LINDJA E MESME: TENSION I LARTË PAS SULMEVE NË OBJEKTET IZRAELITE NË ERBIL.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Jan 16, 2024
- 3 min read
Tel Aviv, Izrael | Tensioni vazhdon të rritet në Lindjen e Mesme, pasi, mbrëmë, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit kreu një sulm me raketa balistike kundër Erbilit, kryeqyteti i rajonit autonom të Kurdistanit irakian.
Agjencia kurdo-irakiane e shtypit “Rudaw” foli për katër civilë të vdekur (përfshirë dy fëmijë të moshës 11 dhe 18 muajsh), dhe 17 të tjerë të plagosur në sulm, si dhe për dëme të mëdha materiale, të shkaktuara në shtëpira, përfshirë shtëpinë e sipërmarrësi kurd, Bishru Dziyi, i cili, u vra.
Pasdaran (KGRI) pretendoi se kishte goditur me raketa balistike një nga selitë kryesore të spiunazhit të regjimit sionist (Izrael) në rajonin Kurdistan të Irakut, përgjegjës për planifikimin e veprimeve terroriste në rajon, dhe mbi të gjitha në Iran.
Nga ekspertë të ndryshëm kumtohet se ky sulm do të duhet parë më shumë si një sulm i synuar, dhe ndoshta duhet lexuar nga këndvështrimi i një përgjigjeje, nga regjimi i ajatollahëve, ndaj sulmit nga Shteti Islamik (IS) në Kerman, dhe vrasjet në shënjestër të liderëve të të ashtuquajturit “Boshti i Rezistencës”, i përbërë nga organizata paramilitare islamike si Hezbollahu dhe Hamasi, nga Izraeli.
Të paktën 94 persona u vranë, dhe 284 u plagosën, në sulmin e dyfishtë vetëvrasës të Shtetit Islamik, që ndodhi 3 janarin e kaluar në Kerman, gjatë përkujtimit të katër vjetorit të vdekjes së gjeneralit Kasem Sulejmani (Qassem Soleimani), komandant i Forcës Kuds (subjekt special i Pasdaranit - forcat e specializuara në operacionet e huaja), të eliminuara nga një dron amerikan në fillim të vitit 2020.
“Parandalimi nëpërmjet ndëshkimit, i përdorur nga Irani, nuk është i ri, dhe nuk sinjalizon domosdoshmërisht një zgjerim të konfliktit, përkundrazi, ndoshta metodat sugjerojnë se është jo në interesin e Iranit për të zgjeruar konfliktin. Megjithatë, nga pikëpamja rreptësisht iraniane, ishte nevoja për të kryer një operacion simbolik, ose në çdo rast, një operacion që do ta bënte të qartë se Irani nuk është i gatshëm t'i lejojë vetes të goditet pa u përgjigjur për një periudhë të gjatë kohore.”
Raportet e para nga Erbili tregonin për një sulm të mundshëm ndaj konsullatës amerikane në Erbil, por ajo nuk u godit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanaani, deklaroi se sulmet në Kurdistanin irakian janë kryer “me qëllim mbrojtjen e autonomisë, sovranitetit, dhe sigurisë së Iranit”.
Këto veprime, shtoi diplomati iranian, synojnë “të mbrojnë vendin, të luftojnë terrorizmin, dhe të përfaqësojnë një ndëshkim të drejtë, për ata që kërcënojnë sigurinë e Iranit.”
Nga ana e saj, qeveria e Irakut dënoi ashpër sulmet në Erbil, tërhoqi ambasadorin në Teheran për konsultime, dhe njoftoi masa ligjore kundër Iranit, duke përfshirë paraqitjen e një ankese në Këshillin e Sigurimit, të Kombeve të Bashkuara.
Në të njëjtat orë me sulmin iranian në Erbil, Pasdaran-i goditi objektivat që i atribuohen Shtetit Islamik në veri të Sirisë.
Këto operacione u zhvilluan gjithashtu në kuadrin e bombardimeve ajrore anglo-amerikane kundër pozicioneve ushtarake të rebelëve shiitë Huthi, të mbështetur nga Irani, në Jemen.
Që nga nëntori i kaluar, në fakt, Huthitë kanë filluar të kryejnë një sërë sulmesh kundër anijeve të ndryshme që kalojnë tranzit në Detin e Kuq (vetëm sot u godit një anije greke), një nga rrugët më të rëndësishme për tregtinë botërore, në përgjigje të asaj që konsiderohet një rrethimi i Gazës nga Izraeli.
Si rezultat, javën e kaluar, forcat e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe kryen një seri sulmesh ajrore dhe detare kundër pozicioneve Huthi në Jemen.
Ndërkohë, Katari ka pezulluar dërgimin e cisternave të gazit në Europë, dhe kompania e naftës Shell, ka vendosur gjithashtu të ndalojë lundrimin në Detin e Kuq.
Prandaj, këto ngjarje janë pjesë e një konteksti më të gjerë disbalancash që kanë karakterizuar rajonin prej disa muajsh.
Pas sulmit terrorist nga lëvizja islamike palestineze Hamas më 7 tetor 2023 në Izrael, me operacionin pasues të nisur nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) në Rripin e Gazës, tensionet në fakt janë intensifikuar në të gjithë rajonin. Në veçanti, në kufirin izraelito-libanez, përplasje ndodhin pothuajse çdo ditë midis IDF-së dhe lëvizjes shiite libaneze pro-iraniane Hezbollah.
Sot, megjithatë, sulmi i madh izraelit ndodhi në Libanin jugor, me mbi 20 bombardime në më pak se një orë.
Ndërkohë, në Siri dhe Irak, milicitë shiite pro-iraniane kanë kryer rreth njëqind sulme kundër bazave të Koalicionit Ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA kundër Shtetit Islamik.
Së fundi, në Gaza, ka një reduktim të pranisë ushtarake në pjesën veriore të Rripit, ndërsa operacionet izraelite janë të përqendruara në pjesën jugore, me shpresën se do të jenë në gjendje të çmontojnë përfundimisht milicitë islamike palestineze, dhe të lirojnë sa më shumë pengje që të jetë e mundur.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)













Comments