1 DHJETOR 1909: PËRKUJTOJMË HAPJEN E “NORMALES” SË ELBASANIT | SHKOLLA E PARË E MESME LAIKE NË TROJET SHQIPTARE ME DREJTOR LUIGJ GURAKUQIN.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Dec 1, 2024
- 2 min read

Elbasan, Shqipëri | Në Elbasan më 1 dhjetor të vitit 1909 u hap Shkolla “Normale”, Shkolla e Mesme e parë shqipe.
Shkolla “Normale”, është cilësuar si arritja më kulmore e Arsimit Shqiptar, e cila u shndërrua në një Institucion arsimor, edukativ, studimor me përmasa kombëtare.
Në përputhje të plotë me detyrat e përcaktuara në Kongresin e Manastirit, në datat 2-9 Shtator 1909 në shkollën dreke të Kalasë së Elbasanit u mbajt Kongresi i Elbasanit, ku u morën vendime të rëndësishme në lidhje me sistemin e shkollimit shqip, hartimin e programeve unike, braktisjen nga nxënësit shqiptarë të shkollave të huaja greke e turke, përzgjedhjen e dialektit të Elbasanit si modeli standard i shqipes dhe themelimin e një shkolle normale laike.
“Normalja” e Elbasanit, hapi dyert tre muaj më pas, pikërisht më 1 dhjetor 1909.
Ajo është shkolla e parë e arsimit profesional arsimor në gjuhën shqipe, e krijuar në bazë të vendimeve të Kongresit të Elbasanit.
Në ditët e sotme, shkolla “Normale” quhet “Luigj Gurakuqi” për vetë faktin se drejtuesi i parë i saj ka qenë Luigj Gurakuqi.
Ajo gjatë një shekulli ka nxjerrë breza të shumtë arsimtarësh nga çdo qytet e fshat i Shqipërisë.
“Normalja” e Elbasanit, mbetet institucioni i parë i përgatitjes së mësuesve në mbarë hapësirën shqiptare e më gjerë.
“Normalja” e Elbasanit, është shkolla e parë e këtij lloji dhe Universiteti i parë shqiptar i përgatitjes së mësuesve që i dha kombit emër, dritë, liri dhe dituri.
Nga kjo shkollë kanë dalë figura të njohura jo vetëm nga Elbasani, por nga e gjithë Shqipëria e Kosova.
Ka përgatitur për të gjitha trojet shqiptare mijëra mësues, të cilët zgjuan, mbrujtën dhe edukuan rininë shqiptare me ndjenjat më të forta për atdheun, arsimin dhe përparimin.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































Comments