DHOMA KOMBËTARE E AVOKATISË DENONCOI ARRESTIMIN NË ELBASAN TË AVOKATIT ULIAN BARJAMI PAS DEBATIT ME PROKURORIN GJERGJI CEKA.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 1 hour ago
- 3 min read

Tiranë, Shqipëri | Dhoma Kombëtare e Avokatisë reagoi pas arrestimit të avokatit Ulian Barjami.
Ai u arrestua nga Policia e Elbasanit, me urdhër të Prokurorisë.
Dhoma Kombëtare e Avokatisë e denoncoi ngjarjen si një akt procedurial penal të rrezikshëm dhe shkelje të hapur të të drejtës së mbrojtjes.
Denoncim | Avokati kundërshton provat e falsifikuara në gjykim, Prokurori e arreston për kanosje!
Dhoma Kombëtare e Avokatisë së Shqipërisë dënon me forcë arrestimin e avokatit Ulian Barjami nga Policia e Elbasanit me Urdhër të Prokurorisë.
Nga sa Dhoma e Avokatisë ka marrë dijeni, rezulton se një përballje e armëve të barabarta në sallën e gjykimit, sipas ligjit, ka përfunduar në një abuzim të atributeve të prokurorit, duke mos pranuar debatin gjyqësor, por duke urdhëruar prangosjen e avokatit Ulian Barjami, anëtar i Dhomës së Avokatisë Tirnaë.
Qëndrimi i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë.
Kemi të bëjmë me arrestimin e avokatit për shkak të deklarimeve të tij në kuadrin e mbrojtjes në sallën e gjyqit, duke u trajtuar deklarata e tij - se do të bëjë kallëzim për falsifikim provash kundër prokurorit - si kanosje dhe kundërshtim i prokurorit.
Ngjarje kjo e paprecedentë, ku një avokati i hiqet liria për shkak të fjalës së lirë në sallën e gjykimit, ku ai shpreh mendimin për falsitetin e provës dhe përgjegjësinë që, sipas avokatit, duhet të mbajë autori i falsifikimit, që në këtë rast është prokurori.
Dhoma e Avokatisë u bën thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshillitt ë Lartë të Prokurorisë si dhe Prokurorisë së Përgjithshme të veprojnë urgjentisht për këtë rast flagrant arbitrariteti dhe shkeljeje të hapur të ligjit.
Kjo, pasi Dhoma, duke u bazuar në kuadrin ligjor dhe Kushtetutën e Shqipërisë, ende beson se jemi Republika e Shqipërisë - një shtet me drejtësi të bazuar në prova dhe fakte - dhe jo në një “Republikë të Prokurorëve”.
Kryetari i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë.
Prof. Dr. Maksim Haxhia.
Rrethanat e Faktit | Dje, më datë 17.10.2025, është zhvilluar seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit Maksim Suçi etj., seancë e zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, nga gjyqtarja Megi Strakosha, ku akuza përfaqësohej nga prokurori Gjergji Ceka.
Avokati mbrojtës i shtetasit Maksim Suçi, avokat Ulian Barjami, pasi konstatoi provën me video të parashtruar në seancë, ku klienti i tij nuk shfaqej aspak duke kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë, deklaroi se do të bëjë kallëzim për falsifikim provash ndaj prokurorit, pasi procesverbali me shkrim i sjellë nga prokurori në gjykim përshkruante një situatë ku klienti i avokatit Barjami kishte ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë.
Prokurori Ceka, i irrituar nga ky deklarim, replikoi me avokatin Barjami duke i thënë: “Ti duhet të arrestohesh, do të arrestohesh!”, dhe ndërkohë, i nervozuar, kthente kokën nga punonjësit e policisë prezentë në sallën e gjyqit.
Avokati Barjami replikoi duke deklaruar: “Do të bëj kallëzim, se ke shkelur ligjin”.
Për këto deklarime ndërhyri gjyqtarja Strakosha, e cila i sqaroi avokatit Barjami se duhet të shmangte këtë diskutim dhe të fokusohej në interpretimin e provës në atë moment, pa u marrë me atë se çfarë do të bënte në vijim.
Seanca vijoi e qetë dhe përfundoi normalisht, pa asnjë debat apo diskutim mes palëve.
Prokurori Ceka nuk e la me kaq dhe, me sa duket, ka paraqitur kallëzim ndaj avokatit, me qëllimin në vetvete për ta arrestuar, ashtu siç deklaroi në seancë.
Mbi bazën e këtij kallëzimi, avokati Barjami është thirrur sot, më datë 18.10.2025, në orët e paradites nga oficerë të Policisë Gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, duke i thënë në telefon fillimisht se duhej të jepte vetëm disa sqarime.
Pas shumë orësh i mbajtur në komisariat, në orët e pasdites, rreth 15:00 - 15:30, punonjësja e policisë Zmeralda Mehilli ndalon me iniciativë avokatin Barjami si të dyshuar për veprat penale:
“Kanosja për shkak të detyrës”,
“Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”, dhe
“Kanosja e gjyqtarit”, pasi, sipas saj, ka kërcënuar prokurorin e çështjes, Gjergji Ceka, dhe oficerët e policisë gjyqësore që kanë kryer veprime hetimore.
Procesverbali është shkruar dhe nënshkruar nga OPGj-ja Mehilli, sikur është kryer shumë kohë më pas, në orën 17:40, ndërkohë që ndalimi realisht është kryer në orën 15:00.

Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments