top of page
E BARDHË SHIRIT.png

PAS PËRFUNDIMIT TË SAJ LUFTA NË GAZA DO TË VAZHDOJË TË FORMËSOJË IZRAELIN.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Jan 23, 2024
  • 5 min read

Nga gazeta Ekonomisti (The Economist).

Uashington, Amerikë | Gjeneralët e Izraelit po e quajnë vitin 2024 një “vit lufte”. Ky është një parashikim shumë i mirë, duke pasur parasysh gjakderdhjen e vitit 2023.

Ata besojnë se do të duhen shumë muaj për të çmontuar aftësitë ushtarake të Hamasit.

Për momentin, fokusi i Izraelit mbetet në betejat e tij të menjëhershme në Gaza, dhe fatin e më shumë se 130 pengjeve që ende mbahen atje.

Por, është gjithnjë e më e qartë, se edhe pas përfundimit të luftimeve, ndikimi i kësaj lufte do të ndihet për vite me radhë në strategjinë ushtarake të Izraelit, dhe si rrjedhojë në ekonominë e tij.

Kjo është lufta më e keqe e Izraelit në gjysmë shekulli, për sa i përket viktimave, dhe më e zgjatura, që nga konflikti i viteve 1948-1949, të cilin, vendi e quan Lufta e tij e Pavarësisë.

Ekonomistët i referohen viteve midis luftës së Jom Kipurit (Yom Kipur), në vitin 1973, dhe pushtimit të Izraelit të Libanit në vitin 1982, si “dekadën e humbur”.

Shpenzimet e mbrojtjes u rritën, ashtu si deficiti dhe inflacioni, ndërsa investitorët e huaj qëndruan larg. Izraeli i shpëtoi falimentit financiar vetëm duke miratuar një plan drastik stabilizimi ekonomik në vitin 1985.

Megjithëse ka dallime të mëdha midis ekonomisë së Izraelit tani dhe më pas, nga sektori i teknologjisë lider në botë, deri te rezervat e tij të shumta valutore, disa izraelitë shqetësohen se një luftë e zgjatur, mund të jetë një zvarritje afatgjatë për rritjen.

Përpara 7 tetorit 2023, FMN-ja priste që PBB-ja e Izraelit të rritej me 3.1% në vitin 2023, dhe 3% në vitin 2024, më shumë se dyfishi i mesatares së vendeve të pasura.

Deficiti për vitin 2023 ishte parashikuar në vetëm 0.9% të PBB-së. Borxhi publik, i cili, qëndronte në 61% të PBB-së në fund të vitit 2022, kishte rënë me dhjetë pikë që nga pandemia.

Por, lufta po ngadalëson rritjen, dhe po çon në një deficit më të gjerë. Banka e Izraelit pret që PBB-ja të rritet me 2% këtë vit.

Të tjerët janë më pesimistë: OECD parashikon 1.5% dhe S&P, një agjenci vlerësimi, vetëm 0.5%.

Ndërkohë, deficiti ka arritur në 4.2% të PBB-së - më i larti i Izraelit që nga viti 2012 (përveç vitit 2020, gjatë pandemisë).

Mungesa erdhi nga shpenzimet e luftës prej 17 miliardë shekelësh (4.5 miliardë dollarësh, ose 1% e PBB-së) vetëm në muajin dhjetor, si dhe një rënie prej 8% në të ardhurat nga taksat në vitin 2023.

Një buxhet i amenduar për vitin 2024 shton 55 miliardë shekelësh në shpenzimet e mbrojtjes (3% e PBB), imponon shkurtime në shumë ministri civile, dhe parashikon një deficit buxhetor prej 6.6% të PBB-së.

Megjithëse shumica e këtyre shpenzimeve në rritje, lidhen drejtpërdrejt me luftën aktuale, Izraeli nuk ka gjasa të kthehet në ekonominë e tij të paraluftës, kur luftimet në Gaza të përfundojnë përfundimisht.

Si fillim, duket se po përmbys një prirje shumëvjeçare të zvogëlimit të përmasave të forcave të tij tokësore.

Para sulmit nga Hamasi në tetor, Izraeli kishte shpenzuar miliarda për mbrojtjen e tij raketore, dhe një gardh të sofistikuar kufitar, duke shpresuar se teknologjia mund të zëvendësonte ushtarët.

