6 MËNYRA QË MUND TË PËRDOREN NGA IRANI PËR T’U HAKMARRË PAS SULMEVE IZRAELITE?
- Agjencia Telegrafike Vox
- 18 hours ago
- 6 min read

Nga z. Seth J. Frantzman.
Jeruzalem, Izrael | Më 13 qershor, Irani ka pësuar goditje nga sulmet izraelite.
Për Republikën Islamike, goditja e parë paraqet një poshtërim publik që tregon se është e cenueshme ndaj këtyre sulmeve.
Pas viteve të tëra duke u mburrur dhe duke folur për mbrojtjen ajrore dhe kapacitetet ushtarake, regjimi iranian është treguar i paaftë për të mbrojtur hapësirën ajrore të Iranit.
Gjithashtu, nuk ka qenë në gjendje të mbrojë figurat e rëndësishme në Teheran, pasi fotot në rrjetet sociale tregojnë se disa ndërtesa janë goditur.
Programi bërthamor i Iranit është i shpërndarë nëpër shumë lokacione të vendit, por, regjimi tani duhet të shqetësohet edhe për mbrojtjen e këtyre objekteve.
Teksa Irani mendon për opsionet e veta, do të duhet të peshojë me kujdes mënyrën e reagimit.
Ai ka shumë mundësi dhe shpesh ka kërcënuar se reagimi mund të përfshijë objektivat e ShBA-ës apo interesat e tjera në rajon.
Sekretari i Shtetit, Marko (Marco) Rubio, ka deklaruar se Amerika nuk është e përfshirë. Irani mund ta pranojë këtë deklaratë si të vërtetë, por gjithashtu mund të vendosë të sulmojë ashpër.
Këtu është një listë e disa mënyrave se si Irani mund të reagojë:
1- Sulme nga përfaqësuesit (proxy).
Irani ka shumë përfaqësues në rajon.
Te ata përfshihet lëvizja Huthi në Jemen dhe milicitë në Irak.
Përfaqësues të tjerë të Iranit janë Hezbollahu dhe grupet palestineze si Xhihadi Islamik.
Këto grupe janë dobësuar për shkak të luftës që nisën më 7 tetor. Hezbollahu është shumë më i dobët se më parë.
Megjithatë, edhe pse janë dobësuar, përfaqësuesit iranianë vazhdojnë të përbëjnë kërcënim.
Milicitë irakiane kanë në dispozicion dronë sulmues me rreze të gjatë veprimi.
Po ashtu, raportohet se gjatë shtatë viteve të fundit kanë marrë raketa balistike nga Irani. Kjo do të thotë se mund të kryejnë sulme kundër Izraelit, siç kanë bërë në të kaluarën. Huthët gjithashtu kanë raketa balistike, raketa lundruese dhe dronë.
Përfaqësuesit mund të mobilizohen gjithashtu për të sulmuar ata të cilët Irani i percepton si aleatë të Izraelit.
Mund të sulmojnë forcat amerikane ose Qeverinë Rajonale të Kurdistanit në Irak.
Këta përfaqësues zgjerojnë mundësitë e Iranit në të gjithë rajonin. Gjithashtu, i japin Teheranit qasje në rrjetet jashtë vendit.
Hezbollahu, për shembull, ka rrjete që shtrihen deri në Amerikën e Jugut dhe Afrikën Perëndimore.
2- Raketat balistike dhe dronët.
Irani ka përdorur raketa balistike dhe dronë në sulmet kundër Izraelit. Ai ka përdorur qindra të tillë gjatë sulmeve të vitit 2024.
Këto raketa kanë aftësinë të arrijnë deri në Izrael dhe janë bërë më të sakta me kalimin e viteve. Teherani ka synuar të zgjerojë rrezen dhe kapacitetet e këtyre raketave.
Irani gjithashtu ka përmirësuar aftësitë e dronëve me rreze të gjatë veprimi. Këta dronë “kamikazë” mbajnë një ngarkesë shpërthyese dhe mund të programohen paraprakisht për të ndjekur një trajektore të gjatë fluturimi.
Po ashtu, janë relativisht të saktë. Irani ka eksportuar dronët Shahed 136 në Rusi për të sulmuar Ukrainën.
Kjo gjithashtu i ka mundësuar Iranit të bashkëpunojë me vendet e huaja për përmirësimin e dronëve.
Teherani ka një sasi të madhe raketash të tipave të ndryshëm, me karburant të ngurtë dhe të lëngshëm.
Disa prej tyre mund të dislokohen shpejt, ndërsa të tjerat kërkojnë kohë. Ato mund të përdoren edhe në mënyrë të fshehtë, duke i vendosur në kontejnerë transporti ose me metoda të tjera për t’i maskuar para përdorimit.
Irani mund t’i zhvendosë këto sisteme në Irak, duke përdorur përfaqësuesit që ka, për të goditur Izraelin.
Irani është shkëputur nga Siria për shkak të regjimit tashmë të përmbysur të Assadit, gjë që e pengon atë të zhvendosë raketat në kufirin verilindor të Izraelit.
3- Kërcënimet detare dhe “asimetrike” të Iranit.
Irani ka një marinë konvencionale si dhe një forcë detare të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
Marina e IRGC-së përbëhet nga anije të vogla dhe skafe të shpejta që nuk kanë rreze të gjatë veprimi.
