DËSHTIMET FISNIKE TË RUSISË.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 12 hours ago
- 5 min read

Nga znj. Kethllin Parth (Kathleen Parthé)*.
Uashington, Amerikë | Në vitin 1964, Malkolm X tha se ai dhe afrikano-amerikanë të tjerë “nuk zbarkuan në Plaimauth Rok (Plymouth Rock). Plaimauth Roku zbarkoi mbi ne”.
Libri i historianit Ben Nathans, fitues i çmimeve, “To the Success of our Hopeless Cause”, përshkruan se si ekuivalenti rus i Plaimauth Rokut (Plymouth Rock) ka zbarkuar mbi ata shpirtra të guximshëm që sfiduan qeverinë ruse të zbatonte ligjin vendas dhe ndërkombëtar.
Njerëzit që Nathans-i ndjek nga mesi i viteve 1950 deri në ngritjen e Gorbaçovit ishin një grup i admirueshëm, aq të patrembur sa ishin të shkëlqyer, por rezultati i kufizuar i përpjekjeve të tyre është aty për t'u parë nga të gjithë.
Ndryshe nga këta aktivistë, lexuesi bashkëkohor e di se çfarë e pret: glasnosti, fundi i dominimit të Partisë dhe vetë Bashkimit Sovjektik (BRSS), vitet 1990 përçarëse dhe, duke filluar nga fillimi i viteve 2000, vendosja e një regjimi tjetër shtypës.
Fundi i viteve 1980 pa një nga degët e lëvizjes disidente, Shoqërinë Përkujtimore, të ngrihej dhe të bënte punën e mundimshme të përkujtimit që i fitoi asaj një Çmimin Nobel, vetëm për t'u “zhdukur” zyrtarisht një çerek shekulli më vonë, njësoj si viktimat, kujtimin e të cilëve ajo kërkon të ruajë.
Siç premton nëntitulli, ky libër mbulon “shumë jetë të lëvizjes disidente sovjetike” dhe atë që Nathans-i e quan “repertor disidentësh”, nga peticionet dhe protestat publike deri te kronikat e samizdatit që regjistruan paligjshmërinë zyrtare për kombin dhe botën.
Puna u përqendrua në Moskë, por nuk kishte udhëheqje qendrore dhe shumë qasje të ndryshme.
Ajo që filloi midis grupeve të miqve të besuar u zhvillua në atë që Vladimir Bukovski e quajti “një orkestër e mahnitshme pa dirigjent”.
Nathans-i shpenzon më pak kohë se historianë të tjerë mbi “të dyshuarit e zakonshëm”, duke i përqendruar aftësitë e tij të jashtëzakonshme kërkimore në figura më pak të njohura si mësuesi i shkollës së mesme dhe kritiku letrar Anatoli Jakobson (Anatoly Yakobson), i cili e përmendi Herzenin si një udhërrëfyes për vetëçlirimin, dhe Aleksandër (Alexander) Volpin, djali i poetit Yesenin, i cili praktikoi “bindjen civile” duke vepruar sikur kushtetuta dhe kodet ligjore ishin dokumente transparente që lidhnin si qeverinë ashtu edhe qytetarin.
Pasi ranë dakord në vitin 1972 të emigronin, duke shmangur kështu një burgim të katërt psikiatrik, oferta ironike e lamtumirës së Volpin-it për rusët ishte një broshurë se si të silleshin gjatë marrjes në pyetje, shenja e një luftëtari që e di se beteja është larg të mbaruarit, jo një optimist.
Ndryshe nga veprat e tjera mbi disidentët e epokës sovjetike, duke përfshirë kujtimet e shumta të pjesëmarrësve të tij, Nathans-i është qëllimisht jodramatik, duke ofruar përshkrime të hollësishme të njerëzve, takimet e të cilëve me autoritetin sovjetik i çuan ata në veprim publik, duke ditur se mund të pushoheshin nga puna, të dërgoheshin në një spital psikiatrik, burg, kamp pune ose, në rastin më të mirë, t'u jepej një biletë vajtje për t'u larguar nga vendi.
Raisa Orlova shkroi se gjatë mesit të viteve 1960, ndihej sikur telegramet po mbërrinin vazhdimisht me mesazhin e fshehtë: “Filloni të shqetësoheni - detajet do të pasojnë”.
Libri përshkruan atë që u bë një zinxhir i parashikueshëm ngjarjesh; arrestime, të ndjekura nga letra proteste dhe demonstrata nga mbështetësit.
Dëshmitarët e gjyqeve politike prodhuan transkripte që u kontrabanduan jashtë vendit, pastaj u transmetuan përsëri në Bashkimin Sovjetik (BRSS) nga Zëri i Amerikës dhe stacione të tjera, duke thyer kështu “monopolin e Kremlinit mbi informacionin”.
Mbështetësit e të arrestuarit origjinal u shënjestruan dhe cikli filloi përsëri.
Një pikë e ndritshme ishte se, ndryshe nga epoka e Stalinit (ose Rusia e Putinit), heronjtë e librit të Nathans-it në përgjithësi duhej të bënin diçka konkrete për t'u arrestuar dhe ata kishin një shans të mirë për të mbijetuar përvojën.
Libri ngre pyetje rreth përqafimit periodik të Perëndimit ndaj një figure ose vepre letrare të vetme si zëri i mospajtimit sovjetik, një personalitet i gjallë që ka më shumë gjasa të tërheqë interes ndërkombëtar sesa një komitet punëtor.
Nathans-i ka thënë kohët e fundit (TLS, 6 mars 2026) se ai ishte i kujdesshëm të përqendronte “vëmendjen te individë të vetëm në kurriz të forcave kolektive dhe jopersonale”.
Një rezultat i “vështrimit” admirues perëndimor, sipas satiristit Aleksandër (Alexander) Zinoviev, ishte se “shumë më tepër disidentë mbërritën në Perëndim sesa u larguan nga Bashkimi Sovjetik”.
Nathans-i thekson se figurat më të njohura, si Solzhenicini dhe Sakharovi, ruajtën distancën e tyre nga përpjekjet në grup, në kontrast me disidentët më modestë, të cilët madje lejuan që emrat e tyre të shtoheshin në peticione që nuk i kishin parë.
Ata prej nesh që ndoqën lajmet nga Moska gjatë atyre dekadave do të përfitojnë nga vëllimi sintetizues brilant i Nathans-it, ndërsa lexuesit më të rinj do të bënin mirë të lexonin edhe atë që figura si Siniavski, Amalrik-u dhe Bukovski kishin për të thënë për veten e tyre.
Sigurimi i materialeve për transmetimet në gjuhën ruse të financuara nga Perëndimi në Bashkimin Sovjetik (BRSS) ishte i vetmi aktivitet i shkallëzuar i hapur për “mendimtarët e tjerë” të epokës sovjetike, duke pasur parasysh se kopjimi i materialit me dorë ose me makinë shkrimi kërkonte shumë punë dhe ishte i mbushur me rrezik.
Pasi Kremlini nënshkroi Marrëveshjet e Helsinkit në vitin 1975, duke përfshirë një premtim për të respektuar lirinë e fjalës, të tubimit dhe të emigrimit, grupet u formuan shpejt për ta detyruar Bashkimin Sovjetik t'i përmbahej këtyre angazhimeve.
Lexuesit më të vjetër do të kujtojnë se si Grupi i Vëzhgimit të Helsinkit në Moskë vepronte si një ekip sportiv i mirë-drejtuar, ndërsa burri (ose gruaja) tjetër “ngrihej” pa probleme zëvendësonte dikë të nxjerrë nga puna.
Megjithatë, në fillim të viteve 1980, arrestimet dhe deportimet kishin zvogëluar radhët, dhe mospajtimet e organizuara nuk sollën aq shumë epokën e Gorbaçovit, sa u zbehën së bashku me epokën e Brezhnjevit.
Drejt fundit të studimit të tij, Nathans-i pyet se si e imagjinonin disidentët në vitet gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë “suksesin” e “kauzës së tyre të pashpresë”, por ai nuk gjen asnjë përgjigje që shkon përtej dhënies fund të shkeljeve të ligjit të vendosur.
Individët dhe grupet që ai shqyrton sigurisht që nuk ishin të përgatitur për të ngritur një strukturë të re qeverisëse.
Vasili Kelsiev-i, një koleg i Aleksandër Herzen-it, i siguroi autoritetet cariste në fund të viteve 1860 se publicisti emigrant nuk formonte asnjë komplot apo shoqëri sekrete dhe thjesht “nuk ishte i interesuar të qeveriste”.
Pasardhësit sovjetikë të Herzen-it e përqendruan me sukses vëmendjen ndërkombëtare në paligjshmërinë nën të cilën jetonin dhe informacioni që qarkullonin brenda dhe jashtë vendit u përball me sfidën e Solzhenicinit për të “jetuar jo me gënjeshtra”.
Megjithatë, iniciativat e tyre nuk çuan kurrë në “reaksionin zinxhir” të shpresuar në popullatën e përgjithshme.
Është e pamundur ta përfundosh këtë libër pa menduar për gjendjen në vitin 2026.
Regjimi aktual e sheh historinë ruse si një zinxhir që lidh Ivanin e Tmerrshëm, Nikollën I dhe Stalinin me Vladimir Putinin, si dhe pushtimet e viteve 1612, 1812 dhe 1941 me konfliktin me Ukrainën.
Ky riformulim i fundit nuk lë hapësirë narrative për figura të tilla si Radishçev-i, Decembristët, Herzen-i, liberalët para-revolucionarë, disidentët e epokës sovjetike, apo të ngjashëm me Anna Politkovskaia-n, Sergei Magnitski-n, Boris Nemtsov-in ose Aleksei Navalni-n.
Në paragrafin e fundit të librit të tij, Nathans-i ofron punën e tij si llojin e “të kaluarës së përdorshme” që rusët do të duhet ta studiojnë nëse “shteti i egër” aktual do të transformohet në një shoqëri politikisht pluraliste, të bazuar në rregulla.
Ndërkohë, do të vazhdojë të ngrihen dolli për një kauzë të ndershme dhe të pashpresë.

*Profesor Emerita, Universiteti i Roçesterit (NY, ShBA-ës).
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)


