtu edhe nëse “gjurmuesi” është me pilot; në fund të fundit, ata ishin mjaft të gatshëm të vrisnin iranianë gjatë Operacionit “Çekani i Mesnatës” në vitin e kaluar, dhe nuk duan aspak që iranianët të marrin informacion për shënjestër për “Lincoln”-in.


Ndërkohë që bisedimet dhe masakrat në tokë vazhdojnë, rreziku i një gabimi në llogaritje në det mbetet gjithmonë i pranishëm.


Qoftë nga një komandant i pabindur i IRGC-së, një dron i kontrolluar keq apo një fushatë gjysmë e koordinuar për të testuar vendosmërinë e ShBA-ës, rreziku është i lartë dhe vazhdimisht po rritet.


Nëse situata detare përshkallëzohet, duhet të shqetësohemi së pari për anijet që operojnë pranë bregut në Ngushticën e Hormuzit.


Mbrojtja ajrore e një destrojeri “Arleigh Burke” është e fuqishme, por ajo ka gjithsesi vetëm 96 tuba lëshimi.


Sigurisht, disa prej tyre do të jenë të mbushura me katër raketa “Sparrow”, por të tjerat do të mbajnë armë që nuk kanë lidhje me mbrojtjen ajrore.


Mund të thuhet me siguri që iranianët mund të lëshojnë një numër dërrmues raketash dhe dronësh mbi anije nëse e kanë në gjurmim - dhe pranë bregut, ka shumë gjasa që ta kenë.


Ndërsa aeroplanmbajtësja, larg në det, në heshtje dhe thellë brenda shtresave mbrojtëse të saj, duhet të jetë në rregull.


Pyetja për mua është: cili është qëllimi këtu? ShBA-ja ka treguar se mund të godasë çdo objektiv që dëshiron në Iran, por nuk jam i sigurt se si mund të ndihmojë me të vërtetë rebelët, përveçse me një pushtim tokësor, i cili me siguri nuk është në plan.


Qëllimi i Trumpit duket të jetë një zotim nga mullahët që nuk do të ndërtojnë armë bërthamore; është e diskutueshme sa i dobishëm do të ishte një zotim i tillë, pasi Irani tashmë ka premtuar të mos ndërtojë armë bërthamore si nënshkrues i Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. Pse do ta besonte dikush premtimin e ri?


Gjithashtu, është e diskutueshme nëse ShBA-ës mund të arrijë ndonjë fitore serioze taktike kundër ushtrisë iraniane, veçanërisht kur deri tani është vënë në përdorim vetëm një sasi relativisht e vogël e forcës amerikane.


U deshën mbi një miliard dollarë municione për t’i dhënë pak “mend” huthëve dhe kjo u arrit vetëm pjesërisht.


Hyrja në një përplasje me shkëmbim zjarri dypalësh me iranianët, që janë shumë më të shumtë në numër dhe më mirë të pajisur, mund të bëhet shumë shpejt e kushtueshme në aspektin financiar.


Nëse iranianët do të kishin fat, kjo mund të kushtojë edhe me jetë të amerikanëve.


Nuk jam i sigurt se ka ndonjë gjë që mund të arrihet këtu për ta justifikuar koston e mundshme.


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating

LAJM RRUFE | BREAKING NEWS

bottom of page