top of page
E BARDHË SHIRIT.png

PUTINI DËSHIRON TË RIFILLOJË “LUFTËN E MADHE VERIORE” TË RUSISË.

Writer: Agjencia Telegrafike Vox
Agjencia Telegrafike Vox
Aug 3
4 min read

Nga z. Hugo Blewett-Mundy*.

Londër, Mbretëria e Bashkuar | Historia e kohëve të fundit e Luftës së Ftohtë sugjeron se pushtimi i Ukrainës nga Vladimir Putini është një lëvizje për të ringjallur Bashkimin Sovjetik.


Por qëllimet e vërteta ekspansioniste të Rusisë shtrihen shumë përtej ish-Bllokut Lindor.


Ekuilibri i fuqisë në Evropën veri-qendrore - zona që shtrihet nga gadishulli skandinav deri në malet Karpate të Polonisë jugore - historikisht ka shqetësuar interesat e Rusisë.


Deti Baltik ishte vendi ku Rusia e afirmoi veten si një fuqi evropiane pasi Pjetri I sfidoi me sukses hegjemoninë e Perandorisë Suedeze në Luftën e Madhe Veriore të viteve 1700-21.


Sot, Putini shpesh e krahason veten me paraardhësin e tij të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe flet hapur për nevojën për të përmbysur humbjen e të ashtuquajturave toka të lashta të rajonit të Detit Baltik nga ana e Rusisë.


Pjetri i Madh ia “ktheu” territorin Rusisë dhe “është gjithashtu fati ynë të kthejmë atë që i përket Rusisë dhe të forcojmë vendin”, sipas presidentit rus.


Fjalët e tij po përputhen gjithnjë e më shumë me veprimet e tij, pavarësisht humbjeve të rënda të forcave të tij në “operacionin ushtarak special” në Ukrainë që nga viti 2022.


Kufijtë veriorë të Evropës janë bërë gjithnjë e më të rëndësishëm për Rusinë gjatë dekadës së fundit - veçanërisht ndërsa shtresa e akullit të Arktikut vazhdon të shkrihet.


Rruga Detare Veriore - një korridor detar gjashtë mijë kilometra i gjatë që lidh Detin Barents me Ngushticën e Beringut - i mundëson Rusisë të eksportojë rezervat e saj të konsiderueshme të naftës dhe gazit në tregjet aziatike.


Ngarkesat përgjatë kësaj rruge tregtare u rritën ndjeshëm nga 4 milionë ton në vitin 2014 në 36 milionë ton në vitin 2023.


Rosatom - kompania shtetërore bërthamore ruse - po ndërton një numër reaktorësh të vegjël modularë që do të jenë gati për përdorim deri në vitin 2028.


Për të ruajtur lirinë e saj për të lundruar në ujërat e Arktikut, të cilat më parë ishin të paarritshme, Rusia nuk ka pasur frikë të lëshojë kërcënime ndaj NATO-s dhe zgjerimit të saj në veri, në Finlandë dhe Suedi.


Anije nga Flota Veriore e Rusisë, të cilat përfshijnë nëndetëse të armatosura me armë bërthamore, shihen shpesh përgjatë brigjeve të shteteve anëtare të NATO-s.


Por rreziku i një përballjeje të drejtpërdrejtë Lindje-Perëndim është rritur nga prishja e marrëveshjeve të arritura midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara që kufizojnë armët e tyre strategjike.


Në vitin 2002, presidenti i atëhershëm i ShBA-ës, Xhorxh (George) W. Bush, u tërhoq nga traktati i raketave antibalistike (ABM), i cili u lejonte amerikanëve të zhvillonin municione të sofistikuara me udhëzim preciz.


Putini u përgjigj duke i dhënë përparësi forcimit të kompleksit mbrojtës dhe ushtarak-industrial të Rusisë.


Shkalla e transformimit të arsenalit bërthamor rus që nga rënia e Bashkimit Sovjetik mund të shihet në testimin e raketës strategjike lundruese Burevestnik në fund të vitit të kaluar.


