top of page
E BARDHË SHIRIT.png

ME KËRKESË TË SPAK-ut DHE ME MIRATIMIN E GJKKO-së U ARRESTUA KRYETARI I BASHKISË SË TIRANËS ERION VELIAJ | BASHKËSHORTJA AJOLA XOXA ME MASË SIGURIMI “ARREST NË SHTËPI”: GJENDET NË ARRATI.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Feb 10
  • 5 min read

Updated: Feb 28

ree

Tiranë, Shqipëri | Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua pasditen e sotme (10.02.2025) me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe me miratimin e Gjykatës së Posaçme.

 

Një masë sigurimi “arrest në shtëpi” është shqiptuar edhe për bashkëshorten e tij, znj. Ajola Xoxa.

 

Arrest me burg është kërkuar dhe për një sipërmarrës, ndërsa për 5 të tjerë, masa më të buta sigurie.

 

Z. Veliaj dyshohet për korrupsion në 9 raste por edhe për pastrim parash.

 

Bashkëshortja e tij për mosdeklarim të pasurive.

 

Nën hetim penal ka përfunduar dhe deputetja socialiste Klotilda Bushka, nën dyshimet për “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

 

Z. Veliaj ndodhej në një mbledhje kur oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimeve janë shfaqur në zyrën e tij, ku i kanë komunikuar dhe urdhërin e arrestit të firmosur nga gjykatësi.

 

Ata e kanë shoqëruar më pas jashtë mjediseve të Bashkisë drejt paraburgimit.

 

Për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, urdhëri i arrestit në shtëpi nuk është ekzekutuar, pasi mësohet se ajo ndodhet jashtë vendit.

 

Ndaj të dyve rëndojnë dyshimet për akuzat e korrupsionit në 9 raste si dhe të pastrimit të parave.

 

Ndërsa ndaj bashkëshortes së z. Veliaj, dhe dyshimet për mosdeklarim të pasurisë.

 

Sipas Prokurorisë, të dhënat e deritanishme kanë zbuluar se z. Veliaj dhe bashkëshortja kanë vënë në jetë një skemë të organizuar për përfitime të paligjshme.

 

Fonde publike dhe leje ndërtimi, që firmoseshin nga kryebashkiaku për disa subjekte tregtare, përfundonin te disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, apo dhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh”, tha Prokuroria e Posaçme.

 

Në njoftim përmendet ndër të tjera një vilë në zonën bregdetare të Kavajës e përfituar përmes sipërmarrësve të lidhur me Bashkinë si dhe blerje me vlera të mëdha nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, duke i kamufluar këto blerje, përmes personave të tjerë.

 

Sipas hetimit penal, vetëm nga shoqëritë dhe OJF-të e kontrolluara nga zonja Xoxa si dhe nga disa shoqëri të tjera janë përfituar afro 1.1 milionë dollarë të ardhura.

 

Përmes kompanive të tjera dhe bashkëpunimit me disa sipërmarrës, sipas prokurorisë, është tentuar dhe futja e të ardhurave të paligjshme në sistemin bankar.

 

Bashkëshortja e z. Veliaj, sipas hetimit penal, vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online në veshje e bizhuteri, për më shumë se 800 mijë euro.

 

Shpenzime që nuk rezultojnë të deklaruara.

 

Në llogaritë bankare të saj apo shoqërive të kontrolluara prej saj janë sekuestruar 869 mijë euro, ndërkohë që gjatë kontrolleve në zyrat e znj. Xoxa janë gjetur cash 95 mijë euro, gati 15 mijë dollarë dhe mbi 600 mijë lekë.

 

Për një nga sipërmarrësit, Elman Abule, që sipas prokurorisë është përfshirë në bashkëpunimin me z. Veliaj dhe bashkëshorten e tij, është lëshuar urdhër arresti me burg.

 

Ai u arrestua pasdite vonë. Ndërsa për 5 të tjerë, është vendosur vetëm detyrim paraqitje.

 

Hetimet penale të karakterit paraprak kanë përfshirë dhe deputeten socialiste Klotilda Bushka, drejtuese e Komisionit të Ligjeve, e cila, ka lidhje të ngushta miqësie me z. Veliaj dhe bashkëshorten e tij, znj. Xoxa.

