25-VJETORI I NDËRHYRJES USHTARAKE TË NATO-s DHE ÇLIRIMIT TË KOSOVËS | KRYEMINISTRI RAMA NISI NJË VIZITË NË KOSOVË: U PRIT NGA PRESIDENTJA VJOSA OSMANI.
- Erton Duka

- Jun 10, 2024
- 2 min read
Prishtinë, Kosovë | Kryeministri i Republikës së shqipërisë Edi Rama po zhvillon një vizitë në Prishtinë, me rastin e 25-vjetorit të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s dhe çlirimit të Kosovës.
Kryeministri Rama u prit nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Kryeministri Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, kushtuar këtij përvjetori, që mbahet në nderim të trashëgimisë politike të presidentit Rugova, si dhe të vendeve aleate, të cilat patën një rol thelbësor gjatë viteve të luftës në Kosovë.
Kryeministri Rama do t’i drejtohet një prej paneleve të Konferencës, ku do të jetë së bashku me personalitete ndërkombëtare të mirënjohur për kontributin e tyre politik në periudhën e luftës, mes të cilëve ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Tani Blleër (Tony Blair) dhe ish-kyeministri italian Massimo D’Alema.
Në vijim të programit, kryeministri Rama do të mikpritet nga kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, ku në një ceremoni të posaçme do të nderohet me Çelësin e Qytetit.
Ndër të tjera, kryeministri Rama do të marrë pjesë edhe në çeljen e ekspozitës së veçantë “Reporting House”, një retrospektivë e fuqishme e mediave gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ku përmes artefakteve të gazetarëve dhe veprave të artistëve, vizitorët do të njihen me historinë e luftës së viteve 1998-1999 dhe ndikimin e saj në dekadat që vijuan.
10 qershori i vitit 1999 shënoi fundin e luftës në Kosovë dhe tërheqjen e trupave serbe, pas 78 ditë bombardimesh ajrore të NATO-s mbi Serbi.
Po me këtë datë Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas së cilës, në Kosovë u dërguan trupat paqeruajtëse të KFOR-it, nga 36 vende të ndryshme.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)




































