BRITANIA I FUTI EMIGRANTËT NË “VARKËN E PROFETIT NOE” | NË DET GJERISA T’U KËTHEHET PËRGJIGJE.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Aug 8, 2023
- 2 min read
Platforma lundruese ku do të akomodohen emigrantët.

Londër, Britani e Madhe | Grupi i parë i emigrantëve është transferuar në “Bibby Stockholm”, një mega platformë lundruese, e ankoruar në Kanalin anglez, ku emigrantët do të duhet të presin vendimin për kërkesën e tyre për azil.
Disa burime të ekzekutivit britanik të udhëhequr nga Rishi Sunak, kanë raportuar se deri në fund të javës, do të akomodohen deri në 500 persona në platformë (varkë), e ndërtuar me tre kate, për gjithsej 222 akomodime.
“Atyre që mbërrijnë në vend me mjete të paautorizuara do t'u sigurohet strehim bazë, adekuat, por nuk mund të presin të qëndrojnë në një hotel me katër yje”, tha nënsekretarja e Brendshme Sarah Dines.
Nënsekretarja shtoi se qeveria po shqyrtonte të gjitha mundësitë, duke përfshirë atë të transferimit të emigrantëve në Ishullin Ascension në Atlantikun e Jugut.
Organizatat humanitare e kundërshtojnë planin dhe i kanë përshkruar kushtet në bord si çnjerëzore.
Sindikata e zjarrfikësve ka shprehur gjithashtu shqetësime për sigurinë, veçanërisht në rast të mbipopullimit, për shkak të rrugëve të kufizuara të shpëtimit.
Organizata e mbrojtjes së të drejtave të njeriut Amnesty International ka kritikuar ashpër veprimet e qeverisë britanike, duke e quajtur mega varkën një turp, dhe një lloj burgu të epokës viktoriane.
Ajo e konsideroi të turpshme që përdoret për njerëzit që po ikin nga terrorizmi, konflikti dhe persekutimi politik dhe kriminal.
Shoqata Care4Calais arriti të parandalojë transferimin në varkë të 20 personave, duke përfshirë njerëz me aftësi të kufizuara, njerëz që i mbijetuan torturës, skllavërisë moderne, dhe që kanë pasur përvoja traumatike në det.
“Akomodimi i çdo qenieje njerëzore – deklaroi presidenti i shoqatës Steve Smith – në një kuazi-burg lundrues është çnjerëzor. Përpjekja për t'ua bërë këtë këtyre njerëzve është tepër mizore.”
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

___.png)












Comments