PËRVJETORI I TIANANMENIT SOLLI PËRPLASJE MES SEKRETARIT TË SHTETIT TË SHBA-ës MARKO (MARCO) RUBIO DHE ZËDHËNËSIT TË MINISTRISË SË JASHTME KINEZE LIN JIAN.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 2 days ago
- 3 min read

Uashington, Amerikë | ShBA-ës dhe Kina përplasen për ngjarjet në sheshin Tiananmen.
Në 36-vjetorin e shtypjes brutale nga Ushtria Çlirimtare Popullore ndaj mijëra protestuesve që kërkonin reforma demokratike, sekretari i Shtetit i ShBA-ës, Marko (Marco) Rubio, dha një goditje të fuqishme.
“Bota, nuk do t'i harrojë kurrë ngjarjet e përgjakshme të vitit 1989”, tha ai.
Pekini u përgjigj duke i quajtur komentet e tij një sulm ndaj Kinës.
“Partia Komuniste Kineze kërkon në mënyrë aktive të censurojë faktet, por bota nuk do t'i harrojë kurrë”, tha ish-senatori i Floridës.
“Sot, ne përkujtojmë guximin e popullit kinez të vrarë ndërsa përpiqeshin të ushtronin liritë e tyre themelore, si dhe ata që vazhdojnë të përballen me persekutim ndërsa kërkojnë drejtësi për ngjarjet e 4 qershorit 1989”, tha sekretari Rubio në një deklaratë.
“Guximi i tyre përballë rrezikut të pashmangshëm na kujton se parimet e lirisë, demokracisë dhe vetëqeverisjes nuk janë vetëm parime amerikane.
Këto janë parime humane që Partia Komuniste Kineze nuk mund t’i fshijë”, përfundoi Sekretari i Shtetit.
“Pavarësisht se është një tabu e censuruar rëndë, Pekini i është përgjigjur çështjes, duke denoncuar deklaratat e pasakta sepse ato shtrembërojnë me qëllim faktet historike, sulmojnë qëllimisht sistemin politik dhe rrugën e zhvillimit të Kinës dhe ndërhyjnë seriozisht në punët e saj të brendshme”, komentoi zëdhënësi i ministrisë së Jashtme Lin Jian, duke shprehur pakënaqësi të thellë dhe kundërshtim të vendosur.
“Ne kemi paraqitur një protestë solemne ndaj palës amerikane”, shtoi z. Lin në njoftimin e përditshëm.
Më 4 qershor 1989, trupat dhe tanket kineze larguan me forcë protestuesit paqësorë nga Sheshi Tiananmen i Pekinit pas muajsh protestash që kërkonin liri më të mëdha politike.
Numri i saktë i të vdekurve mbetet i panjohur, por vlerësohet të ketë qenë disa qindra.
Që atëherë, udhëheqësit komunistë janë përpjekur të shtypin çdo përmendje publike të shtypjes, mes censurës në internet dhe mediave të huaja të qortuara për mbulimin e përvjetorit.
Megjithatë, është interesante të krahasohet deklarata e sekretarit Rubio më 4 qershor me atë të paraardhësit të tij Entëni (Antony) Blinken në vitin 2024.
Është mjaft e ngjashme, por tregon edhe një qëndrim të ndryshëm për sekretarin Rubio ndaj Kinës.
Partia Komuniste e Kinës (PKK) është në shënjestër, në vend të Republikës Popullore të Kinës, ndërsa çdo referencë ndaj ligjit ndërkombëtar ose Kombeve të Bashkuara zhduket, me një apel të përgjithshëm ndaj parimeve humane universale.
Deklarata e sekretarit Rubio, për më tepër, nuk e lidh 4 qershorin me çështjet aktuale të të drejtave të njeriut në Tibet, Hong Kong ose Xinjiang, diçka që bëri sekretari Blinken.
Me ish-koloninë britanike tani të normalizuar, Tajvani mbetet i vetmi vend ku flitet gjuha mandarine ku Tiananmeni kujtohet me ngjarje të ndryshme publike.
“Regjimet autoritare fshijnë historinë; demokracitë kanë detyrë ta ruajnë atë. Sot, ne kujtojmë ata që marshuan për liri në Sheshin Tiananmen”, shkroi presidenti Uilliam (William) Lai në rrjetin social virtual Iks (X).
“Tajvani qëndron fort me partnerë me mendje të ngjashme në mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut për të siguruar një shoqëri të lirë për brezat e ardhshëm”, shtoi presidenti Lai, të cilin, Pekini e ka akuzuar si shqetësues dhe avokat të pavarësisë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments