NË BRAZIL U ARESTUAN 4 USHTARAKË DHE 1 POLIC | AKUZOHEN PËR KOMPLOT PËR TË VRARË PRESIDENTIN LULA NË VITIN 2022.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Nov 19, 2024
- 2 min read

Brasilia, Brazil | Policia në Brazil ka arrestuar pesë persona të dyshuar se planifikonin të vrisnin z. Luiz Inácio Lula da Silva pak para se të betohej si president.
“Katër nga të arrestuarit të martën janë ushtarë dhe një polic”, njoftuan mediat lokale.
Të pestë dyshohet se ishin pjesë e një komploti për të vrarë presidentin e zgjedhur Lula dhe kandidatin e tij nënpresident, Geraldo Alckmin, më 15 dhjetor 2022, pak më shumë se dy javë përpara inaugurimit presidencial.
Z. Lula u zgjodh në tetor 2022, duke mposhtur ngushtë presidentin aktual Jair Bolsonaro, i cili, kurrë nuk e pranoi publikisht humbjen.
Një javë pasi z. Lula u betua, mbështetësit e z. Bolsonaro sulmuan Kongresin, Gjykatën e Lartë dhe pallatin presidencial dhe vandalizuan ndërtesat.
Policia përfundimisht spastroi ndërtesat nga rebelët dhe arrestoi mijëra prej tyre.
Hetimet për ngjarjet e 8 janarit 2023, si dhe tentativat e mëparshme të supozuara për të parandaluar që z. Lula të betohet, kanë nisur që atëherë.
Megjithatë, kjo është hera e parë që policia zbulon një tentativë të dyshuar për vrasjen e z. Lula.
Faqja braziliane e lajmeve G1 tha se ajo që ishte veçanërisht shqetësuese ishte se katër nga të arrestuarit ishin anëtarë aktivë të ushtrisë dhe i pesti një pjesëtar në shërbim i forcës policore.
Agjencia e lajmeve AFP citoi një burim të policisë federale të thoshte se katër ushtarët u arrestuan në Rio, ku po merrnin pjesë në operacionin e sigurisë për takimin e liderëve të G20 që po zhvillohet aktualisht në qytetin brazilian.
Sipas G1, katër ushtarët, të cilët kishin pasur stërvitje të forcave speciale, akuzohen se ishin pjesë e një organizate kriminale që komplotonte kundër z. Lula.
Policia federale e Brazilit tha në një deklaratë se hetimet e saj tregon se organizata kriminale përdori një nivel të lartë njohurish tekniko-ushtarake për të planifikuar, koordinuar dhe ekzekutuar veprime të paligjshme në muajt nëntor dhe dhjetor 2022.
Sipas deklaratës, komplotistët nuk kishin planifikuar vetëm të vrisnin presidentin e zgjedhur dhe zëvendëspresidentin e zgjedhur, por gjithashtu donin të arrestonin dhe ekzekutonin një anëtar të Gjykatës së Lartë pasi grushti i tyre të ishte i suksesshëm.
Policia tha se komplotistët e kishin quajtur operacionin “kamë jeshile dhe e verdhë”, duke iu referuar ngjyrave të flamurit brazilian.
Sipas policisë federale, komplotistët kishin debatuar se si të neutralizonin më mirë z. Lula dhe z. Geraldo Alckmin dhe dyshohet se kishin vendosur të helmonin presidentin e zgjedhur.
Arrestimet u kryen në orët e para të mëngjesit të së martës me orën lokale dhe u autorizuan nga gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Alexandre de Moraes.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)













































Comments