TAJVANI FILLON REKRUTIMIN E ZGJATUR NJËVJEÇAR NË PËRGJIGJE TË KËRCËNIMIT TË KINËS.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Jan 25, 2024
- 2 min read
Taipei, Taivan | Grupi i parë i rekrutëve të rinj filloi të kryente shërbimin e tyre të detyrueshëm ushtarak njëvjeçar në Tajvan të enjten, pasi periudha e rekrutimit u zgjat nga katër muaj, për shkak të shqetësimeve të qeverisë, për kërcënimin ushtarak në rritje të Kinës.
Presidenti Tsai Ing-wen njoftoi zgjatjen në fund të vitit 2022.
Kina ka rritur presionin ushtarak, diplomatik dhe ekonomik mbi Tajvanin, për të pohuar pretendimet e saj mbi sovranitetin, duke përfshirë misionet pothuajse të përditshme të forcave ajrore kineze pranë ishullit gjatë katër viteve të fundit.
Në një qendër rekrutimi në qytetin qendror tajvanez Taiçung (Taichung), një grup të rinjsh u mblodhën në mëngjesin e ftohtë për t'u futur, teksa qentë kontrollonin çantat e tyre për drogë, dhe berberët i qethnin zero përpara se të kalonin në radhët e ushtrisë.
“Është përgjegjësia jonë e përbashkët, për të rregulluar strukturën e ushtrisë, dhe për të përmirësuar fuqinë luftarake. Është gjithashtu një bazë për ne për të forcuar fuqinë tonë ushtarake”, u tha gazetarëve oficeri Lien Çinh (Chih)-wei.
Ushtria e Tajvanit tha në një deklaratë se priste që gjithsej 670 rekrutët të bashkoheshin në grupin e parë nën shërbimin e ri të zgjatur.
“Përballë një mjedisi të ndërlikuar ndërkombëtar, është përparësia jonë e parë të ndërtojmë vullnetin e fortë për t'i rezistuar armikut - thuhet në deklaratë - dhe zgjatja e shërbimit të detyrueshëm në një vit, jo vetëm që do të rrisë efektivitetin e menjëhershëm luftarak, por, gjithashtu, do të përmirësojë cilësinë e personelit rezervë, do të forcojë energjinë e mobilizimit, dhe do të rrisë efektivitetin e përgjithshëm luftarak të mbrojtjes kombëtare.”
Presidenti Tsai e ka përshkruar sistemin e mëparshëm ushtarak, duke përfshirë rezervistët e trajnimit, si joefikas dhe të pamjaftueshëm për të përballuar kërcënimin ushtarak në rritje të Kinës, veçanërisht nëse Kina nis një sulm të shpejtë në ishull.
Rekrutët do t'i nënshtrohen trajnimeve më intensive, duke përfshirë ushtrimet e të shtënave, udhëzimet luftarake të përdorura nga forcat amerikane, dhe operimin e armëve më të fuqishme, duke përfshirë raketat antitank, dhe raketat anti-ajrore Stinger, sipas planeve të shpallura më parë.
Z. Yin Hsin-shih, 18 vjeç, tha se ishte pak i emocionuar për t'u bashkuar.
“Për vendin, ai do të sigurojë fuqinë e nevojshme mbrojtëse, duke qenë se vendi ynë fqinj është një kërcënim i madh për kombin tonë”, tha ai, duke iu referuar Kinës.
Shtetet e Bashkuara, mbështetësi më i rëndësishëm ndërkombëtar i Tajvanit dhe shitësi i armëve, pavarësisht mungesës së lidhjeve zyrtare diplomatike, ka mirëpritur reformën e rekrutimit si pjesë e përpjekjeve të Tajvanit për të rritur aftësinë e tij për t'u mbrojtur.
Megjithatë, periudha e shërbimit në Tajvan është ende më e shkurtër se 18 muajt e detyruar në Korenë e Jugut, e cila, përballet me një Kore të Veriut armiqësore dhe të armatosur me armë bërthamore.
Pasi Tajvani njoftoi zgjatjen në vitin 2022, Kina kritikoi Tajvanin për kërkimin e përdorimit të popullit tajvanez si “mish për top”.
Qeveria e Tajvanit hedh poshtë pretendimet e Pekinit për sovranitet, dhe thotë se vetëm populli tajvanez mund të vendosë për të ardhmen e tij.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)

















Comments