BASHKIMI EVROPIAN PO PËRGATIT NJË PLAN PËR INTEGRIMIN E SHPEJTË POR TË KUFIZUAR TË UKRAINËS (BRENDA TIJ).
- Agjencia Telegrafike Vox

- Jan 16
- 3 min read

Bruksel, Mbretëria e Belgjikës | Një recetë për pranimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, e cila, do të ndodhte menjëherë, por pa të drejtat e plota të një shteti anëtar, po përpunohet në Bruksel.
Zyrtarët evropianë i thanë agjencisë kanadeze të lajmeve Rojtërs (Reuters) se Komisioni Evropian po shqyrton mënyrat për t'i lejuar Ukrainës të bashkohet shpejt me Bashkimin Evropian, si pjesë e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë, por pa i dhënë asaj të drejta të plota anëtarësimi.
Ideja, e cila, është në fazat e saj të hershme, synon të sigurojë ukrainasit, të cilët kërkojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian si një garanci sigurie në epokën e pasluftës.
Ukrainasit duan një premtim të qartë se janë në rrugën e stabilitetit ekonomik dhe integrimit me Perëndimin.
Pranimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian në vitin 2027 ishte përfshirë në planin e paqes prej 20 pikash të diskutuar midis Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe Bashkimit Evropian, sipas diplomatëve që folën me agjencinë kanadeze të lajmeve Rojtërs (Reuters) në kushte anonimiteti.
Megjithatë, shumë qeveri të Bashkimit Evropian besojnë se kjo datë, ose çdo datë tjetër, është krejtësisht jorealiste, pasi anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një proces i gjatë.
Procesi i anëtarësimit kërkon që një vend të bëjë përparim dhe të përshtasë gradualisht legjislacionin e tij me standardet e Bashkimin Evropian.
Polonisë iu deshën 10 vjet për të përfunduar negociatat me Brukselin dhe për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian në vitin 2004 së bashku me 9 vende të tjera.
Për më tepër, anëtarësimi në Bashkim kërkon dritën jeshile nga parlamentet e 27 shteteve anëtare të BE-së.
Megjithatë, ideja e propozuar nga zyrtarët e BE-së do të përmbyste procesin tradicional të anëtarësimit.
Sigurisht, edhe anëtarësimi i kufizuar i Ukrainës do të kërkonte pëlqimin e qeverive të BE-së dhe parlamenteve kombëtare.
“Duhet ta pranojmë se jemi në një realitet shumë të ndryshëm nga ai kur u hartuan për herë të parë rregullat e anëtarësimit”, tha një zyrtar i BE-së.
“Ukraina - dhe ndoshta edhe vende të tjera kandidate - do t'i bashkohen BE-së shpejt dhe më pas do të fitojnë qasje graduale në të drejtën e votës, varësisht nga progresi i tyre në përmbushjen e kritereve për anëtarësim të plotë”, tha zyrtari.
Disa në Komisionin Evropian argumentojnë se, politikisht, Ukraina nuk ka shumë kohë, sepse një marrëveshje paqeje midis Kievit dhe Moskës mund të sjellë humbje të territorit ukrainas që do të ishte e vështirë për ukrainasit ta pranonin në një referendum të mundshëm.
“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian, edhe nëse i kufizuar, mund ta bëjë këtë perspektivë më të pranueshme për ukrainasit dhe të krijojë stabilitetin e nevojshëm për të përfunduar reformat e nevojshme që Ukraina të fitojë të drejta të plota në Bashkimin Evropian”, thanë zyrtarët.
“Është në interesin e Evropës që Ukraina t’i bashkohet BE-së për arsye sigurie”, tha një diplomat i BE-së.
Kjo është arsyeja pse duhet të kërkojmë zgjidhje krijuese - si ta integrojmë shpejt Ukrainën në Bashkimin Evropian.
Koncepti i kundërt i integrimit pasqyron këtë ide - që Ukraina të bashkohet politikisht me Bashkimin Evropian dhe më pas të fitojë të drejta të plota dhe anëtarësim të plotë pasi të përmbushen të gjitha kushtet.
Megjithatë, zyrtarët tani po propozojnë një model që do të përfshinte kufizime më të gjera.
Ata pranuan se kjo do të ngrinte një numër pyetjesh përtej Ukrainës dhe do të kishte vështirësi në fitimin e mbështetjes së nevojshme unanime.
“Do të jetë e vështirë për t’u pranuar”, tha një zyrtar i dytë i BE-së.
Kjo gjithashtu ka një ndikim te vendet që kanë ndjekur mënyrën e vjetër tradicionale dhe janë afër anëtarësimit pasi kanë bërë të gjitha përgatitjet, si Mali i Zi ose Shqipëria.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)











Comments