EKUADOR: U ARRESTUA KREU I BANDËS KRIMINALE LOS KONEROS (CHONEROS) HOZE ADOLFO MAKIAS VILAMAR (JOSE ADOLFO MACIAS VILLAMAR) - I NJOHUR EDHE SI FITO.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Jun 26
- 3 min read

Kuito, Ekuador | “I akuzuari për trafik droge Hoze Adolfo Makias Vilamar (Jose Adolfo Macias Villamar), i njohur ndryshe si Fito, bosi më i kërkuar i drogës në Ekuador, u rikap pas një ndjekjeje disamujore”, njoftoi të mërkurën Presidenti Daniel Noboa, duke i dhënë fund një aventure arratie që e kishte zhytur vendin në dhunë vdekjeprurëse të bandave kriminale dhe kishte shkaktuar gjendje të jashtëzakonshme kombëtare.
Presidenti i Ekuadorit njoftoi të mërkurën se i arratisuri më i kërkuar i vendit, kreu i bandës Los Koneros (Choneros) Fito, ishte rikapur më shumë se një vit pasi arratisja e tij nga burgu shkaktoi një valë dhune.
“Ne kemi bërë pjesën tonë për të vazhduar me ekstradimin e Fitos në Shtetet e Bashkuara, po presim përgjigjen e tyre”, shkroi presidenti Daniel Noboa në rrjetin social Iks (X).
Bosi i drogës Fito, iku nga paraburgimi në Ekuador në fillim të vitit 2024 dhe prokurorët amerikanë e akuzuan atë, në mungesë, me shtatë akuza për shpërndarje kokaine, komplot dhe krime të lidhura me armë zjarri, përfshirë kontrabandën e armëve.
Arratisja e tij në muajin janar të vitit 2024 rezultoi në një rritje të dhunës së lidhur me bandat në Ekuador që zgjati me ditë dhe la rreth 20 të vdekur.
Presidenti Noboa shpalli një gjendje të jashtëzakonshme 60-ditore në gati një të tretën e provincave për të shuar dhunën, por bosi i drogës ishte në arrati deri në njoftimin e së mërkurës.
Kërkimi disamujor përfundoi me deklaratën e presidentit se ai ishte nën paraburgimin e forcave speciale ushtarake që luftojnë trafikun e narkotikëve.
Ushtria dhe policia raportuan se ai u kap gjatë një operacioni 10-orësh në Manta, një port peshkimi në Ekuadorin perëndimor i konsideruar si një fortesë për bandën e tij.
Vendstrehimi i Fitos ngjante me skena nga një film thriller - media lokale raportoi se oficerët hapën një derë kurth në pllakat e dyshemesë së një shtëpie luksoze për të zbuluar banditin e fshehur në një bunker.
Ambasada e ShBA-ës e përgëzoi Kuiton për arrestimin, duke postuar në spanjisht në llogarinë e saj në rrjetin social virtual Iks (X) se Uashingtoni mbështet Ekuadorin në përpjekjet e tij për të luftuar krimin transnacional për sigurinë e rajonit.
FUSHATA TERRORISTE E KARTELEVE.
Ekuadori, dikur një parajsë paqësore midis dy eksportuesve kryesorë të kokainës në botë, Kolumbisë dhe Perusë, është përballur me shpërthime dhune vitet e fundit, ndërsa bandat armike konkurrojnë për kontroll dhe krijojnë lidhje me kartelet meksikane dhe kolumbiane.
Luftërat e bandave zhvilloheshin kryesisht brenda burgjeve të vendit, ku Fito ushtronte kontroll të madh.
Ai ishte mbajtur në paraburgim që nga viti 2011, duke vuajtur një dënim me 34 vjet burg për krim të organizuar, trafik droge dhe vrasje.
Kur u arratis, ai u konsiderua gjithashtu i dyshuar për urdhërimin e vrasjes së kandidatit presidencial dhe aktivistit anti-korrupsion Fernando Vilavisensio (Villavicencio).
Në orët pas arratisjes së bosit të drogës, shpërthyen trazira në burg dhe katër oficerë policie u morën peng, ku njëri u detyrua t'i lexonte një mesazh kërcënues Presidentit Noboa.
Burra të armatosur të veshur me maska morën gjithashtu kontrollin e një stacioni televiziv gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë, duke e detyruar ekipin e tmerruar të shtrihej në tokë dhe qëllonte me armë.
Menjëherë pas kësaj, Presidenti Noboa njoftoi se vendi ishte në një gjendje konflikti të brendshëm të armatosur dhe urdhëroi ushtrinë dhe tanket të dilnin në rrugë për të neutralizuar bandat kriminale.
Prokurorët amerikanë pretendojnë se banda e tij kriminale ka bashkëpunuar me kartelin Sinaloa të Meksikës për të kontrolluar rrugët kryesore të trafikimit të drogës midis Amerikës së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara.
Qeveria e Ekuadorit kishte ofruar një shpërblim prej 1 milion dollarësh për informacionin që do të çonte në kapjen e tij.
Nëse dënohet, Fito përballet me burgim të përjetshëm.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































Comments