REVISTA SHKENCORE “LANCET”: USHQIMET ULTRA TË PËRPUNUARA SHKAKTOJNË DËME NË ÇDO ORGAN.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 7 days ago
- 4 min read

Karolina e Veriut | Ushqimi ultra i përpunuar (UPF) lidhet me dëmet në çdo sistem të madh organesh të trupit të njeriut dhe përbën një kërcënim sizmik për shëndetin global, sipas rishikimit më të madh në botë.
UPF gjithashtu po zëvendëson me shpejtësi ushqimin e freskët në dietat e fëmijëve dhe të rriturve në çdo kontinent dhe shoqërohet me një rrezik në rritje të një duzine problemesh shëndetësore, duke përfshirë obezitetin, diabetin e tipit 2, sëmundjet e zemrës dhe depresionin.
Rritja e ndjeshme e konsumit të UPF-së në të gjithë botën po nxitet nga korporatat e orientuara drejt fitimit që përdorin një sërë taktikash agresive për të nxitur konsumin, për të shtrembëruar debatin shkencor dhe për të parandaluar rregullimin, sugjeron shqyrtimi i provave.
Gjetjet, nga një seri prej tre punimesh të botuara në revistën shkencore “Lancet”, vijnë në një kohë kur miliona njerëz konsumojnë gjithnjë e më shumë UPF, të tilla si ushqime të gatshme, drithëra, bare proteinash, pije të gazuara dhe ushqim të shpejtë.
Në Mbretërinë e Bashkuar dhe ShBA-ës, më shumë se gjysma e dietës mesatare tani përbëhet nga UPF.
Për disa, veçanërisht njerëzit që janë më të rinj, më të varfër ose nga zona të pafavorizuara, një dietë që përmban deri në 80% UPF është tipike.
Si po na sëmurin ushqimet ultra të përpunuara?
Provat e shqyrtuara nga 43 ekspertë kryesorë në botë sugjerojnë se dietat e pasura me UPF janë të lidhura me të ngrënit e tepërt, cilësinë e dobët ushqyese dhe ekspozimin më të lartë ndaj kimikateve dhe aditivëve të dëmshëm.
Një rishikim sistematik i 104 studimeve afatgjata të kryera për serinë zbuloi se 92 prej tyre raportuan rreziqe më të mëdha të shoqëruara me një ose më shumë sëmundje kronike dhe vdekje të parakohshme nga të gjitha shkaqet.
Një nga autorët Prof. Karlos (Carlos) Monteiro, profesor i të ushqyerit të shëndetit publik në Universitetin e Shën Palit (São Paulo), tha se gjetjet nënvizuan pse nevojiten veprime urgjente për të trajtuar UPF-në.
“Artikulli i parë në këtë seri të ‘Lancet’-it tregon se ushqimet ultra të përpunuara dëmtojnë çdo sistem të madh organesh në trupin e njeriut. Provat sugjerojnë fuqimisht se njerëzit nuk janë përshtatur biologjikisht për t'i konsumuar ato”.
Ai dhe kolegët e tij në Brazil dolën me sistemin e klasifikimit Nova për ushqimet.
Ai i grupon ato sipas nivelit të përpunimit, duke filluar nga një - ushqime të papërpunuara ose të përpunuara minimalisht, siç janë frutat dhe perimet e plota - deri në katër; ultra të përpunuara.
“Kjo kategori përbëhet nga produkte që janë prodhuar industrialisht, shpesh duke përdorur aroma artificiale, emulsifikues dhe ngjyrues.
Ato përfshijnë pije të gazuara dhe ushqime të paketuara, dhe kanë tendencë të jenë jashtëzakonisht të shijshme dhe me shumë kalori, por të ulëta në lëndë ushqyese.
Ato janë gjithashtu të dizajnuara dhe të tregtuara për të zëvendësuar ushqimin e freskët dhe vaktet tradicionale, duke maksimizuar fitimet e korporatave”, tha Prof. Monteiro.
