EL SALVADOR: PRESIDENTI QË FUTI NË BURG 70 MIJË ANËTARË BANDASH KRIMINALE I FAVORIZUAR PËR T’U RIZGJEDHUR PRESIDENT.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Feb 4, 2024
- 5 min read
El Salvador | El Salvador shkon në kutitë e votimit sot, të dielën 4 shkurt 2024, për zgjedhjet presidenciale, të cilat, nuk duhet të ofrojnë ndonjë surprizë të madhe.
I preferuari, me mbi 80 për qind mbështetje sipas sondazhit të fundit të kryer në vend, është presidenti aktual dhe eksponenti i partisë Ide të Reja (NI), Nayib Bukele, popullor jashtë dhe brenda El Salvadorit, veçanërisht për politikat e tij efektive të shtypjes së krimit, gjë që, pa ndonjë surprizë, do ta çojë atë të marrë një mandat tjetër pesëvjeçar.
Z. Bukele paraqitet në votim pavarësisht nga polemikat rreth legjitimitetit të kandidaturës së tij të re: kushtetuta salvadorane, në fakt, ndalon një mandat të dytë.
Por, fillimisht Gjykata e Lartë - e rinovuar në bllok nga një parlament i kontrolluar nga qeveria - dhe Gjykata Zgjedhore më pas, e interpretuan kufirin si të lidhur me dy mandate të njëpasnjëshme, dhe e lejuan z. Bukele të rikandohej.
Për këtë arsye, presidenti në detyrë i “pauzoi” funksionet e tij për gjashtë muaj në muajin dhjetor të vitit 2023, duke ia besuar teknikisht detyrat sekretares së tij private Klaudia (Claudia) Rodriguez, dhe duke iu përkushtuar vetëm fushatës elektorale”.
Qytetarëve u kërkohet të votojnë për presidentin, nënkryetarin dhe Kongresin.
Për të fituar, kandidati duhet të marrë 50 për qind të votave plus një.
Ndryshe, dy të zgjedhurit e parë do të garojnë për pozitën në balotazh, më 3 mars 2024, ditë në të cilën do të ketë edhe votim për zgjedhjet komunale.
Kohët e fundit, numri i bashkive ka shkuar nga 262 në 44, ndërsa ai i deputetëve nga 84 në 60.
Është futur votimi në distancë për qytetarët jashtë vendit, kudo nëpërmjet internetit dhe votimit elektronik në 81 qendra votimi të ngritura në 59 qytete, në 29 shtete.
Partia e presidentit, Nuevas Ideas (Ni), ka mbi 66 për qind të vendeve në parlamentin me një dhomë (56 nga 84), gjë që i lejon asaj të miratojë çdo iniciativë legjislative pa pasur nevojë për aleanca.
Me një numër më të vogël vendesh se ai aktual, qoftë edhe pak, z. Bukele mund të ketë megjithatë më pak hapësirë politike për të vazhduar manovrat e tij të rrepta të sigurisë - kryesisht gjendjen e jashtëzakonshme.
Për këtë arsye, në thirrjen e tij drejtuar popullatës ai u mbështet edhe një herë te siguria, duke i ftuar qytetarët të votojnë për Ide të Reja për të shmangur “lirimin” e dhjetëra mijëra anëtarëve të bandave kriminale të arrestuar në gjendjen gati dyvjeçare të jashtëzakonshme.
“Me vetëm një deputet më pak, NI do të humbiste shumicën e cilësuar, duke vënë në rrezik luftën kundër bandave të armatosura”, tha z. Bukele në një videomesazh që publikoi në profilin e tij.
Tema e luftimit të bandave kriminale, e bëri z. Bukele të popullarizuar në mesin e bashkatdhetarëve të tij, por, gjithashtu frymëzoi një model rajonal, i cili, është shfaqur gradualisht edhe në vende të tjera: z. Daniel Noboa, president i Ekuadorit dhe kandidatja aspirante presidenciale e Guatemalës, Sandra Torres, kanë përmendur vazhdimisht masat e aplikuara në El Salvador, si një zgjidhje të mundshme, për dhunën e përhapur në rajon.
Dhe kandidati aspirant presidencial i Meksikës, Eduardo Verastegui, ka mbështetur në mënyrë eksplicite riemërimin e z. Bukele.
Presidenti në largim bëri një ndryshim thelbësor në politikën e tij të sigurisë, pas një sërë episodesh të dhunshme, në të cilat, midis 25 dhe 27 marsit 2022: u vërtetua vdekja e dhunshme e 87 personave.
Pikërisht atëhere z. Bukele shpalli gjendjen e jashtëzakonshme (shtrirë deri në janar 2024 për njëzet herën e dytë), dhe ka ndërmarrë një rrugë sigurie me rezultate befasuese në luftën kundër bandave kriminale, qoftë edhe në kurriz të të drejtave të njeriut, siç denoncohen nga disa aktorë ndërkombëtarë, dhe disa organizata joqeveritare.
