TIRANË | QYTETARI ITALIAN MASIMO FERRO ERDHI TË KRYETE OPERACION KUNDËR MBIPESHËS SEPSE ISHTE SHUMË HERË MË LIRË SE NË ITALI; VDIQ NË SPITAL.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 2 hours ago
- 3 min read

Tiranë, Shqipëri | Strukturat vendore të Policisë së Shtetit morën dijeni se:
1- Z. Massimo Ferro, qytetar italian, nga Kamposampiero (Camposampiero), vdiq në spital.
Ai kishte vendosur të humbiste peshë pas vitesh dietash pa sukses. Ai iu drejtua një klinike private në Milano, e cila, i premtoi një zgjidhje afatgjatë dhe i propozoi të kryente ndërhyrjen kirurgjikale në Tiranë, në një strukturë të lidhur me klinikën italiane.
Bëhej fjalë për “Sleeve Gastrectomy”, një operacion që redukton vëllimin e stomakut.
Ndërhyrja nuk pati sukses.
Ai vdiq në 22 dhjetor. Për të hedhur dritë mbi ngjarjen, prokurori i Padovës, Andrea Girlando, ka regjistruar si të dyshuar mjekun kirurg Andrea Formiga dhe dietologen Alessandra Freda, të dy nga Lombardia.
Në Padovë do të kryhet autopsia; mjeku ligjor i caktuar nga prokuroria është Dr. Antonello Çirenli (Cirnelli).
Në muajin dhjetor, komunikimi mes z. Ferro dhe kirurgut ishte zhvilluar përmes mesazheve në platformën sociale virtuale WhatsApp, ku ishin dhënë informacionet për procedurën, kostot dhe organizimin logjistik.
Çmimi i operacionit, 4400 €, ishte dukshëm më i ulët se rreth 15000 € e kërkuara në Itali.
Gjatë vizitës së 6 dhjetorit 2025, ku z. Ferro u paraqit me djalin e tij të madh, kirurgu shpjegoi ndërhyrjen dhe e siguroi pacientin për teknikën laparoskopike dhe shpejtësinë e procesit.
Edhe pse z. Ferro vuante nga diabeti i Tipit II dhe peshonte 108 kilogramë, operacioni u planifikua për më 18 dhjetor në Tiranë.
Analizat paraoperatore, të cilat, ai nuk arriti t’i kryente në Itali, u shtynë për t’u realizuar një ditë para ndërhyrjes në Shqipëri.
Sipas familjarëve, të përfaqësuar nga avokatët Stefano Skuarise (Squarise) dhe Xheni (Jenny) Lopresti, nuk është respektuar asnjë nga procedurat e parashikuara nga udhëzimet italiane dhe ndërkombëtare për kirurgjinë e obezitetit.
Ata deklarojnë se nuk ka pasur trajtim paraprak dietetik dhe sjellor, as vlerësim multidisiplinar dhe as përgatitje specifike para operacionit.
Udhëzimi i vetëm i dhënë, sipas tyre, ishte që pacienti të qëndronte esëll nga mbrëmja e mëparshme.
Z. Ferro mbërriti në Tiranë më 17 dhjetor së bashku me bashkëshorten. Operacioni u krye më 18 dhjetor.
Pas ndërhyrjes, ai kontaktoi familjarët duke i siguruar se gjithçka kishte shkuar mirë.
Nga dita pasuese, gjendja e tij nisi të përkeqësohej; ai u bë gjithnjë e më i përgjumur, nuk reagonte dhe niveli i sheqerit në gjak mbeti i lartë.
Më 20 dhjetor iu shfaq temperaturë deri në 38 gradë, e trajtuar me paracetamol.
Në datën 21 dhjetor, me temperaturë 39 gradë Celsius dhe vështirësi serioze në frymëmarrje, u dërgua në urgjencën e spitalit publik “Nënë Tereza” në Tiranë.
Aty iu kryen disa ekzaminime, por sipas kallëzimit penal antibiotiku u administrua vetëm në mbrëmje, përpara se ai të kthehej sërish në klinikë.
Gjatë natës gjendja u përkeqësua më tej.
Mëngjesin e 22 dhjetorit, ai pësoi arrest kardiocirkulator brenda klinikës.
Më pas, u transferua me ambulancë në reanimacionin e spitalit publik.
Pasdite mjekët informuan për një stabilizim të gjendjes, por në mbrëmje bashkëshortja u thirr me urgjencë. Kur mbërriti, ai kishte vdekur.
Sipas familjarëve, deri më tani askush nuk ka dhënë një shpjegim të qartë për shkakun e vdekjes.
“Duam vetëm të dimë pse Masimo nuk u kthye në shtëpi”, deklaruan bashkëshortja Romina dhe fëmijët e tyre.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)




















Comments