 

Ajo dyshohet për kryerje të veprës penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

 

Sipas prokurorisë ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se ajo ka kryer veprime aktive të kundërligjshme, të cilat kanë ndërhyrë në hetimin penal.

 

Z. Veliaj u përball me hetuesit në fund të muajit dhjetor, ku u mor në pyetje për gati 5 orë.

 

Ai deklaroi më vonë se ishte denoncuar nga një qytetar i quajtur Nesti Angoni, i cili siç ai u shpreh, “nuk ekziston", duke e cilësuar denoncimin si një kurth të sajuar anonim, pa dhënë detaje të mëtejshme.

 

Mbi arrestimin e z. Veliaj nuk ka patur ende asnjë koment nga qeveria apo partia socialiste.

 

Kryeministri Edi Rama, i cili javët e fundit ishte rishfaqur në krah të kryebashkiakut, ndërpreu disa aktivitete të parashikuara në Shkodër ku ndodhej që prej paradites, dhe u nis me urgjencë drejt Tiranës.

 

Shkëmbime fjalësh pati në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë për arrestimin e z. Veliaj.

 

Kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Sali Berisha, kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Rama, i cili, sipas tij, qëndron pas çdo veprimi “prej vasali” dhe nënshkrime për leje ndërtimesh të Erjon Veliajt.

 

I them Edi Ramës se nuk mund të fshihesh pas fustanit të Ajola Xoxës as pas Erjon Velisë. Populli i Tiranës ka protestuar 42 javë rresht para bashkisë për arrestimin e tij.


Për turpin e atyre që duan të mbrojnë Edi Ramën, nuk e akuzojnë për 130 milionë euro të inceneratorin e Tiranës.


Nuk e akuzojnë për 5D, as për taskat antikushtetuese dhe vjedhjet monstruoze të taskave”, tha z. Berisha në seancën parlamentare.

 

Ministri i shtetit për marrëdhëniet me Kuvendin, Taulant Balla, tha se shumica socialiste asnjëherë e në asnjë rast nuk komenton veprimet e drejtësisë gjatë hetimeve, ndërsa opozita e cilëson drejtësinë si të kapur sapo ajo vepron ndaj njerëzve të saj.

 

Ai ftoi opozitën që të bëjë kallzime në prokurori për çdo gjë që di në lidhje me korrupsionin ndaj kujtdo zyrtari.

 

Deputeti socialist Petro Koçi tha se sjelljet e opozitës duken paradoksale në raport me SPAK-un.

 

Çuditërisht ju në vend që të jeni të gëzuar, jeni të trishtuar. Ju ndiheni keq nga çdo veprim që bën SPAK-u, sepse SPAK-u sipas jush duhet të ishte një organizatë kriminale.


SPAK-u është zgjedhja jonë, nuk është zgjedhja juaj, që për turpin tuaj vazhdoni ta quani organizatë kriminale”, tha z. Koçi.

 

Z. Lulzim Basha drejtuesi i Demokratëve Euroatlantikë komentoi në rrjetet sociale se bashkia e Tiranës u shndërrua në vatër korrupsioni dhe në lavatriçe parash të pista nën drejtimin e Erion Veliajt dhe me mbështetjen e Edi Ramës.

 

Fundi i pandëshkueshmërisë është fundi i tranzicionit në Shqipëri”, tha z. Basha.

 

Ai vlerësoi vendosmërinë e SPAK-ut për t’i shkuar deri në fund aferave korruptive dhe nxiti institucionet e drejtësisë të veprojnë pa asnjë hezitim kundër korrupsionit në nivelet e larta.

 

Z. Basha tha se kryeministri Rama duhet të largohet teksa rritet numri i bashkëpunëtorëve të ngushtë të tij para drejtësisë për korrupsionin që vetëm ai nuk e sheh dhe nuk e parandalon, në mos është bashkëpunëtor i tyre në korrupsion.


Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i shoqëruar nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i shoqëruar nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i shoqëruar nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i shoqëruar nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
ree
ree

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page