DEPARTAMENTI I DREJTËSISË I SHBA-ës DHE “REPORTERËT PA KUFIJ”: ENTI MEDIATIK “ZËRI I AMERIKËS” DO TË OPEROJË PËRSËRI DUKE FILLUAR NGA JAVA E ARDHSHME.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 6 hours ago
- 2 min read

Uashington, Amerikë | Enti mediatik “Zëri i Amerikës”, të cilin, administrata e presidentit amerikan Danlld Tramp (Donald Trump) filloi ta çmontojë në mesin e muajit mars, do të jetë në gjendje të rihapet javën e ardhshme, theksuan sot Departamenti i Drejtësisë dhe “Reporterët pa Kufij”.
“Avokatët e Reporterëve pa Kufij (RSF) me seli në ShBA-ës dhe koalicionit Zëri i Amerikës (VOA) mësuan këtë të shtunë, më 3 maj 2025, nëpërmjet email-it nga Departamenti i Drejtësisë se ekipet në këtë transmetues ikonik amerikan do të jenë në gjendje të rifillojnë punën e tyre në orët në vijim”, tha RSF në një deklaratë.
Në këtë mesazh drejtuar avokatëve të RSF-së, departamenti vuri në dukje se më herët sot, llogaritë e 1406 punonjësve dhe kontraktorëve të USAGM (red. i Agjencisë Amerikane për Median Globale) dhe “Zërit të Amerikës” u riaktivizuan.
Të gjithë punonjësit tani duhet të kenë qasje në sistem. USAGM pret që programi i Zërit të Amerikës të kthehet javën tjetër.
Dy punonjës të “Zërit të Amerikës” i thanë agjencisë së lajmeve “AFP” se llogaritë e tyre të email-it, të cilat, ishin bllokuar për javë të tëra, ishin rihapur, megjithëse ende nuk kishin marrë njoftim zyrtar se mund të ktheheshin në punë.
Në mesin e muajit mars, administrata e presidentit Tramp (Trump) la me pezullim stafin e “Zërit të Amerikës” (VOA), Radios Free Asia, Radios Free Europe dhe organizatave të tjera të financuara nga ShBA-ës, duke ngrirë papritur aktivitetet e mediave që shiheshin si kundërpesha demokratike në vende si Rusia dhe Kina.
Megjithatë, sistemi gjyqësor amerikan i kundërshtoi këto masa: në fund të muajit mars, një gjyqtar federal me seli në Jorkun e Ri ishte i pari që pezulloi vendimin për mbylljen e aktiviteteve të këtyre mediave publike, i ndjekur nga një gjyqtar federal në Uashington në muajin prill.
“Zëri i Amerikës”, i krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, Radio Evropa e Lirë, e formuar gjatë Luftës së Ftohtë, dhe Radio Azia e Lirë, e krijuar në vitin 1996, synojnë të përhapin “Zërin e Amerikës” në të gjithë botën, veçanërisht në vendet me regjime autoritare.
Në mesin e muajit mars, presidenti Tramp (Trump) nënshkroi një urdhër ekzekutiv që e karakterizonte agjencinë qeveritare USAGM, e cila, punësonte 3384 punonjës në vitin 2023, si një element të padobishëm të burokracisë federale.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments