SHBA | NË UNIVERSITETIN “JOHNS HOPKINS” FILLOI NDËRTIMI I “DRAGONFLY”-it (KOLOSIT BËRTHAMOR PËR QIEJT ALIENË); SYNOHET UDHËTIMI PËR NË TITAN (HËNA ENIGMATIKE E SATURNIT).
- Agjencia Telegrafike Vox

- 2 days ago
- 3 min read

Uashington, Amerikë | Gara drejt hënave të jashtme të Sistemit Diellor sapo ka arritur në një pikë kthese.
Në Laboratorin e Fizikës së Aplikuar (APL) të Universitetit Johns Hopkins në Merillend (Maryland), inxhinierët kanë filluar zyrtarisht integrimin dhe testimin e “Dragonfly”-it, dronit revolucionar të NASA-s të projektuar për të eksploruar Titanin, hënën më enigmatike të Saturnit.
“Ky moment historik shënon në thelb lindjen e sistemit tonë të fluturimit”, tha znj. Elizabeth Tërtll (Turtle, Kryembikëqyrsja e misionit.
Nuk është thjesht montimi i pajisjeve; është krijimi i avionit të parë të projektuar për të fluturuar në një oqean atmosferik të huaj, duke e shtyrë teknologjinë njerëzore përtej të gjitha kufijve të mëparshëm.
“Dragonfly” përfaqëson një kërcim radikal evolucionar krahasuar me çdo gjë të parë deri më tani në eksplorimin e hapësirës.
Ndërsa helikopteri i vogël marsian “Ingenuity” ishte sa madhësia e një kutie indesh dhe shërbeu si një provë e thjeshtë, “Dragonfly” do të jetë në një nivel më të lartë.
Me një strukturë të krahasueshme me atë të një makine të vogël, ky rotor me tetë tehe nuk do të varet nga rrezet e diellit të zbehta që filtrohen përmes reve të Saturnit; në vend të kësaj, ai do të fuqizohet nga një gjenerator termoelektrik radioizotopi, një zemër bërthamore që do ta lejojë atë të funksionojë plotësisht autonom për vite me radhë.
Kjo ambicie reflektohet edhe në koston e tij; me një buxhet prej afërsisht 3.35 miliardë dollarësh ($), misioni do të jetë një nga shtyllat e kërkimit shkencor për dekadën e ardhshme.
Zgjedhja e kësaj hëne nuk është rastësi. Titani është i vetmi trup qiellor përveç Tokës që ka lëngje të qëndrueshme në sipërfaqen e tij, me liqene dhe lumenj të përbërë nga metani dhe etani, të mbrojtur nga një atmosferë e dendur.
Shkencëtarët e konsiderojnë atë një laborator të gjerë kimik në ajër të hapur, një vend të pasur me molekula organike që mund të jenë tullat ndërtuese të jetës.
Objektivi kryesor i “Dragonfly”-it do të jetë analizimi i gjeologjisë dhe kimisë komplekse të kësaj bote, duke u përpjekur të deshifrojë origjinën e vetë jetës në një mjedis që i ngjan, në disa mënyra, një versioni të ngrirë të Tokës primordiale.
Rruga që do ta çojë “Dragonfly”-in në platformën e lëshimit është tashmë e përcaktuar mirë dhe rigoroze.
Gjatë gjithë vitit 2026, teknikët e APL-së do të përqendrohen në trurin e misionit, duke testuar modulet e integruara elektronike për navigimin dhe menaxhimin e të dhënave.
Pasi të përfundojë kjo fazë, në vitin 2027, avioni do të transferohet në objektet e “Lockheed Martin Space” në Kolorado.
Atje, do t'i nënshtrohet streseve ekstreme mjedisore për të simuluar vakumin e hapësirës dhe temperaturat e jashtëzakonshme të Titanit, të cilat, mund të arrijnë -180°C.
Vetëm pas një kontrolli përfundimtar në Merillend (Maryland), droni do të dërgohet në Qendrën Hapësinore “Kennedy”.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, një raketë e fuqishme “SpaceX Falcon Heavy” do të nisë zyrtarisht udhëtimin drejt Saturnit në pranverën e vitit 2028.
Pas vitesh simulimesh kompjuterike dhe llogaritjesh teorike, hyrja në fazën e ndërtimit e transformon “Dragonfly”-in nga një ëndërr inxhinierike në një realitet metalik sensorësh, tehësh dhe ambicieje.
Siç theksuan udhëheqësit e projektit, të shohësh komponentët që bashkohen në një sistem fluturimi funksional është një shenjë se njerëzimi është gati të hapë krahët në një botë ku bie shi metani dhe malet janë të bëra nga akull i fortë si shkëmbi.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)



















Comments