NATO-ja ËSHTË GATI TË DËRGOJË MË SHUMË TRUPA NË KOSOVË NË RAST SE PLASIN TRAZIRA TË REJA.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 1 hour ago
- 3 min read

Prishtinë, Republika e Kosovës | “NATO-ja është gati të shtojë numrin e trupave në Kosovë nëse tensionet midis pakicës serbe ndizen përsëri”, tha të martën zëvendëskomandanti i misionit paqeruajtës të aleancës (KFOR), ndërsa afrohet afati i fundit në një mosmarrëveshje me qeverinë për targat e makinave.
“Jemi vigjilentë dhe të gatshëm të veprojmë… nëse kemi një rritje të tensioneve, por mund të mbështetemi edhe në forcat rezervë… të cilat mund t’i thërrasim me një njoftim të shkurtër”, u tha gjeneral brigade Luka (Luca) Piperni gazetarëve në selinë e KFOR-it në Prishtinë.
Trazirat midis serbëve të Kosovës për shkak të një kërkese që ata të përdorin targat e lëshuara nga shteti deri më 31 tetor kanë rritur frikën e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë, më shumë se dy dekada pasi Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) bombardoi Serbinë për t'i dhënë fund represionit ndaj shumicës shqiptare të Kosovës.
Serbët e Kosovës në veri aktualisht përdorin targa të vjetra serbe të makinave që janë lëshuar para luftës së vitit 1999 ose që janë riprodhuar më vonë për t'u dukur si targat e vjetra të makinave.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008, dhe serbët në veri të Kosovës e konsiderojnë Beogradin, jo Prishtinën, si kryeqytetin e tyre.
Rreth 3700 paqeruajtës të NATO-s, janë ende të stacionuar në ish-provincën serbe për të parandaluar dhunën midis shqiptarëve etnikë dhe serbëve.
Përpjekjet për të futur targat e Kosovës në veriun e Kosovës, të banuar kryesisht nga serbët, këtë verë çuan në përleshje midis policisë dhe serbëve vendas, të cilët, ngritën barrikada.
Barrikadat u çmontuan vetëm kur ndërhynë paqeruajtësit e NATO-s dhe Kosova pranoi të shtynte rregullin e licencimit.
Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përshëndeti qetësimin e situatës dhe tha se tani ishte e rëndësishme të shmangej çdo përshkallëzim i ri.
“Dhuna nuk ka vend në rajon. KFOR-i mbetet vigjilent dhe është i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti”, nënvizoi ai.
Gjeneral brigade Piperni e përshkroi situatën si të qetë, por të brishtë për momentin, dhe tha se NATO nuk mund të përjashtonte tensione të reja ose dhunë në veri ndërsa afrohet afati i 31 tetorit.
“Nëse situata përkeqësohet, ne jemi të gatshëm të ndërhyjmë, jemi të gatshëm të jemi në mes midis protestuesve dhe organizatave të sigurisë”, tha ai, duke shtuar se ata kanë trupa jashtë Kosovës që NATO mund t’i tërheqë si përforcime.
Duke folur në urën Austerlitz në Mitrovicën e ndarë etnikisht, vendi i disa prej përleshjeve më të rënda midis serbëve dhe shqiptarëve në të kaluarën, koloneli Mauricio (Maurizio) Mele tha se KFOR-i po bashkëpunonte me banorët e qytetit dhe, në të njëjtën kohë, ishte i përgatitur mirë për t'u përballur me çdo tension të ardhshëm.
Ai tha se njësia e tij e karabinierëve po ruante urën 24 orë në ditë.
“Mund t’ju siguroj se jemi gati të reagojmë në një kohë shumë të shkurtër” nëse protestat shpërthejnë në një mënyrë që kërkon veprim, tha koloneli Mele, ndërsa në sfond, nënat po shëtisnin me fëmijët e tyre përtej urës dhe qentë endacakë shtriheshin duke dremitur në diell pranë SUV-ve të ushtarëve.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































Comments