REPUBLIKA POPULLORE E KINËS PO UDHËHEQ NË ROL DREJT ARMAGEDONIT BËRTHAMOR.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 16 minutes ago
- 5 min read

Nga z. Simon Tisdëll (Tisdall).
Londër, Mbretëria e Bashkuar | Kthesa e kujdesshme e Keër Starmërit (Keir Starmer) drejt Fronit të Dragoit ka pasur sukses në Pekin, megjithëse jo në Trampllend (Trumpland).
Kjo pjesërisht sepse, ashtu si shumë udhëheqës të tjerë të pasigurtë perëndimorë, kryeministri i Britanisë nuk u ndal në tema të sikletshme si shkeljet e të drejtave të njeriut, farsën në lidhje me Xhimi Llein (Jimmy Lain), spiunazhin dhe Tajvanin.
Por, në bisedimet me presidentin Shi Xhinping (Xi Jinping), një çështje jetësore u shmang krejtësisht dhe nuk duhej të shmangej; ndërtimi i rrezikshëm, i pashpjegueshëm, sekret dhe i shpejtë i armëve bërthamore nga Kina.
Më shumë sesa kriza klimatike, uria globale, militarizmi prusian i Kajzerit Tramp (Trump) dhe kërcënimi gjithnjë e më i përhapur i pandemisë, përhapja e pakontrolluar e armëve të shkatërrimit në masë është kërcënimi më i menjëhershëm dhe ekzistencial për njerëzimin.
Javën e kaluar, Ora e Apokalipsit u përshkallëzua në 85 sekonda deri në mesnatë - më afër Armagedonit se kurrë më parë.
“Rreziqet bërthamore dhe rreziqet e tjera globale po përshkallëzohen shpejt dhe në mënyra të papara”, paralajmëruan vëzhguesit e orës, nëpërmjet Buletinit të Shkencëtarëve Atomikë.
Diplomacia e çarmatimit bërthamor është në një ngërç botëror. Konsensusi mbi veprimin kolektiv, në të ardhmen, pritet të shmanget përsëri në konferencën e rishikimit të Traktatit të Mospërhapjes (NPT) në prill në Jorkun e Ri.
Të enjten, skadoi Fillimi i Ri (New Start) - traktati i fundit i mbetur për kontrollin e armëve që kufizon forcat bërthamore strategjike të ShBA-ës dhe Rusisë.
Ndërkohë, një garë e frikshme ndërkombëtare e armëve bërthamore po zhvillohet pa kontroll, siç detajohet në raportin e vitit 2025 të Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI).
“Pothuajse të gjitha nëntë shtetet që zotërojnë armë bërthamore - ShBA-ës, Rusia, Kina, Franca, Britania e Madhe, India, Pakistani, Koreja e Veriut dhe Izraeli - po ndjekin programe intensive të modernizimit bërthamor”, raportoi SIPRI - duke përfshirë armë të reja si raketat hipersonike dhe armët taktike me fuqi të ulët, të konsideruara të përdorshme.
Testimet bërthamore mund të rifillojnë së shpejti.
“Nga inventari global prej rreth 12 241 koka bërthamore në janar 2025, rreth 9 614 ishin në depot ushtarake për përdorim të mundshëm”, tha SIPRI.
Nga këto, ShBA-ës dhe Rusia zotërojnë rreth 90 përqind.
Me rreth 600 koka bërthamore të vlerësuara, Kina mbetet prapa - por, po e ngushton diferencën me shpejtësi.
“Arsenali bërthamor i Kinës po rritet më shpejt se i çdo vendi tjetër, me rreth 100 koka të reja në vit që nga viti 2023 …
Mund të ketë potencialisht po aq raketa balistike ndërkontinentale (ICBM) sa Rusia ose ShBA-ës deri në fund të dekadës”, vlerësoi SIPRI.
Pekini nuk ofron asnjë shpjegim apo arsyetim për këtë rritje dramatike - dhe refuzon bisedimet shumëpalëshe për kontrollin e armëve.
Një dokument zyrtar i bardhë, i botuar nga Pekini në nëntor, përsëriti qëndrimin e tij se vendet me arsenalet më të mëdha bërthamore duhet të ndërmarrin hapin e parë, duke bërë në mënyrë të njëanshme ulje drastike dhe thelbësore.
Deri atëherë, thuhej në dokument, Kina do të mbajë potencialin e saj bërthamore në nivelin minimal të kërkuar për sigurinë kombëtare. Dokumenti, natyrisht, nuk specifikonte se cili është ky nivel.
Është e saktë kritika e Kinës - edhe pse e ngarkuar me hipokrizi - se ShBA-ës dhe të tjerët po shpërfillin angazhimin e tyre në kuadër të NPT-së për të ndjekur çarmatimin.
Ajo ka një argument më të fortë kur kundërshton projektin e Danlld Trampit (Donald Trump) për mburojë raketore shumështresore, të lidhur me Groenlandën - të ashtuquajturën Mburoja e Artë (Golden Dome) - e cila, nëse materializohet ndonjëherë, mund të dëmtojnë keq ekuilibrin e frikës.