Në disa raste, ato mund të dislokohen nga një anije më e madhe që operon më larg. Marina konvencionale e Iranit ka disa anije, por në përgjithësi nuk janë shumë të mëdha.
Republika Islamike ka ushtruar vendosjen e dronëve, raketave dhe sistemeve të tjera në anijet e veta.
Gjithashtu, në të kaluarën ka përdorur anije për të kryer sulme ndaj anijeve tregtare, si vendosja e minave detare ose përdorimi i dronëve për të goditur anijet komerciale.
Vendi mund të vendosë të përdorë marinën për të sulmuar anijet në Gjirin Persik ose në Gjirin e Omanit dhe mund të përdorë dronët për sulmet e tilla.
Gjithashtu, mund të inkurajojë Lëvizjen Huthi në Jemen për të kryer sulme të ngjashme. Hutët dhe Irani e kanë bërë këtë më parë.
Fakti që një pjesë e madhe e tregtisë globale kalon pranë Gjirit dhe që tregtia e naftës dhe energjisë ndodhet pranë Iranit, kjo i jep Teheranit shumë objektiva të butë për të goditur.
Ai mund të synojë anijet që pretendon se janë të lidhura me Izraelin ose të shkaktojë një krizë detare për të nxitur presionin ndërkombëtar ndaj shtetit hebraik.
Irani ka gjithashtu forma të tjera të asaj që mund të quhet kërcënim “asimetrik”.
Kjo përfshin përdorimin e grupeve terroriste ose përdorimin e anijeve tregtare për të dislokuar dronët iranianë, raketat apo forcat speciale.
Ai ka zhvilluar një luftë të fshehtë kundër Izraelit për shumë vjet dhe ka partnerë e aleatë nga Bejruti në Liban e deri në Sana të Jemenit - një hark rajonal që shtrihet në mijëra kilometra.
4- Komplotet terroriste jashtë vendit
Irani mund të përpiqet gjithashtu të hakmerret përmes komploteve në vendet e tjera. Në të kaluarën, ai ka synuar Izraelin ose shtetasit izraelitë në shumë vende të botës. Kjo ka përfshirë komplotet në Turqi, Greqi dhe Qipro, si edhe në Amerikën e Jugut, Evropë dhe vendet e tjera në Azi.
Irani ka dekada të tërë përvojë në kryerjen e operacioneve terroriste jashtë vendit. Kjo përfshin edhe vrasjen e disidentëve në Evropë dhe bashkëpunimin me Hezbollahun, në mbarë botën, për të përhapur terrorin.
Teherani vazhdon të ketë qasje në rrjete të terroristëve në të gjithë botën. Hezbollahu gjithashtu i ka këto rrjete.
Megjithëse Irani ka humbur pjesërisht ndikimin në Lindjen e Mesme, ai vazhdon të gëzojë mbështetjen dhe qasjen në rrjete të shumë vendeve.
Kjo përfshin Irakun ku ka grupe, si Kataib Hezbollah, të cilët kanë sulmuar bazat amerikane atje dhe në rajonin e Kurdistanit.
5- Ushtria konvencionale e Iranit.
Irani ka ushtri, forcë ajrore dhe marinë. Megjithatë, në përgjithësi, ushtrinë konvencionale e ka lënë pa shumë burime.
Kjo do të thotë se nuk ka një forcë të madhe ajrore apo detare. Irani ka qenë gjithashtu nën sanksione, ndaj nuk ka mundur të blejë aeroplanë luftarakë apo anije moderne, dhe ka zgjedhur të investojë më shumë në raketa, dronë dhe aftësi të tjera ushtarake.
Ushtria e Iranit nuk ka gjasa të përdoret për të reaguar, për shkak të distancës së madhe që e ndan nga Izraeli.
Aftësitë e Izraelit për të zbuluar çdo lëvizje të forcave konvencionale iraniane e vendosin Iranin në disavantazh nëse përdor këto njësi.
Megjithatë, Irani mund t’i përdorë ato në Gjirin Persik ose për të goditur, për shembull, bazat amerikane në Irak.
6- Fuqia diplomatike e Iranit.
Teherani ka investuar shumë në diplomaci përgjatë viteve të fundit.
Ai ka punuar për të forcuar marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën. Ka lidhje të forta me Pakistanin dhe marrëdhënie të mira me Indinë.
Është anëtarësuar në blloqet ekonomike si BRICS dhe SCO. Si i tillë, Irani është në një pozitë të mirë për të përdorur diplomacinë kundër Izraelit.
Irani ka marrëdhënie më të mira me vendet e Gjirit sesa në të kaluarën, dhe gjithashtu lidhje të ngushta me Turqinë dhe Katarin, të cilat, janë aleate të ShBA-ës.
Ministri i Jashtëm i Iranit ka udhëtuar shpesh në rajon dhe ndodhej në Oslo më 11 qershor.
Për rrjedhojë, Irani është në një pozitë të favorshme për të paraqitur veten si viktimë dhe për të shfrytëzuar në dobi të vet, në forumet ndërkombëtare, sulmet izraelite.
Regjimi islamik mund ta përdorë këtë si justifikim për të treguar se ka nevojë për më shumë sisteme mbrojtëse nga Kina apo Rusia.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comentários