ALGJERIA MIRATOI NJË LIGJ QË E SHPALL KRIM KOLONIZIMIN FRANCEZ NGA VITI 1830 DERI NË VITIN 1962.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 4 hours ago
- 3 min read

Algjer, Algjeri | Parlamenti i Algjerisë miratoi të mërkurën unanimisht një projektligj që kriminalizon kolonizimin francez të Algjerisë nga viti 1830 deri në vitin 1962 dhe bën thirrje për kërkim falje dhe dëmshpërblime, një veprim që Franca e dënoi si armiqësor.
Sipas agjencisë franceze të lajmeve “Agence France-Presse” (AFP), ligjvënësit qëndruan në sallë të veshur me shami me ngjyrat e flamurit kombëtar dhe brohoritën “Rroftë Algjeria” ndërsa duartrokitën miratimin e projektligjit, i cili, thotë se Franca mban përgjegjësi ligjore për të kaluarën e saj koloniale në Algjeri dhe tragjeditë që ajo shkaktoi.
Ligji përfshin pesë kapituj dhe 27 nene dhe synon të vendosë llogaridhënien dhe të sigurojë njohjen dhe një kërkimfalje për krimet e epokës koloniale si bazë për pajtimin me historinë dhe për ruajtjen e kujtesës kombëtare.
Sundimi i Francës mbi Algjerinë nga viti 1830 deri në vitin 1962 mbetet një pikë e dhimbshme në marrëdhëniet midis dy vendeve.
Periudha u shënua nga vrasje masive dhe deportime në shkallë të gjerë, dhe përfundoi me luftën e përgjakshme të pavarësisë nga viti 1954 deri në vitin 1962.
Algjeria thotë se lufta vrau 1.5 milion njerëz, ndërsa historianët francezë e ulin numrin e të vdekurve.
Agjencia franceze e lajmeve “Afp” citoi vlerësime prej 500 mijë në total, 400 mijë prej të cilëve algjerianë.
Procedurat filluan të shtunën e kaluar me një seancë plenare kushtuar debatit mbi legjislacionin e propozuar.
Kryetari i parlamentit Brahim Bughali (Boughali) i tha agjencisë shtetërore të lajmeve “Afp” para votimit se kjo do të dërgonte një mesazh të qartë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, se kujtesa kombëtare e Algjerisë nuk është as e fshirë dhe as e negociueshme.
Legjislacioni liston krimet e kolonizimit francez, duke përfshirë testet bërthamore, vrasjet jashtëgjyqësore, torturën fizike dhe psikologjike dhe plaçkitjen sistematike të burimeve.
Aty thuhet se kompensimi i plotë dhe i drejtë për të gjitha dëmet materiale dhe morale të shkaktuara nga kolonizimi francez është një e drejtë e patjetërsueshme e shtetit dhe popullit algjerian.
Ligjvënësit gjithashtu votuan unanimisht për të miratuar ndryshimet dhe përmirësimet në disa nene, duke përfshirë propozimet e ngritura gjatë diskutimeve mbi draftin, veçanërisht nenet 05, 18 dhe 19, si në përmbajtje ashtu edhe në formulimin e tyre ligjor.
Komiteti i Mbrojtjes i parlamentit tha se amendamentet e përfshira në raportin plotësues mbi projektligjin, një kopje të të cilit e siguroi enti emdiatik “Al Jazeera Net”, synojnë të forcojnë cilësinë legjislative dhe të vendosin fuqimisht llogaridhënien në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare.
Sipas raportit, komiteti mbështeti ndryshimin e Nenit 05 për të përfshirë agresionin kundër shtetit algjerian, duke e përshkruar atë si një krim të madh kundër shtetit.
Gjithashtu tha se Neni 18 u rishikua duke zëvendësuar termin burgim i përkohshëm vetëm me burgim, për të siguruar qëndrueshmëri në tekstin ligjor dhe për të reflektuar terminologjinë e miratuar.
Ligjvënësit votuan më tej për të ndryshuar Nenin 19 për të kriminalizuar çdo deklaratë ose akt që synon të lavdërojë bashkëpunëtorët kolonialë ose të justifikojë veprimet e tyre, për të mbrojtur kujtesën kombëtare dhe për të parandaluar mohimin e luftës së popullit algjerian nën çdo pretekst.
Një zëdhënës i ministrisë së jashtme franceze e dënoi miratimin e ligjit si kundërproduktiv ndaj dëshirës për të rifilluar dialogun franko-algjerian dhe për të qetësuar diskutimet mbi çështjet historike.
Zyrtari tha se Parisi nuk merrej me komentimin e politikës së brendshme algjeriane, por vuri në dukje punën e ndërmarrë nga Presidenti Emanuel Makron për të krijuar një komision historianësh për të studiuar periudhën e sundimit kolonial.
Presidenti Makron e ka pranuar më parë kolonizimin e Algjerisë si një krim kundër njerëzimit, por nuk ka ofruar falje.
I pyetur javën e kaluar në lidhje me votimin, zëdhënësi i ministrisë së jashtme franceze, Paskal Konfavro (Pascal Confavreux), tha se nuk do të komentonte mbi debatet politike që zhvillohen në vendet e huaja.
Z. Hosni Kituni (Kitouni), një studiues i historisë koloniale në Universitetin e Exeter në Mbretërinë e Bashkuar, tha se ligjërisht, ky ligj nuk ka fushëveprim ndërkombëtar dhe për këtë arsye nuk është i detyrueshëm për Francën.
Por, rëndësia e tij politike dhe simbolike është e rëndësishme; shënon një ndërprerje në marrëdhënien me Francën për sa i përket kujtesës.
Votimi vjen në një kohë kur Algjeria dhe Franca janë të përfshira në një krizë të madhe diplomatike.
Një analist i tha agjencisë franceze të lajmeve “Afp” se ndërsa ky veprim është kryesisht simbolik, ai është ende politikisht i rëndësishëm.
Tensionet u përshkallëzuan pasi Franca mbështeti zyrtarisht sovranitetin maroken mbi rajonin e kontestuar të Saharasë Perëndimore, ku Algjeria mbështet Frontin Polisario pro-pavarësisë.
Disa ngjarje kanë përkeqësuar tensionet që atëherë, përfshirë dënimin dhe burgosjen e shkrimtarit franko-algjerian Bualem (Boualem) Sansal, i cili, në fund u fal pas ndërhyrjes gjermane.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)






































Comments