Shërbimet e inteligjencës së Norvegjisë konfirmuan se testi u zhvillua, gjë që demonstroi aftësitë e përmirësuara të Rusisë në fushën e fshehtësisë dhe shtytjes bërthamore.


Rëndësia e kufijve veriorë të Evropës në llogaritjet gjeostrategjike të Rusisë ka rizgjuar një aleancë rajonale baltike - jo shumë ndryshe nga koalicioni i fuqive që luftuan kundër ushtrive të Pjetrit të Madh tre shekuj më parë.


Kur Donald Tusk erdhi në detyrë në vitin 2023, Polonia e riorientoi fokusin e bashkëpunimit të saj të sigurisë larg Gjermanisë - partnerit të saj tradicional në Bashkimin Evropian - drejt fqinjëve të saj veriorë.


Në një përpjekje për të modernizuar dhe forcuar praninë e saj detare, Polonia po investon 2.3 miliardë euro në nëndetëset e Suedisë.


Ndryshimet në peizazhin e sigurisë në kontinentin evropian nënkuptojnë se bashkëpunimi në mbrojtje dhe siguri midis shteteve bregdetare të Detit Baltik duket se do të thellohet.


Nën drejtimin e Danlld Trampit (Donald Trump), ShBA-ës kanë sinjalizuar qëllimin e tyre për të zvogëluar forcat e tyre përgjatë krahut lindor të NATO-s.


Një prani e zvogëluar e ShBA-ës - e kombinuar me perspektivën e një marrëveshjeje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës - përbën një rrezik serioz për stabilitetin e Evropës veriore.


Nëse Rusia dhe Ukraina do të arrinin një zgjidhje, Moska do të ishte në një pozicion të favorshëm për të sfiduar mbizotërimin e NATO-s - veçanërisht në Detin Baltik.


Ministritë e mbrojtjes të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë kanë thënë se Rusia është e përgatitur të mobilizojë një ushtri prej 1.5 milion trupash dhe të dyfishojë numrin e trupave në kufijtë verilindorë të Evropës.


Franca dhe Mbretëria e Bashkuar - fuqitë e vetme evropiane të armatosura me armë bërthamore - po ecin përpara me planet për të formuar një “forcë sigurie” në Ukrainën e pasluftës.


Është jetike që ukrainasit të marrin garanci të besueshme sigurie që pengojnë një sulm tjetër rus.


Por një rivendosje e forcave të NATO-s vjen me një rrezik për sigurinë e shteteve baltike.


Një përqendrim i tillë i kapaciteteve do t'i linte kufijtë veriorë të NATO-s në mënyrë të rrezikshme të cenueshëm ndaj Rusisë.


Rusia po bëhet gjithnjë e më e sigurt se mund ta thyejë vendosmërinë perëndimore dhe të arrijë qëllimin e saj për të rivendosur një sferë ndikimi.


Ajo po arrin të kompensojë presionin e sanksioneve ndërkombëtare duke dyfishuar bashkëpunimin e saj me Kinën.


Në një fjalim para zyrtarëve të lartë të ministrisë së mbrojtjes në Moskë në dhjetor, Putini parashikoi se fuqitë evropiane nuk do të kenë zgjidhje tjetër veçse të bëjnë kompromise me Moskën për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.


Vetëbesimi i ekzagjeruar i Putinit mund të mos pasqyrojë realitetin e dështimit të tij strategjik në fushën e betejës.


Por mosmarrëveshjet brenda aleancës veri-atlantike po përgatisin terrenin që presidenti rus të sfidojë rendin e sigurisë së Evropës - veçanërisht në kufijtë veriorë të kontinentit - siç kanë bërë më parë paraardhësit e tij caristë.


*Master në Politikë Ruse dhe Post-Sovjetike nga Shkolla UCL e Studimeve Sllave dhe të Evropës Lindore.


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Recent Posts

See All

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating

LAJM RRUFE | BREAKING NEWS

Donate with PayPal
bottom of page