Nëpërmjet “gjendjes së përjashtimit”, presidenti ndër të tjera u ka dhënë fuqi forcave të armatosura për të vepruar me detyra të brendshme policore, duke arritur të kapë mbi 70 mijë persona të akuzuar si pjesë e organizatave kriminale.
Gjatë mandatit të tij, shkalla e vrasjeve ra me 68.8 për qind.
Nga 103 vrasje për 100 mijë banorë në vitin 2015, në 2.4 vrasje për 100 mijë në vitin 2023.
Sipas të dhënave të qeverisë, në vitin 2023 kanë ndodhur 154 vrasje krahasuar me 495 një vit më parë.
Ligji shërben për t’i dhënë vazhdimësi rivendosjes së rendit, sigurisë qytetare dhe kontrollit territorial, përballë një kërcënimi që është ende i pranishëm, lexohet në tekstin e zgjatjes së fundit të gjendjes së jashtëzakonshme.
Një tjetër projekt kyç i politikës së z. Bukele është “Qendra e izolimit kundër terrorizmit”, një mega burg i ndërtuar në Tecoluca, në juglindje të vendit, dhe i aftë për të mbajtur deri në 40 mijë njerëz.
I inauguruar në janar 2023, burgu ruhet nga 250 policë dhe 600 ushtarë dhe strehon krerët e bandave historike të vendit, Mara Salvatrucha (MS-13) dhe Barrio 18.
Sfiduesit e z. Bukele janë pesë, nga të cilët, dy i përkasin formacioneve historike të vendit, dhe përfaqësojnë dypartishmërinë e ndërprerë nga Nuevas Ideas.
Z. Manuel Flores, në vendin e dytë në sondazhe me 4.2 për qind të votave, është eksponenti i Frontit Nacional Çlirimtar Farabundo Marti (Fmln), partia historike e majtë, e lindur nga ish-guerrilët, dhe në qeveri nga viti 2009 deri në vitin 2019.
Z. Joel Sançez (Sanchez), nga ana tjetër, është anëtari rival i partisë së krahut të djathtë, Aleanca Nacionaliste Republikane (Arena).
FMLN dhe Arena janë dy partitë që dominuan skenën politike nga lufta civile e vitit 1980, deri në zgjedhjen e z. Bukele në vitin 2019.
Tani, të reduktuara në më pak se 5%, ato janë asgjësuar nga ajo që sipas disa analistëve mund të bëhet një parti e vetme.
Sfiduesit e tjerë, me më pak se 2 përqind, janë z. Luis Parada, një ushtarak në pension, dhe ekspert në arbitrazhet ndërkombëtare, dhe i listuar në emër të Nostro Tempo; arkitektja Marina Murillo për Vëllazërinë Patriotike Salvadorane, Fps, dhe mjeku José Renderos, ish-anëtar i Arena, kandidon me partinë Forza Solidarity, FS.
Kundërshtarët aktualë kanë denoncuar situata që do ta bënin votimin e së dielës një ngjarje pa garancitë e nevojshme demokratike.
Flitet - me komoditetin e disa vëzhguesve - për pabarazitë në disponueshmërinë e burimeve për fushatën zgjedhore, për një hapësirë të kufizuar qytetare, për mungesë transparence në organet zgjedhore.
Disa nga kundërshtarët e z. Bukele flasin në këtë kuptim të frikës së qytetarëve, të frenuar nga presioni politik në favor të presidentit për të shprehur synimet e tyre të vërteta të votimit.
“Nëse zgjidhem, beteja kundër korrupsionit do të nisë që në ditën e parë”, deklaroi z. Parada për gazetën “Telecorporación Salvadoreña” (TCS).
Z. Bukele, kryebashkiak i kryeqytetit San Salvador nga viti 2015 deri në vitin 2018, ka qenë president që nga 1 qershori 2019, falë fitores së arritur në zgjedhjet e shkurtit.
Në tetor 2017 ai njoftoi drejtpërdrejt në Facebook lindjen e lëvizjes Nuevas Ideas, një parti që do të përbënte shtyllën kurrizore të Aleancës së Madhe për Unitetin Kombëtar (Gana), me të cilën, u prezantua në zgjedhjet presidenciale.
Z. Bukele fitoi zgjedhjet me 53.10 për qind të totalit të votave, një përqindje që e lejoi atë të shmangte balotazhin.
Zgjedhjet legjislative në fund të shkurtit 2021 i dhënë atij, që nga maji, kontrollin e lehtë të Kuvendit, organit me një dhomë: shumica qeveritare në fakt numëron 64 nga 84 deputetë.
Një forcë që presidenti e ka përdorur për të kryer një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë, subjekt i kritikave nga jashtë dhe brenda vendit.
Bukele, një mbështetës i flaktë i teknologjive të reja, prezantoi gjithashtu - vendin e parë në botë - Bitcoin si mjet ligjor.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)













Comments