Pavarësisht avantazheve të saj aktuale, ShBA-ës janë të shqetësuara.
Pentagoni paralajmëroi në dhjetor se “ndërtimi historik ushtarak i Kinës e ka bërë territorin amerikan gjithnjë e më të cenueshëm”.
Ai theksoi atë që u quajt pozicion bërthamor i gatshëm për sulm, dhe pretendoi se rreth 100 ICBM janë instaluar së fundmi në Veri të Kinës.
Po ashtu, u tha se Pekini po teston aftësinë e tij për të goditur forcat amerikane në Paqësor, gjë që potencialisht mund të pengojë ndihmën e ardhshme ushtarake të ShBA-ës për Tajvanin.
“Kina pret të jetë në gjendje të luftojë dhe të fitojë luftën për Tajvanin deri në fund të vitit 2027”, tha Pentagoni.
Çfarë po synon Shija (Xi)? Shtytja e Kinës drejt zgjerimit të arsenalit bërthamor mund të jetë thjesht çështje statusi.
Ndoshta Shija (Xi) dëshiron të barazohet (ose të tejkalojë) ShBA-ës dhe Rusinë. Ndoshta ka vërtet frikë nga një sulm i mundshëm.
Ai i tha Starmërit (Starmer) se fuqitë e pakontrolluara, duke iu referuar Trampit (Trump), po ndiqnin ligjin e xhunglës.
Ose, ndoshta, duke menduar për trashëgiminë e tij, Shija (Xi) beson se shfaqja e forcës bërthamore (ose diçka më e rëndë) mund ta ndihmojë të pushtojë Tajvanin dhe të përmbushë ambicien për ta bërë Kinën superfuqinë kryesore.
Shija (Xi) ka fituar pushtet pothuajse perandorak pas 13 vjetësh në krye.
Por, ai është gjithashtu një politikan i pasigurt, i gabueshëm dhe pa shumë imagjinatë, i ndjeshëm ndaj trendeve dhe presioneve botërore.
Nga njëra anë, ai e sheh ShBA-ës të Trampit (Trump) duke përmirësuar armët bërthamore; duke hedhur poshtë marrëveshje kyçe të kontrollit të armëve si traktati i vitit 1987 për raketat me rreze të mesme; dhe duke sulmuar (sipas dëshirës) vende pa armë bërthamore si Irani dhe Venezuela.
Nga ana tjetër, ai sheh aleatin dhe diktatorin tjetër, Vladimir Putinin e Rusisë, duke kërcënuar me luftë bërthamore ndaj Perëndimit ndërsa përpiqet të pushtojë Ukrainën në mënyrë të paligjshme.
Është e kuptueshme që tundimi për të ndjekur këtë shembull mund të jetë i madh.
Shqetësuese, po ashtu, është ideja se, pavarësisht pamjes së jashtme, Shija (Xi) mund të mos ketë kontroll të plotë mbi forcat e armatosura të Kinës.
Shkarkimi sensacional i javës së kaluar, nga ana e tij, e gjeneralit Zhang Jushia (Youxia) - i dyti pas tij në hierarkinë ushtarake - mbetet një mister.
Zhangu, një veteran i urryer, thuhet se akuzohet për mungesë besnikërie ndaj shefit të tij me më pak përvojë lufte - dhe për rrjedhje të sekreteve bërthamore drejt ShBA-ës.
A është e mundur që të dy burrat të kenë pasur mosmarrëveshje mbi politikat konfrontuese dhe agresive të Shisë (Xi) për armët bërthamore dhe Tajvanin
Shija (Xi) më parë ka pastruar komandantët e forcës raketore, por duket se ende po lufton për t’i vënë gjeneralët në vijë.
Në një jehonë të Luftës së Ftohtë, rikthehet pyetja shqetësuese e Dr. Strejnxhlovit: kush e ka gishtin mbi buton?
Çfarëdo që të mendojë presidenti i Kinës, këto janë kohë alarmante për këdo që shqetësohet për një luftë botërore termobërthamore - që duhet të jetë shqetësimin i secilit.
Bisedimet e Starmërit (Starmer) me Shinë (Xi) thuhet se përfshinë kërcënimet kineze ndaj sigurisë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar.
Ku ka kërcënim të madh sesa përhapja e armëve bërthamore? Megjithatë, për sa dihet, ai nuk e ngriti këtë çështje.
Heshtja e Starmërit (Starmer) nuk është befasuese. Nën drejtimin e tij, edhe Mbretëria e Bashkuar po zgjeron forcën e saj goditëse bërthamore, duke blerë aeroplanët luftarakë amerikanë F‑35A, të cilët, janë të aftë për sulme bërthamore.
Dhe, thuhet se po lejon ShBA-ës të magazinojë bomba bërthamore në bazën e Forcave Mbretërore Ajrore në Leiknhith (Lakenheath) - për herë të parë pas 20 vjetësh.
Britania nuk është në pozicion të kritikojë. Përkundrazi, mesazhi i saj i pashprehur për Shinë (Xi) është i qartë: bombat gati!
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)




















Comments