EPOKA E ORBANIT U ZHDUK.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 13 hours ago
- 5 min read

Nga z. Poll Kërbi (Paul Kirby).
Londër, Mbretëria e Bashkuar | Gjashtëmbëdhjetë vjetët e Viktor Orbanit në pushtet kanë marrë fund dhe një sistem i dënuar si një autokraci elektorale ndodhet në rrënoja, i mposhtur nga një ish-i brendshëm i partisë, një 45-vjeçar që bindi shumicën e hungarezëve ta çonin atë drejt fundit.
“E bëmë”, u tha Pitër Magiar (Péter Magyar) një turme mbështetësish që brohorisnin pranë lumit Danub, përballë parlamentit madhështor të Budapestit në anën tjetër.
“Së bashku përmbysëm regjimin hungarez”, tha ai.
Rezultatet paraprake të zgjedhjeve, bazuar në më shumë se 98 përqind të votave të numëruara, e vendosin partinë e tij Tisza drejt rrugës për 138 vende të jashtëzakonshme, me Fidesz-in e Orbanit në 55 ulëse dhe partinë e ekstremit të djathtë, “Atdheu Ynë”, në gjashtë.
Fitorja dërrmuese jo vetëm që do t’i lejojë Magiarit (Magyar) të përmbysë politikat e brendshme gjithnjë e më të papëlqyera të Orbanit, por edhe të rikonfigurojë marrëdhëniet botërore të Hungarisë.
Orbani ka qenë partner i afërt si i Presidentit të ShBA-ës Danlld Tramp (Donald Trump) - duke fituar mbështetje personale nga Zv/Presidenti amerikan JD Vens (Vance), në javën e fundit të fushatës - ashtu edhe i Vladimir Putinit të Rusisë, dhe ishte bërë një pengesë e madhe për Bashkimin Evropian dhe Ukrainën.
Magiari (Magyar), nga ana tjetër, u paraqit me një platformë që synonte ta distanconte Hungarinë nga Rusia në favor të marrëdhënieve më të mira me Bashkimin Evropian dhe Ukrainën.
Për dy vjet, Magiari (Magyar) e çoi lëvizjen e tij që po rritej nëpër fshatra, sheshe qytetesh dhe qytete, duke mobilizuar hungarezët që ishin lodhur nga klientelizmi dhe korrupsioni që ishin përhapur në Hungari gjatë viteve.
“Kurrë më parë në historinë e Hungarisë demokratike nuk kanë votuar kaq shumë njerëz - dhe asnjë parti e vetme nuk ka marrë kurrë një mandat kaq të fortë”, tha ai të dielën në mbrëmje, pasi një rekord prej 79.5 përqind të elektoratit mori pjesë në votim.
Qeverisja e Orbanit ishte ndërtuar mbi katër fitore të njëpasnjëshme zgjedhore dhe me një shumicë dërrmuese, por u bë e qartë se kishte mbaruar brenda pak minutash.
Ndërsa mbështetësit pro-Magiar kishin pritshmëri të mëdha në shesh në anën Buda të Danubit, lideri i Tisza-s botoi një mesazh të jashtëzakonshëm në Facebook: “Viktor Orbani sapo më telefonoi dhe na uroi për fitoren”.
Nuk pati pothuajse fare kohë për të përtypur atë që sapo kishte ndodhur dhe në atë moment ishin numëruar vetëm 30 përqind e votave.
Por, pak çaste më vonë, vetë Orban u shfaq në një skenë në një qendër konferencash rreth një milje më poshtë përgjatë lumit, në anën tjetër të Danubit, i rrethuar nga kolegët e tij të zymtë të partisë Fidesz.
“Rezultati i zgjedhjeve është i qartë dhe i dhimbshëm”, tha ai, duke falënderuar rreth 2.5 milionë hungarezë që i qëndruan pranë.
“Ditët që kemi përpara janë për të shëruar plagët tona”, tha ai.
Fjala filloi të përhapej mes mbështetësve të Magiarit (Magyar) dhe në hotelin pranë që ishte bërë selia e partisë, kur aktivistët e Tisza-s përqafonin njëri-tjetrin.
Magiari (Magyar) ka premtuar të përmbysë ndryshimet e epokës së Orbanit në arsim dhe shëndetësi, të luftojë korrupsionin, të rikthejë pavarësinë e gjyqësorit dhe të shkatërrojë sistemin shumë të urryer të patronazhit të njohur si NER, që ndihmoi në pasurimin e besnikëve të partisë dhe shpërdorimin e burimeve shtetërore.
Për të bërë këto ndryshime në Kushtetutë, atij i duhej një shumicë prej dy të tretash, 133 nga 199 vendet në Parlamentin hungarez.
Edhe pse rezultatet përfundimtare nuk janë ende, Tisza është në rrugë për 138 vende.
Magiari (Magyar) u kishte thënë mbështetësve të përgatiteshin për një ndryshim regjimi dhe tani ata e kishin atë - festimet nisën vërtet dhe shampanja rridhte.
