URANIUMI I PASURUAR I IRANIT | ASKUSH NUK E DI SE KU PËRFUNDUAN 400 KILOGRAMËT.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 4 days ago
- 3 min read

Nga z. Rikardo Pikolo (Riccardo Piccolo).
Romë, Itali | Shtetet e Bashkuara kanë humbur gjurmët e 409 kilogramëve të uraniumit të pasuruar të Iranit.
Pas sulmeve izraelite dhe amerikane më 13 qershor dhe 21-22 qershor kundër objekteve kryesore bërthamore iraniane, Uashingtoni dhe aleatët e tij nuk e dinë nëse materiali më i rrezikshëm i zbërthyer i Teheranit u shkatërrua nga bombardimet apo u evakuua paraprakisht në një destinacion të panjohur.
Ky uranium, i pasuruar në 60% dhe teorikisht i mbajtur nën kontrollin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), përfaqëson zemrën e programit bërthamor të Iranit, sepse, nëse pasurohet më tej në 90%, mund të përdoret për të prodhuar armë bërthamore.
SI E HUMBI PERËNDIMI KONTROLLIN?
Misteri që rrethon fatin e programit bërthamor të Iranit është në fakt rezultat i një historie të gjatë që filloi shumë kohë para sulmeve të fundit ushtarake.
Në vitin 2015, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Përbashkët Gjithëpërfshirëse Bërthamore (JCPOA) midis Iranit dhe Grupit të Pesë + Një (Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Rusia dhe Kina), u krijua një sistem kontrolli veçanërisht i rreptë.
Inspektorët ndërkombëtarë kishin qasje të lirë në objektet bërthamore iraniane, instaluan kamera mbikëqyrjeje të përhershme dhe monitoruan rregullisht rezervat e uraniumit të pasuruar.
Për të paktën tre vjet, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike kishte shikueshmëri të plotë të programit dhe lëvizjeve të materialit të zbërthyeshëm.
Megjithatë, në vitin 2018, administrata e udhëhequr nga presidenti Danlld Tramp (Donald Trump) vendosi të tërhiqej në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja, duke e gjykuar atë shumë të favorshme për Teheranin, dhe rivendosi sanksionet ekonomike që JCPOA kishte pezulluar.
Irani, në përgjigje, filloi një reduktim progresiv të pajtueshmërisë me angazhimet e tij.
Së pari duke rritur pasurimin e uraniumit përtej kufijve të pritur, pastaj duke kufizuar aksesin e inspektorëve në zona të caktuara.
Pika pa kthim u arrit në muajin shkurt të vitit 2021, kur Teherani njoftoi fundin e bashkëpunimit me IAEA- në për inspektimet e paplanifikuara.
Që atëherë, aftësia e Agjencisë për të monitoruar programin bërthamor të Iranit është zvogëluar në mënyrë progresive.
Inspektorët kanë vazhduar të vizitojnë vendet kryesore çdo muaj, por ata nuk e dinë më me siguri se ku po transferohej materiali, dhe as nuk kanë qenë në gjendje të hyjnë lirisht në objekte.
Stoku aktual - rreth 409 kilogramë uranium i pasuruar - duhej të mbetej nën vulën e IAEA-s në vendin nëntokësor në Isfahan, por verifikimi është bërë gjithnjë e më i vështirë.
Pas sulmeve izraelite më 13 qershor, Agjencia humbi të gjitha aftësitë e monitorimit.
Që atëherë, ajo nuk ka qenë në gjendje të konfirmojë as vendndodhjen dhe as statusin e materialit.
LËVIZJET PARA BOMBARDIMEVE DHE VERSIONET KUNDËRSHTARE.
Pamjet satelitore kapën aktivitet të dyshimtë në orët menjëherë para sulmeve amerikane.
Më 19 dhe 20 qershor, vetëm disa orë para bombardimeve të fundjavës, Maxar Technologies, një firmë amerikane e inteligjencës gjeohapësinore, dokumentoi radhë të gjata kamionësh që lëviznin përgjatë rrugëve kryesore ngjitur me uzinën bërthamore Fordou (Fordow).
Disa komentues kanë spekuluar se automjetet mund të jenë përdorur për të evakuuar rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit para sulmeve, një version i mbështetur edhe nga agjencia iraniane e lajmeve “Mehr”.
Interpretimet e këtyre lëvizjeve, megjithatë, i ndajnë ekspertët.
Sekretari i Shtetit i ShBA-ës, Marko (Marco) Rubio, ka shprehur skepticizëm nëse Irani ishte në gjendje ta zhvendoste materialin.
“Askush nuk do të jetë në gjendje të thotë për ditë të tëra nëse Teherani ishte në gjendje të siguronte uraniumin shumë të pasuruar”, pranoi sekretari Rubio, duke shtuar, megjithatë, se në momentin që një kamion fillon të lëvizë diçka, izraelitët e shohin atë, e shënjestrojnë dhe e shkatërrojnë.
Versioni i tij sugjeron që çdo përpjekje evakuimi do të ishte kapur nga mbikëqyrja izraelite.
Megjithatë, analistë të tjerë e konsiderojnë të besueshme hipotezën e një evakuimi parandalues.
“Do të kishte qenë shumë naive nga ana e regjimit ta mbante atë në këto vende. Uraniumi tani është i padëmtuar”, thonë burime të cituara nga gazeta Kohërat Financiare (Financial Times).
Nga ana iraniane, këshilltari i lartë i Ajatollah Ali Khameneit, Ali Shamkhani, tha se aftësitë bërthamore mbetën të paprekura.
“Edhe nëse vendet bërthamore janë shkatërruar, loja nuk ka mbaruar. Materialet e pasuruara, njohuritë që kemi zhvilluar dhe vullneti politik mbeten të paprekura”, tha ai, duke nënkuptuar se Irani konsideron se ka ruajtur elementët thelbësorë të programit të tij bërthamor.
E vetmja siguri për momentin është pamundësia e verifikimit se cili version është i saktë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments