top of page
E BARDHË SHIRIT.png

PO VJEN NJË VAKSINË KUNDËR FORMAVE TË SHUMTA TË KANCERIT | REZULTATE POZITIVE NGA TESTET NË MINJ.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Oct 21
  • 2 min read
Qeliza e kancerit të gjirit.
Qeliza e kancerit të gjirit.

Masaçusets, Amerikë | Është zhvilluar një vaksinë eksperimentale me nanopjesëza, që, në testet paraklinike te minjtë, është treguar se është e aftë të parandalojë melanomën, kancerin e pankreasit dhe kancerin e gjirit trefish negativ.


Deri në 88% të kafshëve të vaksinuara nuk e zhvilluan sëmundjen; për më tepër, vaksina gjithashtu uli, dhe në disa raste parandaloi plotësisht, përhapjen e tumorit.


Gjetjet janë botuar në revistën “Cell Reports Medicine” nga studiues në Universitetin Massachusetts Amherst.


Risia e studimit qëndron në inxhinierinë e nanopjesëzave lipide që paraqesin peptide (antigjene) specifike për tumorin, të ngjashme me etiketat që i njoftojnë qelizat tona imune për një kërcënim (pak a shumë si vaksina e gripit, e cila, përmban pjesë të virusit të inaktivizuar).


Për të rritur fuqinë e vaksinës, u shtua edhe një super adjuvant, duke e stimuluar më tej sistemin imunitar për të kaluar në ofensivë.


Në eksperimentin e parë, studiuesit vaksinuan një grup minjsh me nanopjesëza që përmbanin peptide të melanomës, përpara se t'i ekspozonin kafshët ndaj qelizave të melanomës disa javë më vonë.


Nga minjtë e vaksinuar, 80 % mbijetuan dhe mbetën pa tumor për kohëzgjatjen 250-ditore të studimit.


Në të kundërt, të gjithë minjtë që nuk u vaksinuan ose që morën formulime të ndryshme ngordhën brenda shtatë javësh.


Në testin e dytë, ekipi zëvendësoi antigjenet e tumorit me një lizat të përbërë nga qeliza tumorale të fragmentuara.


Edhe këtu, vaksina rezultoi efektive, duke vepruar si mburojë në 88% të minjve të ekspozuar ndaj kancerit të pankreasit, 75% të atyre të ekspozuar ndaj kancerit të gjirit trefish negativ dhe 69% të atyre të ekspozuar ndaj melanomës.


Rezultatet janë aq premtuese saqë studiuesit kanë themeluar tashmë një startup, NanoVax Therapeutics, për ta sjellë vaksinën nga laboratori në klinikë sa më shpejt të jetë e mundur.


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page