Nga makinat dëgjoheshin boritë nëpër Budapest, gratë valëvitnin flamurin hungarez nga çatitë e hapura të makinave.
Shumë nga ata që mbështetën Magiarin (Magyar) nuk janë mbështetës të natyrshëm.
Për vite me radhë ai vetë kishte mbështetur Orbanin dhe tani ai e përmbysi atë.
“Ai është dikush për të cilin nuk mund të jesh plotësisht i sigurt”, tha për BBC-në një avokate e quajtur Agnes, por jemi në një pikë ku duhet të shpresojmë për diçka më të mirë, për atë që ai premton - dhe shpresojmë vërtet që premtimet e tij do të realizohen.
Një tjetër objektiv i Magiarit (Magyar) janë mediat shtetërore pro-Orban.
Kanali televiziv “M1” deri tani ka ndjekur verbërisht linjën e partisë, së bashku me faqe interneti dikur të pavarura që u blenë me kalimin e kohës prej aleatëve të Fidesz-it.
Me sa duket i pasigurt për hapat e ardhshëm, “M1”-shi ritransmetoi një fjalim që Magiari (Magyar) kishte mbajtur menjëherë pas përfundimit të votimit.
Ai ishte shpresëplotë për fitore në atë moment, por tani fjalimi ishte i tejkaluar - ai veçse kishte fituar.
Hungaria prej kohësh është ndier si dy botë të ndryshme që ecnin paralelisht.
Në njërën, Orbani bindte mbështetësit dhe shikuesit televizivë se po shkonin drejt fitores dhe katër vjetëve të tjera në pushtet, mbështetur nga sondazhe të realizuara nga instituteve pranë tij të cilat vazhdonin të parashikonin një fitore të Fidesz-it edhe deri të dielën në mbrëmje.
Në botën tjetër ishte Magiari (Magyar), duke tërhequr turma të mëdha kudo që shkonte, i mbështetur prej sondazheve të besueshme që tregonin një epërsi në rritje ndaj rivalit të tij.
Të dielën në mbrëmje, këto dy këto botë u përplasën dhe vetëm njëra ishte reale.
Magiari (Magyar) lëvizi ngadalë mes turmës para se të ngjitej në skenë, i shoqëruar nga kolegët e partisë.
“Sot keni bërë një mrekulli, Hungaria bëri historinë sot”, u tha ai të pranishmëve, mes thirrjeve “Ria-Ria-Hungaria”!
Ai e krahasoi fitoren zgjedhore me revolucionin hungarez të vitit 1848 dhe kryengritjen kundër pushtimit sovjetik në vitin 1956.
Ishte një kohë kur vetë Orbani fliste kundër pushtimit sovjetik, por ai ishte bërë partner i afërt i Putinit, dhe justifikimi i tij për naftë dhe gaz të lirë rus e ka shndërruar atë në një udhëheqës shumë të papëlqyer te Bashkimit Evropian që ka tentuar të reduktojë varësinë nga importet ruse.
Orbani gjithashtu ka shkelur një marrëveshje të Bashkimit Evropian për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 90 miliardë eurosh.
“Rusë, kthehuni në shtëpi”, brohorisnin mbështetësit e Magiarit (Magyar), ndërsa kryeministri i ardhshëm hungarez premtonte marrëdhënie më të mira me Bashkimit Evropian.
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ishte ndër të parët nga shumë udhëheqës evropianë që përshëndetën fitoren madhështore të Magiarit (Magyar), duke shtuar në hungarisht “Ruszkik Haza” - rusë, kthehuni në shtëpi.
Uadhëheqësi i Tisza-s premtoi se udhëtimi i tij i parë jashtë vendit si kryeministër do të ishte në Varshavë - për të forcuar miqësinë 1000-vjeçare me Poloninë.
Ai gjithashtu ka premtuar të udhëtojë në Bruksel, ku synon të bindë Komisionin Evropian të zhbllokojë deri në 17 miliardë euro fonde të ngrira për shkak të dështimeve në luftën kundër korrupsionit dhe në ruajtjen e pavarësisë së gjyqësorit.
Magiari (Magyar) ka një moment pozitiv pas një fushate maratonike që përfshinte deri në shtatë fjalime në ditë dhe mobilizoi turma të mëdha në të gjithë vendin.
Rivali i tij i mundur dukej i lodhur dhe i konsumuar në fjalimin e fundit të fushatës të shtunën në mbrëmje, sikur ta dinte se çfarë po vinte.
Orbani, tani 62 vjeç, nuk ka dhënë dorëheqjen si lider partie, dhe pa të është e vështirë të imagjinohet se çfarë do të ndodhë me Fidesz-in.
Për momentin ai do të vazhdojë të drejtojë Hungarinë në një rol kujdestar, ndërsa ai dhe partia e tij përpiqen të rikuperohen nga humbja.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)













Comments