DEMOKRATIZIMI I SERBISË MBETET NJË PROCES KOMPLEKS DHE SHUMËDIMENSIONAL I CILI PËRBALLET ME SFIDA TË MËDHA TË BRENDSHME.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Sep 15
- 2 min read

Nga z. Shaip Kamberi*.
*Deputet në Kuvendin Popullor të Republikës së Serbisë nga lista “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”.
Lugina e Preshevës, Serbi | Duke ndjekur idenë e mitit të Kosovës dhe ëndërrën për perandorinë mesjetare, Serbia merr pjesë në bisedime me Kosovën por me obstruksione të vazhdueshme kundër subjektivitetit ndërkombëtar të saj dhe në vazhdimësi minon marrëveshjet e arritura.
Demokratizimi i Serbisë mbetet një proces kompleks dhe shumëdimensional, i cili përballet me sfida të mëdha të brendshme.
Ato burojnë nga trashëgimia historike, dobësia e institucioneve, kultura politike autoritare dhe diskurset e forta etnonacionaliste.
Autoritarizmi i viteve ’90 ka lënë gjurmë të thella në politikën serbe, ndërsa dobësia e institucioneve shihet sidomos në një gjyqësor të politizuar, që rrënon sundimin e ligjit.
Sistemi politik dominohet nga një parti dhe një lider i vetëm, derisa opozita mbetet e dobët dhe e fragmentuar e dare së paku në dy pjesë “proevropiane” dhe ajo që paraqitet më radikale se vet SNS.
Ky koncentrim i pushtetit ushqen fenomenin e “autoritarizmit zgjedhor”, ku zgjedhjet, radhazi, formalisht po mbahen, por pa konkurrencë reale e me qasje të pabarabartë në media.
Manipulimi me votën nga ana e regjimit është evident dhe për këtë ekzistojnë edhe raporte ndëkombëtare.
Liria e ngushtuar e medias nga presionet politike e ekonomike, është duke cenuar të drejtën e qytetarëve për informim objektiv.
Në të njëjtën kohë, glorifikimi i kriminelëve të luftës, mohimi i krimeve dhe revizionizmi historik ushqejnë nacionalizmin ekstrem.
Refuzimi i pranimit të gjenocidit dhe mohimi i Rezolutës 78/282 të OKB-së për Srebrenicën janë dëshmi e kësaj qasjeje.
Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit në Serbi, vëren se largimi i “radikalëve me petkun modern” nuk garanton ndryshim thelbësor.
“Katër dekada nacionalizëm dhe populizëm kanë lënë pasoja të rënda”, ndërsa vizioni për një Serbi evropiane “mbetet i paqartë, pavarësisht se qytetarët ikin masivisht drejt BE-së” thotë Biserko.
Një element kyç i kulturës politike serbe mbetet “Miti i Kosovës”, i cili, sipas historianit Miodrag Popoviq, ka zënë një “vend qendror në jetën shpirtërore të inteligjencës serbe qysh në shekullin XIX” dhe vazhdon të ushqejë “ambiciet nacionaliste e perandorake edhe në ditët e sotme”.
Duke ndjekur idenë e mitit të Kosovës dhe ëndërrën për perandorinë mesjetare, Serbia merr pjesë formalisht në dialogun me Kosovën, por me obstruksione të vazhdueshme dhe kampanja kundër subjektivitetit ndërkombëtar të saj, duke minuar marrëveshjet e arritura.
Prandaj, demokratizimi i Serbisë nuk mund të reduktohet vetëm në ndryshim garniturash udhëheqëse, vetëm në reforma teknike apo institucionale.
Ai kërkon një transformim të thellë shoqërorë, në radhë të parë ballafaqim me të kaluarën, pajtim me fqinjët dhe heqje dorë nga politika hegjemoniste, ndryshim të kulturës politike dhe ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, ku edhe pakicat do të ndiheshin qytetarë të barabartë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































Comments