SAMITI I HIROSHIMËS DO T’I BËJË TË QARTË KINËS SE TAIVANI NUK DO TË JETË UKRAINË E DYTË.
- Agjencia Telegrafike Vox

- May 12, 2023
- 4 min read

Hiroshima, Japoni | Tajvani nuk do të jetë Ukraina e ardhshme. Ky është mesazhi i fortë që Japonia dëshiron t'i dërgojë të gjithë botës, dhe veçanërisht Kinës, në fund të samitit të G7 të planifikuar në Hiroshima nga 19 deri më 21 maj të ardhshëm. Sipas asaj që mësohet nga burime diplomatike, nuk është rastësi që presidenca e rradhës japoneze do të propozojë një axhendë pune me në qendër luftën në Ukrainë dhe situatën në Indo-Paqësor, duke besuar se të dyja çështjet janë të lidhura ngushtë, dhe se samiti duhet të përfundojë me një angazhim të ripërtërirë për mbrojtjen e një rendi ndërkombëtar të bazuar në sundimin e ligjit. Deklarata përfundimtare e liderëve të G7-ës duhet të përmbajë kundërshtim të fortë ndaj çdo përpjekjeje për të ndryshuar status quo-në me forcë, detyrim ekonomik ose kërcënim me armë bërthamore. Në ngushticën e Tajvanit, vërejnë burimet japoneze, Kina tashmë ka modifikuar disi status quo-në që nga vera e kaluar, kur avionët dhe anijet e saj ushtarake kaluan në mënyrë të përsëritur vijën mesatare në përgjigje të vizitës në Taipei nga kryetari i atëhershëm i Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nensi Plozi (Nancy Pelosi). Vendosmëria e G7-ës dhe partnerëve të saj duhet t'i tregojë Pekinit se nuk është në interesin e tij të shkojë më tej. Nuk duhet të jetë e vështirë të gjendet një vijë e përbashkët në këtë pikë. Prillin e kaluar, fjalët e presidentit francez Emanuel Makron (Emmanuel Macron), shkaktuan diskutime, kur në kthimin e tij nga një udhëtim në Kinë, ai deklaroi për të përjavshmen "Politico", se nuk është në interesin e Evropës të lërë veten të tërhiqet në një konflikt në Tajvan. Megjithatë, theksojnë burimet, qëndrimi zyrtar i Parisit nuk ka ndryshuar kurrë, dhe shqetësimi për agresivitetin në rritje të Pekinit në Indo-Paqësor, është më i përbashkët se në të kaluarën. Pa paragjykuar mesazhin e unitetit që liderët e G7-ës do të përsërisin për çështjen e luftës në Ukrainë, me angazhimin e vendosur për të vazhduar promovimin e sanksioneve kundër Rusisë, dhe për të mbështetur Kievin, dhe me pjesëmarrjen virtuale të presidentit ukrainas Volodimir Zelenski (Volodymyr Zelensky), si një fuqi aziatike, Japonia synon të promovojë konceptin e pandashmërisë së sigurisë së Evropës dhe Indo-Paqësorit, dhe në këtë kuptim, ftesën për të marrë pjesë në një “G7 të zgjeruar”, për lojtarët kryesorë rajonalë si India, Australia, Koreja e Jugut. dhe Shoqata e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN). E lidhur ngushtë është çështja e çarmatimit bërthamor, së cilës, kryeministri Fumio Kishida, do të donte t'i kushtonte një seancë të tërë: kreu i qeverisë japoneze është me origjinë nga Hiroshima, dhe vetë zgjedhja e qytetit të shkatërruar nga bomba atomike në 1945, si vendmbajtje për samitin e G7-ës është domethënëse. Ideja e Japonisë është të promovojë një qasje praktike, të bazuar në realitetin e fakteve, me një diskutim të thellë të mjeteve në dispozicion, për të reduktuar ose eliminuar arsenalet bërthamore: pa pjesëmarrjen e plotë të fuqive atomike, në fakt, traktatet nuk kanë asnjë kuptim. Prioriteti tjetër kryesor i G7-ës japoneze do të jetë Jugu global. Udhëheqësit e shtatë ekonomive më të përparuara në botë, do të thirren të demonstrojnë një gatishmëri reale, për t'iu përgjigjur shqetësimeve të vendeve në zhvillim, për të dëgjuar zërin e tyre, edhe në një kontekst ndërkombëtar të ndërlikuar, siç është ky i sotmi. Sfidat nuk mungojnë: nga siguria ushqimore, cila është rënduar nga lufta në Ukrainë, tek shëndeti publik në epokën e paspandemisë, duke kaluar përmes klimës, energjisë, zhvillimit, çështjeve gjinore dhe dixhitalizimit. Në Hiroshima do të flitet shumë edhe për sigurinë ekonomike, me referencë të veçantë për ripërcaktimin e zinxhirëve globalë të shpërndarjes. Gjithashtu në këtë rast, në mënyrë të pashmangshme do t'i referohemi kërcënimeve të sjella nga Kina, përpjekjeve për shtrëngim ekonomik dhe politikave dhe praktikave jo të orientuara nga tregu. Ka gjithashtu hapësirë për debatin mbi kufijtë e rinj të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, me nevojën e përbashkët - të shprehur tashmë nga disa qeveri të G7 - për të rregulluar përdorimin e mjeteve të reja si ChatGpt. Sa i përket Italisë, nuk është e qartë nëse çështja e pranimit të Romës në Iniciativën Brez dhe Rrugë (BRI), që skadon në mars 2024, do të ngrihet gjatë procesit. Marrëveshja, e cila do të rinovohej automatikisht në mungesë të tërheqjes nga secila palë me të paktën tre muaj njoftim, u nënshkrua në vitin 2019 nga kryeministri i atëhershëm Xhuzepe Konte (Giuseppe Conte), me rastin e vizitës së liderit kinez Shi Xhinping (Xi Jinping) në Romë. E sigurt është se kryeministrja aktuale Xhorxha Meloni (Giorgia Meloni) do të ketë një takim dypalësh me Kishidën. Përveç Ukrainës dhe Indo-Paqësorit, zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe do të diskutohet edhe vizita e kryeministrit japonez në Romë, janarin e kaluar. Palët po përpiqen të finalizojnë një marrëveshje për bashkëprodhimet filmike, pas marrëveshjes në parim të arritur gjatë takimit të mëparshëm mes dy liderëve, por do të diskutojnë edhe perspektivat shumë pozitive, për bashkëpunim në çështjet e mbrojtjes, të hapura nga marrëveshja e dhjetorit të kaluar, midis Italisë, Japonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, e cila ka si objekt zhvillimin e avionit të ri luftarak “Tempest”.

___.png)
















Comments