Këto mbrojtje nuk arritën të ndalonin terroristët të kalonin kufirin. “Ne u mbështetëm në teknologji dhe menduam se nuk do të manovronim më në formacione të mëdha”, thotë një gjeneral veteran. “Kjo ishte e gabuar.

Si përgjigje, Izraeli thirri më shumë se 300000 rezervistë, duke mbytur ekonominë.

Ministria e Punës vlerësoi në muajin nëntor se 18% e punëtorëve të Izraelit nuk mund të bënin punën e tyre. Kjo përfshinte rezervistët, si dhe më shumë se 100000 njerëz të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Mungesa e tyre po prek sektorët jetik. Shumë nga sipërmarrësit dhe inxhinierët e teknologjisë izraelite tani janë në uniformë.

Instituti Start-Up Nation Policy, një think-tank izraelit, zbuloi se startup-et izraelite mblodhën vetëm 1.3 miliardë dollarë në tremujorin e katërt të vitit 2023, 46% më pak nga viti i kaluar, dhe shifra më e ulët që nga viti 2017.

Megjithëse mijëra rezervistë tani po dërgohen në shtëpi - shumë të tjerë do të lirohen deri në fund të janarit - Izraeli synon të mbajë dy herë më shumë ushtarë që të ruajnë kufijtë e tij sesa para luftës.

Më parë rreth 130000 rezervistë ishin në shërbim aktiv, që do të thotë se ata kaluan të paktën 20 ditë në detyrë për tre vjet.

Tani ushtria do të thërrasë gati tre herë më shumë prej tyre. Kjo nuk do të jetë e lirë, sepse paguan rrogat e civilëve dhe përfitimet e atyre që ka thirrur.

Për të financuar këtë, qeveria do të duhet të rrisë shpenzimet e mbrojtjes me rreth 1% të PBB-së në terma afatgjatë.

Të bësh këtë do të kërkonte rritje taksash ose shkurtime të shpenzimeve diku tjetër.

Qeveria gjithashtu do të ketë nevojë për para për të blerë tanke, dhe pajisje për të pajisur një forcë të zgjeruar, e cila, përfshin një batalion tankesh të sapoformuar, dhe një brigadë të sigurisë kufitare.

Ajo gjithashtu do të duhet të plotësojë rezervat e saj të varfëruara të municioneve.

Shumë prej atyre që heqin uniformat e tyre, po marrin vetëm një pushim të shkurtër, dhe tashmë u janë dhënë datat e thirrjeve së tyre të radhës në vetëm disa muaj.

Por, kthimi i tyre në jetën civile mund të jetë politikisht me pasoja. Pas një lufte të përgjakshme në vitin 1973, dhe dy të tjera në Liban - në vitet 1982 dhe 2006 - rezervistët që u kthyen nga luftimet udhëhoqën protesta që përfundimisht rrëzuan qeveritë e asaj kohe.

Izraeli u tërhoq në këtë luftë pas nëntë muajsh trazirash civile, mbi përpjekjet e qeverisë së krahut të djathtë, të udhëhequr nga Benjamin Netanjahu, për të dobësuar gjykatat, dhe për të kontrolluar emërimin e gjyqtarëve.

Këto trazira sociale janë një arsye pse investimet në sektorin e teknologjisë ishin të pakta përpara 7 tetorit 2023.

Megjithatë që atëherë protestat që kishin tronditur qytetet kryesore të Izraelit u pezulluan, ndërsa vendi u bashkua.

Shumë prej të përfshirëve e kthyen lëvizjen në një fushatë, për të shpërndarë ndihma për të zhvendosurit.

Shumica e drejtuesve të protestave kundër reformave ligjore, janë të kujdesshëm për të dëmtuar atë unitet, duke rifilluar demonstratat përpara se të ketë armëpushim.

Por, zemërimi po rritet: mbi tre të katërtat e izraelitëve thonë se duan që kryeministri të largohet, pasi të përfundojë lufta.

Protestat që kanë rifilluar kundër tij janë ende të vogla, por nëse rezervistët e kthyer u bashkohen në numër të madh, kjo mund të shënojë fillimin e fundit të tij.

Kushdo që zëvendëson z. Netanjahu, një brez i të rinjve izraelitë që punojnë do të duhet të paguajë për këtë luftë nga xhepat e tyre, dhe në muajt e detyrës rezervë, për vitet në vijim.

Kjo do të formësojë mënyrën se si ata e shohin vendin e tyre, dhe se si do të ndërtojnë të ardhmen e tij.

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page