Kritikët argumentojnë se UPF është një kategori e papërcaktuar mirë dhe politikat ekzistuese shëndetësore, të tilla si ato që synojnë uljen e konsumit të sheqerit dhe kripës, janë të mjaftueshme për t'u përballur me kërcënimin.
Prof. Monteiro dhe bashkautorët e tij pranuan kritika të vlefshme shkencore të Nova dhe UPF - të tilla si mungesa e provave klinike dhe komunitare afatgjata, një kuptim në zhvillim i mekanizmave dhe ekzistenca e nëngrupeve me vlera të ndryshme ushqyese.
Megjithatë, ata argumentuan se hulumtimet e ardhshme nuk duhet të vonojnë veprimet e menjëhershme për të trajtuar plagën e UPF-së, të cilën, ata thonë se justifikohet nga provat aktuale.
“Konsumi në rritje i ushqimeve ultra të përpunuara po riformëson dietat në mbarë botën, duke zëvendësuar ushqimet dhe vaktet e freskëta dhe minimalisht të përpunuara”, paralajmëroi Prof. Monteiro.
“Ky ndryshim në atë që njerëzit hanë nxitet nga korporata të fuqishme globale që gjenerojnë fitime të mëdha duke u dhënë përparësi produkteve ultra të përpunuara, të mbështetura nga marketingu i gjerë dhe lobimi politik për të ndaluar politikat efektive të shëndetit publik që mbështesin të ushqyerit e shëndetshëm”, tha ai.
Dokumenti i dytë i serisë propozon politika për të rregulluar dhe zvogëluar prodhimin, marketingun dhe konsumin e UPF-së.
“Edhe pse disa vende kanë miratuar rregulla për të riformuluar ushqimet dhe për të kontrolluar UPF-në, përgjigja globale e shëndetit publik është ende në zhvillim e sipër, e ngjashme me atë ku ishte lëvizja e kontrollit të duhanit dekada më parë”, tha ai.
Dokumenti i tretë thotë se korporatat globale, jo zgjedhjet individuale, po nxisin rritjen e UPF-së.
“UPF është një shkak kryesor i pandemisë së sëmundjeve kronike të lidhura me dietën, me kompanitë ushqimore që vënë fitimin mbi të gjitha”, thanë autorët.
Pengesa kryesore për mbrojtjen e shëndetit janë aktivitetet politike të korporatave, të koordinuara në nivel ndërkombëtar përmes një rrjeti global grupesh kryesore, iniciativash me shumë palë të interesuara dhe partnerësh kërkimorë, për t’iu kundërvënë kundërshtimit dhe për të bllokuar rregulloret.
Bashkautori Prof. Beri (Barry) Popkin, nga Universiteti i Karolinës së Veriut, tha se:
1- “Ne bëjmë thirrje për përfshirjen e përbërësve që janë shënjues të UPF-ve në etiketat në pjesën e përparme të paketimit, së bashku me yndyrnat e ngopura të tepërta, sheqerin dhe kripën, për të parandaluar zëvendësimet e pashëndetshme të përbërësve dhe për të mundësuar rregullim më efektiv”.
Autorët propozuan gjithashtu kufizime më të forta të marketingut, veçanërisht për reklamat që u drejtohen fëmijëve, si dhe ndalimin e UPF-së në vende publike si shkollat dhe spitalet dhe vendosjen e kufizimeve në shitjet e UPF-së dhe hapësirën në raftet e supermarketeve.
Një histori suksesi është programi kombëtar i ushqimit në shkolla i Brazilit, i cili, ka eliminuar pjesën më të madhe të UPF-së dhe do të kërkojë që 90% e ushqimit të jetë i freskët ose i përpunuar minimalisht deri në vitin 2026.
Shkencëtarët që nuk ishin të përfshirë në seri e mirëpritën gjerësisht shqyrtimin e provave, por gjithashtu kërkuan më shumë kërkime mbi UPF-në, duke paralajmëruar se lidhja me dëmtimin e shëndetit mund të mos nënkuptojë shkakësi.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































Comments