top of page
E BARDHË SHIRIT.png

TENSIONET MIDIS GAZPROM-it RUS DHE OMV-së AUSTRIAKE PO HAPIN MUNDËSI TË REJA PËR GAZIN LIBIAN NË EVROPË: GAZSJELLËSI ITALIAN DO TË SHËRBEJË SI URË KALIMI.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Nov 22, 2024
  • 2 min read

Updated: Aug 10

ree

Tripoli, Libi | Sektori energjetik libian jo vetëm që vazhdon të jetë shtylla ekonomike e vendit, por po merr një rëndësi në rritje në peizazhin energjetik evropian, veçanërisht në dritën e tensioneve gjeopolitike të lidhura me furnizimet me gaz rus.

 

Një artikull i gazetës “Al Wasat” nënvizonte se si mosmarrëveshjet e fundit ligjore midis Gazprom-it dhe kompanisë austriake Omv kanë rritur pasiguritë për furnizimet me gaz rus në Austri dhe Evropën Qendrore, duke hapur mundësi të reja për gazin libian.

 

Me mundësinë që këto tensione të çojnë në një ndërprerje të furnizimeve ruse më vonë këtë vit, interesi i Austrisë për gazin libian mund të intensifikohet.

 

Aktualisht, gazi i prodhuar në Libi eksportohet kryesisht përmes gazsjellësit Rrjedha e Gjelbër, që lidh vendin me Italinë.

 

Me një kapacitet maksimal transporti prej 11 miliardë metra kub në vit, në vitin 2023 në Itali u eksportuan afërsisht 2.52 miliardë metra kub gaz, e barabartë me 4.17 për qind të konsumit kombëtar italian.

 

Ky nivel paraqet një ulje prej 3.7 për qind krahasuar me vitin 2022 dhe nuk shfrytëzon potencialin e madh që disponohet.

 

Megjithatë, përmirësimi i infrastrukturës mund të lejojë një rritje të eksporteve jo vetëm drejt Italisë, por edhe vendeve si Austria, e cila është e interesuar të diversifikojë burimet e saj të furnizimit.

 

Në këtë kuadër, takimi i ministrit libian të naftës, Khalifa Abdul-Sadiq , me ambasadoren e Austrisë në Libi, Barbara Grosse, merr një rëndësi strategjike.

 

Diskutimet u fokusuan jo vetëm në rivendosjen e aktiviteteve të OMV-së në Libi, por edhe në perspektivat për bashkëpunim në sektorin e gazit dhe energjisë nga burimet e rinovueshme.

 

Interesi austriak mund të lidhet me mundësinë e aksesit të gazit libian nëpërmjet Rrjedhës së Gjelbër, forcimit të bashkëpunimit energjetik mes dy vendeve dhe zbutjes së pasigurive në lidhje me reduktimin e furnizimeve ruse.

 

Një strategji që përshtatet në kuadrin e Planit Mattei të nisur nga qeveria e kryeministres Xhorxha (Giorgia) Meloni, i cili, i garanton Italisë një rol urë strategjike me Bashkimin Evropian.

 

Në fakt, Gadishulli është tashmë një qendër energjetike me Transmed-in, gazsjellësin e ndërtuar me funksionin kryesor transportimin e gazit me origjinë algjeriane në Itali dhe që pas luftës në Ukrainë sjell furnizime algjeriane edhe në Austri, Gjermani dhe Slloveni.

 

Libia prodhon shumë më pak gaz se Algjeria, por perspektivat për të ardhmen po përmirësohen.

 

Këtë e demonstron, për shembull, rifillimi i fundit i prodhimit të gazit në fushën në det të hapur Bahr Essalam, e cila, regjistroi një rritje prej 33 milionë metra kub në ditë.

 

Korporata Kombëtare e Naftës (Noc, organi shtetëror libian i naftës), në bashkëpunim me Eni, planifikon të rrisë më tej prodhimin e gazit, duke arritur në 750 milionë këmbë kub në ditë deri në vitin 2026.

 

Një pjesë e këtij prodhimi mund të destinohet për eksporte në tregje të reja, duke përfshirë Austrinë, duke ndihmuar në diversifikimin e destinacioneve të gazit libian dhe forcimin e pozicionit të vendit si një lojtar rajonal i energjisë.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page