90% E TURQVE DALIN NË VOTIME | OPOZITA TURKE AKUZON AGJENCINË “ANADOLU” PËR ÇENSURË.
- Agjencia Telegrafike Vox

- May 15, 2023
- 3 min read

Ankara, Turqi | Sipas numërimit zyrtar, presidenti Erdogan është përpara, por në mbrëmje, me më shumë se 90% të votave të numëruara, ai ra nën 50% të votave të nevojshme për t'u zgjedhur në raundin e parë. Megjithatë, sfiduesi Qemal Kiliçdaroglu (Kemal Kilicdaroglu), me 44.4%, denoncoi në rrjetin shoqëror Tuitër: “Ne kemi avantazhin – shkroi ai – Nuk do të flemë sonte o populli im”. Në fakt, hendeku mes të dyve është ulur gradualisht me kalimin e orëve. Të dhënat e para pas sondazheve të mbyllura treguan se z. Erdogan ka mbi 58% të preferencave, por akuza e opozitës është se votat e bastioneve tradicionale të presidentit janë numëruar dhe transmetuar të parat. Z. Sinan Ogan, kandidati i një koalicioni të partive të vogla të ekstremit të djathtë, megjithatë u zbrit në pak më shumë se 5% të votive, pas një fushate elektorale të bazuar tërësisht në sulmin e emigrantëve sirianë që mbërritën në Turqi pas fillimit të konfliktit civil, të cilët janë afërsisht 4 milionë frymë. Z. Kiliçdaroglu, kreu i partisë laike të qendrës së majtë “CHP”, triumfoi në pjesën më të madhe të shumicës kurde në juglindje të vendit, por z. Erdogan e konfirmoi veten në fshatra dhe në bastionet e tij qendrore. Pavarësisht disavantazhit, opozita ka pretenduar vazhdimisht se është në krye, duke shprehur kritika të rënda për agjencinë e lajmeve “Anadolu”, e cila tashmë ka përfunduar në qendër të skandaleve, dhe është akuzuar disa herë për moszbulim të të dhënave, kur ato ishin të pafavorshme për z. Erdogan. Sipas agjencisë së pavarur të lajmeve “Anka”, pranë opozitës, shifrat do të ishin të ndryshme, me z. Kiliçdaroglu përpara. Vetëm gjatë natës do të sqarohet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve më të rëndësishme të karrierës së z. Erdogan, dhe për Turqinë në përgjithësi, por presidenti në detyrë tashmë mund të shikojë me siguri një rezultat të mirë në nivel parlamentar, ku koalicioni i tij tani për tani është i pari me më shumë 50% të votave, shifër kjo që do t'i lejonte të kishte shumicën në parlament. Nëse kjo konfirmohet, fitorja e koalicionit të z. Erdogan do të jetë e destinuar të rëndojë rëndë në javët e ardhshme, në rast të balotazhit më 28 maj. Megjithatë, i vetmi fakt i sigurt është se turqit dolën masivisht për të votuar me një pjesëmarrje që ishte afër 90% e atyre që kishin të drejtë vote. Sipas Këshillit të Lartë Zgjedhor të Ankarasë, operacionet e votimit u zhvilluan pa parregullsi. Radhë shumë të gjata u panë në qendrat e votimit në të gjitha qytetet, midis mbështetësve të z. Erdogan të bindur për rinovimin e besimit te ai, dhe kundërshtarëve për të cilët votimi i sotëm përfaqësonte një "çështje jete a vdekjeje". Sipas tyre, një konfirmim nga z. Erdogan do t'i jepte fund përgjithmonë pavarësisë së gjyqësorit, do t'i jepte një goditje vdekjeprurëse të drejtave të njeriut dhe do ta çonte Turqinë në buzë të humnerës nga pikëpamja ekonomike. “Shpresoj se sonte do të ketë përfitime për demokracinë turke”, tha presidenti pas votimit në lagjen Uskudar, në anën aziatike të Stambollit. Pas daljes në qendrën e votimit, ku u paraqit me gruan e tij znj. Emine duke shpërndarë para për fëmijët, presidenti turk u nis për në Ankara për të ndjekur numërimin. "Të gjithëve na ka munguar demokracia. Na ka munguar të jemi bashkë, na ka munguar të përqafojmë njëri-tjetrin. Do ta shihni, pranvera do të kthehet në këtë vend nëse do Zoti dhe do të zgjasë përgjithmonë", ishin fjalët e z. Kiliçdaroglu që votoi në kryeqytet, ku të shtunën ai shkoi për të bërë homazhe në mauzoleun e babait të Republikës laike të Turqisë, z. Mustafa Qemal Ataturk, për të mbyllur fushatën electoral. Ndërsa z. Erdogan kreu lutje në Kishën e Shën Sofisë, të cilën në vitin 2021, ai vendosi ta shndërronte në xhami, siç ndodhi në kohën e pushtimit të Kostandinopojës nga osmanët.

___.png)












Comments