ALGJERI | 5 MILIONË PEMË TË MBJELLA BRENDA NJË DITE; MBARË POPULLI MORI PJESË.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Feb 14
- 3 min read
Updated: Feb 22

Algjer, Algjeri | Algjeria nisi një iniciativë të paprecedentë të gjelbër për të mbjellë pesë milionë pemë në një ditë të vetme, më e madhja ndonjëherë në historinë e vendit të Afrikës së Veriut.
Qëllimi ishte të forcohej mbulesa bimore, e cila, është dëmtuar rëndë vitet e fundit nga thatësira e jashtëzakonshme dhe zjarret që kanë shkatërruar dhjetëra mijëra hektarë.
Fushata, e përshkruar si “Një sfidë e gjelbër”, u lançua nga Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me shoqatën ambientaliste “El Djazair El Khadra” (Algjeria e Gjelbër) dhe tërhoqi pjesëmarrje të gjerë nga qytetarë, institucione, kompani publike dhe private, forcat e armatosura, mbrojtja civile, policia, xhandarmëria, studentët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Eventi, i mbajtur në kushte të vështira moti në disa zona, me shi, erë, të ftohtë të fortë dhe madje edhe borë, u transformua në një moment bshkimi kombëtar dhe mjedisor, me entuziazëm të ndarë në mediat sociale përmes pamjeve dhe videove të pjesëmarrësve në punë.
Vendet e ripyllëzimit, të ngritura në të 69 provincat e vendit, përfshirë ato të Saharasë, panë mbjelljen e 5.3 milion fidanëve, të përzgjedhur bazuar në klimën dhe tokën lokale.
71% pemë pyjore, 26% pemë frutore dhe 3% specie zbukuruese.
Ndër speciet e mbjella ishin pemë argani, karobi dhe ulliri, të zgjedhura për vlerën e tyre mjedisore dhe ekonomike, me ujitje të planifikuar dhe mbrojtje nga kullotja e pakontrolluar.
Fushata vjen pas suksesit të iniciativave të mëparshme, të tilla si ajo e 25 tetorit, gjatë së cilës u mbjellën një milion pemë në një ditë të vetme.
Në të njëjtin kontekst, dhe në përputhje me përpjekjet e kompanisë për të ulur emetimet e karbonit nga fushat e saj të naftës dhe gazit, “Sonatrach”, gjiganti shtetëror i energjisë i Algjerisë, njoftoi vitin e kaluar një mega-projekt për të mbjellë mbi 400 milionë pemë në disa rajone të vendit.
Për më tepër, qeveria algjeriane njoftoi disa muaj më parë riaktivizimin e projektit “Muri i Madh i Gjelbër”, i iniciuar në vitet 1970 nga udhëheqësi historik i Algjerisë, ish-Presidenti Huari Bumedien (Houari Boumédiène).
Ky korridor pyjor 1500 kilometra i gjatë dhe afërsisht 40 kilometra i gjerë shtrihet nga kufiri tunizian në lindje deri në Marok në perëndim, i projektuar për të ndaluar përparimin e rërave të Saharasë dhe për të ruajtur biodiversitetin.
Autoritetet theksojnë këtë herë se projekti merr parasysh natyrën dhe klimën e secilit rajon, duke përfshirë mbjelljen e pemëve frutore në shumë zona, duke kombinuar kështu objektivat mjedisore dhe ekonomike të iniciativës dhe duke forcuar rezistencën e rajonit ndaj thatësirës, shkretëtirëzimit dhe zjarreve pyjore.
Algjeria, një vend mesdhetar, është më i madhi në Afrikë dhe i dhjeti më i madhi në botë, me një sipërfaqe prej mbi 2.38 milion kilometra katrorë; mbi 80% e së cilës është shkretëtirë ose tokë e thatë.
Pyjet mbulojnë një sipërfaqe totale të vlerësuar prej 4.15 milion hektarësh, sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Pyjeve të Algjerisë, dhe përfaqësojnë vetëm rreth 3% të vendit.
Në vitet e fundit, përveç thatësirës dhe reduktimit progresiv të mbulesës pyjore, Algjeria është përballur edhe me zjarre shkatërruese pyjore që kanë shkatërruar qindra mijëra hektarë pyje, shkurre mesdhetare dhe hapësira të gjelbra.duke lënë plagë të thella në ekosistemin e vendit.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)











Comments