NË SHQIPËRI PASTROHEN PARATË E KRIMEVE (DROGË + KORRUPSION) PRANDAJ BANESAT JANË TË SHTRENJTA.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Dec 1, 2023
- 2 min read

Bruksel, Belgjikë | Një raport i Komisionit Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara, që ka bërë një vlerësim të profilit të Shqipërisë, në aspektin e zhvillimit urban, strehimit dhe menaxhimit të tokës, nënvizon gjithashtu se rritja e çmimeve është pjesërisht e ndikuar edhe nga pastrimi i parave. “Zhvillimet formale të organizuara synojnë segmente të banesave me çmime të larta. Deri në 32% e pronave rezidenciale dhe komerciale të shitura në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 janë blerë nga jorezidentë; pastrimi i parave ka qenë një faktor kontribuues i rritjes së çmimeve në Tiranë, dhe në zonat bregdetare. Tirana është ndër shtatë qytetet kryesore evropiane me nivele të larta të papërballueshmërisë së banesave” thuhet në përmbajtjen e raportit kushtuar Shqipërisë. Raporti analizon se blerja e një banese nga familjet me të ardhura të ulëta është bërë e vështirë ose e papërballueshme. “Në këtë sfond, ndërtesat me shumë apartamente të trashëguara nga epoka socialiste vuajnë nga mungesa e investimeve, dhe mungesa e mirëmbajtjes. Shkalla e mbipopullimit për popullsinë e përgjithshme është më shumë se 58%, që është më e larta në Evropë, me përjashtim të Malit të Zi. Këto pabarazi strukturore në tregjet e banesave e bëjnë të papërballueshme aksesin në strehim për grupet me të ardhura të ulëta” thuhet në përmbajtjen e raportit. Dokumenti i publikuar së fundmi parashtron se në Shqipëri, neni 59 i Kushtetutës njeh të drejtën për strehim të përshtatshëm dhe të përballueshëm si një të objektivave socialë të shtetit shqiptar, dhe neni 18 për barazinë, siguron mbrojtjen e grupeve të ndryshme shoqërore kundër çdo forme diskriminimi. “Megjithatë, pas privatizimit masiv dhe ndërtimeve informale në vitet 1990, sektori i banesave në Shqipëri dominohet nga zotërimi privat i shtëpive, me shumë shtëpi të reja të vetë-ndërtuara, dhe ndërtesa të tjera të ngritura fillimisht ilegalisht, dhe në zonat e banuara. Sektori me qira i banesave sociale (qoftë publik, privat apo i përzier) në Shqipëri është shumë i vogël, duke përfaqësuar rreth 0.1% të totalit të banesave të banuara. Ky sektor nuk mund të konkurrojë tregun privat. Tregu i banesave me kredi hipotekore sapo po zhvillohet (pjesa e pronarëve të shtëpive që paguajnë një kredi të tillë është më e vogël se 1%). Kjo është pjesërisht për shkak të rolit të rëndësishëm të sektorit informal dhe të vetë-ndërtuar ku aktiviteti i ndërtimit bëhet përmes parave kesh (cash) dhe remitancave” thuhet në përmbajtjen e raportit. Nga z. Erton Duka. © Copyright | Agjencia Telegrafike Vox Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)










































Comments