KUSH ËSHTË STIV UITKOF (STEVE WITKOFF)?; I DËRGUARI I POSAÇËM I PRESIDENTIT AMERIKAN DANLLD TRAMP (DONALD TRUMP) QË MERRET ME PRESIDENTIN RUS VLADIMIR PUTIN.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 6 hours ago
- 4 min read

Londër, Britani e Madhe | Nga pasuritë e paluajtshme te diplomacia ndërkombëtare: Këshilltari i besuar i presidentit duket ende larg gjetjes së një marrëveshjeje për territoret ukrainase.
Z. Stiv Uitkof (Steve Witkoff) e bëri pasurinë e tij në pasuri të paluajtshme përpara se të hynte në botën e diplomacisë dhe të takohej me z. Tramp (Trump).
Negociatat midis ShBA-ës dhe Rusisë për luftën në Ukrainë vazhdojnë.
Z. stiv Uitkof (Steve Witkoff), një mik i hershëm dhe këshilltar i besuar i presidentit Tramp (Trump), i cili, tani është përgjegjës për diplomacinë me Moskën, u takua me presidentin Vladimir Putin në Shën Petersburg.
Ky ishte takimi i tretë ballë për ballë brenda tre muajsh midis të dyve.
Takimi zgjati gati pesë orë dhe trajtoi çështjen e pesë territoreve të kontestuara: Krimesë, e aneksuar nga Rusia në vitin 2014, dhe rajoneve të Donetskut, Luganskut, Zaporizhzhisë dhe Khersonit, nën kontrollin e pjesshëm rus.
Duke folur për transmetuesin televiziv Faks Njuz (Fox News), z. Uitkof (Witkoff) tha se presidnti Putin ishte i interesuar për paqe të përhershme, jo vetëm për një armëpushim.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, në një intervistë me gazetën e përditshme ruse “Kommersant”, megjithatë, e zbuti entuziazmin, duke nënvizuar vështirësitë në arritjen e një marrëveshjeje mbi elementët kryesorë, ndërsa njohu meritën e Uashingtonit në shqyrtimin e problemit në thellësi, ndryshe nga Evropa.
Manjati i pasurive të paluajtshme që udhëheq diplomacinë amerikane: Z. Stiv Uitkof (Steve Witkoff) e bëri pasurinë e tij në pasuri të paluajtshme përpara se të hynte në botën e diplomacisë.
I lindur në vitin 1957 në Bronks (Bronx), ai filloi si avokat i specializuar në ligjin e pasurive të paluajtshme.
Në vitin 1997 ai themeloi “Witkoff Group”, duke blerë ndërtesa prestigjioze në Manhattan, të tilla si Woolworth Building (138 milionë dollarë) dhe Park Lane Hotel (660 milionë dollarë).
Forbes vlerësoi pasurinë e tij neto në rreth 2 miliardë dollarë në vitin 2025.
Ai gjithashtu investoi në Çikago, Dallas dhe Filadelfia, duke ndërtuar një perandori pronash tregtare dhe banesore.
Vetë z. Uitkof (Witkoff), gjatë dëshmisë së tij në gjyqin civil të z. Tramp (Trump) për mashtrim në vitin 2023, rrëfeu takimin e tij të parë të pazakontë me manjatin në vitet 1980.
Si avokat i ri në Dreyer & Traub, ai pagoi një sanduiç për z. Tramp (Trump), një klient të firmës të cilit i mbaruan paratë në një restorant në Nju Jork.
Me kalimin e viteve, marrëdhënia midis të dyve është konsoliduar, midis lojërave të golfit dhe takimeve në qarqet e biznesit, derisa është transformuar në një lidhje të fortë politike.
Z. Uitkof (Witkoff) u bë një mbështetës financiar i fushatave zgjedhore të z. tramp (Trump) dhe gjatë presidencës së tij të parë, ishte pjesë e ekipit të ngarkuar me adresimin e pasojave ekonomike të pandemisë.
Dukshmëria e tij politike u rrit më tej në vitin 2024, pas fjalimit të tij në Konventën Kombëtare Republikane dhe një roli aktiv në makinën organizuese të fushatës.
Pas fitores së tij në zgjedhje, presidenti Tramp (Trump) e emëroi atë bashkëkryetar të Komitetit të Inaugurimit dhe, më 12 nëntor 2024, të dërguar special për Lindjen e Mesme, një pozicion që nuk kërkonte konfirmim nga Senati dhe që u zgjerua shpejt për të përfshirë marrëdhëniet diplomatike me Rusinë.
Nga Gaza në Ukrainë: Diplomacia e Uitkofit (Witkoff): Ai bëri debutimin e tij diplomatik me negociatat e Gazës, përpara se z. Tramp (Trump) të merrte detyrën.
Më pas ai luajti një rol në ndërmjetësimin e armëpushimit gjashtëjavor dhe lirimin e pengjeve izraelite nga Hamasi në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga Izraeli.
Ai punoi ngushtë me z. Brett Mek’Gërk (McGurk), të dërguarin e administratës Baidn (Biden), dhe kryeministrin e Katarit.
Pas dështimit të marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit, diplomati paraqiti një iniciativë për të zgjatur ndërprerjen e armiqësive - i ashtuquajturi “Plani Witkoff” - i cili, megjithatë, nuk u materializua kurrë.
Në mars të vitit 2025, ai akuzoi Hamasin për ndërprerjen e negociatave, duke hedhur poshtë propozimin për zgjatjen e armëpushimit.
Më 29 janar, ai hyri personalisht në Rripin e Gazës për të monitoruar zbatimin e marrëveshjes: një vizitë e pazakontë për një zyrtar amerikan.
Kontaktet e para me Moskën, megjithatë, datojnë që nga mujai shkurti. Ai udhëtoi për në Rusi për të negociuar lirimin e z. Fark (Marc) Fogel, një mësues amerikan i ndaluar që nga viti 2021 për posedim të kanabisit mjekësor, i liruar më vonë në këmbim të z. Aleksandër (Alexander) Vinnik, një ekspert rus i kriptomonedhave i akuzuar për pastrim parash.
Me atë rast ai nisi marrëdhënie të drejtpërdrejta me presidentin rus Vladimir Putin dhe z. Kirill Dmitriev, drejtor i Fondit Rus të Investimeve Direkte.
Më 18 shkurt, diplomacia amerikane bëri një hap më tej me takimin në Riad midis sekretarit të Shtetit Marko (Marco) Rubio dhe ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov.
Z. Uitkof (Witkoff) mori pjesë në samit së bashku me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Majkll Uollc (Michael Waltz).
Qëndrimet e z. Uitkof (Witkoff) mbi konfliktin kanë tërhequr kritika: në një intervistë të 21 marsit me podkasterin “Tucker Carlson”, i dërguari i posaçëm e quajti Putinin si të shkëlqyer dhe super të zgjuar, duke thënë se nuk e konsideronte atë një djalë të keq.
Ai argumentoi gjithashtu se pushtimi rus nuk ishte domosdoshmërisht i iniciuar nga Moska, se NATO luajti një rol të rëndësishëm në provokimin e konfliktit dhe se shumica e ukrainasve lindorë do të donin të jetonin nën sundimin rus.
Pavarësisht polemikave, z. Uitkof (Witkoff) ruan besimin e presidentit Tramp (Trump) si bashkëbiseduesi i tij kryesor me Kremlinin.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments