PJESË PËRGJIMESH TË KRYERA NDAJ POLICIT OLTION BISTRI DHE BIZNISMENIT PËLLUMB GJOKA | “SPAK”.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Aug 4, 2023
- 3 min read

Tiranë, Shqipëri | Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga dosja e operacionit të koduar “Metamorfoza”, e Prokurorisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila, lëshoi 15 urdhër-arreste ndaj një segmenti të agjenturës shqiptare të krimit ordiner, ndaj një morie individësh, që akuzohen se u përkasin strukturave të krimit të organizuar, që vepron në territorin e Republikës së Shqipërisë, dhe jashtë saj.
Nga përgjimet e marra nga aplikacioni Skai (Sky), një aplikacion tejet i fshehur dhe i koduar nga ekspertë të lartë të tekologjisë, i përdorur nga agjentura shqiptare dhe ndërkombëtare e krimit ordiner, dhe i thyer më pas nga autoritetet e huaja të zbatimit të ligjeve, zbulohen detaje që lidhen me përmendjen e emrit të z. Rebani Jaupi, i cili (përveç të tjerash, ka mbajtur edhe postin e zv. Drejtorit të Përgjithshëm, të Policisë së Shtetit) në atë kohë ushtronte funksionin e Drejtorit të Policisë Vendore së Tiranës.
Pikërisht në zonën e tij, biznesmeni Pëllumb Gjoka kishte një kazino, veprimtaria e së cilës nuk lejohej nga ligji, dhe për funksionimin në kundërshtim me ligjet të së cilës, sipas përgjimeve në dosjen e Prokurorisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ishte ankuar vetë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi.
Z. Oltion Bistri i raportonte biznesmenit Pëllumb Gjoka, duke u shprehur: “Se di pse ka frikë Rebo, lekët do marri! Na qenka ankuar edhe Lleshaj.”
Z. Pëllumb Gjoka flet me z. Oltian Bistri, ky i fundit i shkruan: “O vlla keq puna me keto. Me thirrën lart, se mbajmë dot pikën aty. A tju q**sh ropt këtyre. Se di. Më duket se është interesuar Leshi vetë por mos fol me asnjë. Lidhje shoqërore e jotja etj.”
Në komunikimet që z. Oltion Bistri ka në dosje thotë se flet vazhdimisht për çështjen e kazinosë me “Rebaniun”, madje edhe për një “Ardi”, tjetër polic që përmendet në komunikimet mes tij dhe z. Pëllumb Gjoka.
Sipas asaj që ish-shefi i Komisariatit nr.2 Oltion Bistri i thotë pronarit të kazinosë, z. Pëllumb Gjoka: “Ka frikë Rebaniu se i paskan thënë për këtë rastin dhe është tremb”, apo “ik fli tani apo ke puntorë brenda? Kush është klienti më i fortë? I ke marrë ndonjë Tajvanit? Ty të duhen me lek, jo ata që s’i lënë andej. Ata që si lënë janë të mbaruar. Prit një herë të mbarojë aksioni. Unë e bëra për ty këtë se smë ngrenë ato 1500 euro që marr. Se veç për ty e lashë. është muhabet vk. Edhe për anë morale më tepër. Se vetëm stres. Vetëm këto sa bëjnë ti lutem Rebos aman. Ai lekët do marri dhe kot i merr. Se di pse ka frikë” i shkruan z. Oltion Bistri z. Pëllumb Gjoka.
Në datën 20 shkurt të vitit 2020, në një bisedë të përgjuar z. Oltion Bistri i shkruan z. Pëllumb Gjoka: “Tani do fillojë për pak, ik futu gjëkundi se s’i dihet, mos rri në qarkullim dhe fike telefonin. Po kot mos si dihet. Se di. Akoma sna i kanë sjellë emrat dhe vendet. Dr tha do e heq pikën nga lista, jo e din Rebua vete ska nevojë.”
Në atë kohë Rebani Jaupi ishte Drejtor i Policisë së Tiranës dhe informacionet që vinin për z. Pëllumb Gjoka kanë të bëjnë me një operacion të quajtur “Fati i lojërave”.
Duket se z. Oltion Bistri sugjeron se Drejtori i Policisë do ta heqë pikën e z. Pëllumb Gjoka nga lista e kontrolleve për lojërat e paligjshme të fatit.
Në dosje gjithashtu përmendet sesi z. Oltion Bistri u thoshte efektivëve të mbyllnin një sy, atëherë kur duhej.
{Më datë 20.01.2020 ora 20.32 shtetasi Pellumb Gjoka duke përdorur 7142D9 komunikon me përdoruesin e DB7ED1 i identifikuar si Oltian Bistri. Ky i fundit i shkruan: “Ka qenë qetësi kaq kohë. Sot nga 7, pati nja dy tel, ka kazino, rulet etj. Por ska problem se i thash cunave e bërën sikur erdhën dhe nuk konstatuan gjë”, thuhet në dosje.}
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox









___.png)


















































Comments