SARANDË | UKRAINASI ANATOLI ZELENKAJ U KAP DUKE TRANSPORTUAR ME FURGON 21 EMIGRANTË NGA IRAKU DHE IRANI; 2800 € PËR KOKË.

Sarandë, Shqipëri | Në funksion të luftës institucionale ndaj Agjenturës së Krimit Ordiner strukturat vendore të Policisë së Shtetit arrestuan:
1- Z. Anatoli Zelenkaj, me moshë 35 vjeç, i lindur në Ukrainë, banues në Vendik (Venecia); u kap duke transportuar me furgon 21 emigrantë nga Iraku dhe Irani; kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri përmes kufirit me Greqinë; 2800 € për kokë.
Njoftim | Sarandë.
Finalizohet operacioni i koduar “Tranzit 2”, goditet një tjetër rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
Transportonte me furgon, 21 shtetas nga Iraku dhe Irani që kishin hyrë ilegalisht nga kufiri me Greqinë, kapet në flagrancë gjatë natës dhe arrestohet 35-vjeçari.
Procedohen në gjendje të lirë 21 emigrantët, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Sekuestrohet furgoni.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve shtetërorë, organizuan dhe finalizuan një tjetër operacion policor, të koduar “Tranzit 2”.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Z., 35 vjeç, banues në Itali.
Ky shtetas u kap gjatë natës, në afërsi të fshatit Shkallë, duke transportuar me një automjet furgon, 21 shtetas me origjinë nga Iraku dhe Irani, të cilët dyshohet se kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri, nëpërmjet kufirit tokësor me Greqinë.
Nga hetimet dyshohet se destinacioni final i emigrantëve ishte Italia dhe se pagesa për transportimin ishte 2 800 euro për secilin shtetas.
Në vijim të veprimeve procedurale, 21 shtetasit e huaj u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Sarandës, për veprime të mëtejshme, u tha në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit








Comments