KUSH ËSHTË MINISTRI I RI I MBROJTJES I UKRAINËS?
- Agjencia Telegrafike Vox

- Sep 6, 2023
- 3 min read

Kiev, Ukrainë | Z. Oleksi Reznikov (Oleksiy Reznikov) nuk është më Ministër i Mbrojtjes i Ukrainës, deklaroi presidenti ukrainas Volodimir Zelenzki (Volodymyr Zelensky) në fjalimin e tij të mbrëmjes, të datës 3 shtator 2023.
“Kam vendosur të shkarkoj Ministrin e Mbrojtjes të Ukrainës. Oleksiy Reznikov ka kaluar më shumë se 550 ditë lufte në shkallë të gjerë dhe besoj se Ministria e Mbrojtjes ka nevojë për qasje të reja dhe forma të tjera ndërveprimi, si me ushtrinë ashtu edhe me me shoqërinë në tërësi. Tani ministria duhet të udhëhiqet nga Rustem Umerov dhe pres që parlamenti ta mbështesë këtë kandidaturë”, tha Zelensky.
Ministri i ri i mbrojtjes, Rustem Enveroglu Umerov, është një anëtar kryesor i komunitetit tatar të Krimesë, dhe përfaqësoi Ukrainën në negociatat e vitit të kaluar me Rusinë.
Z. Umerov lindi në Uzbekistan, ku familja e tij u internua së bashku me qindra mijëra tatarë të Krimesë, nën dikataturën e kasapit Stalin, sepse, në Luftën e Dytë Botërore, mbështeti Gjermaninë gjatë Luftës Botërore.
Në fund të viteve 1980, ai u kthye në Krime, e cila ndërkohë i përkiste Ukrainës, pasi tatarët u lejuan të ktheheshin në atdheun e tyre. Në mesin e 250000 të kthyerve tatarë ishte edhe familja e ministrit të ri ukrainas të mbrojtjes.
Ky musliman 41-vjeçar filloi në biznesin e telekomunikacionit në vitin 2004, dhe më pas filloi të angazhohej në politikë, dhe në vitin 2019, u zgjodh në Verhovna Rada si përfaqësues i partisë liberale Holos.
Atje, ai shërbeu si bashkë-kryetar i Platformës së Krimesë, një përpjekje diplomatike ndërkombëtare, që synonte të anulonte aneksimin e gadishullit nga Rusia, në vitin 2014.
Përveç kësaj, z. Umerov ishte këshilltar i udhëheqësit historik të tatarëve të Krimesë, z. Mustafa Dzhemilev, për vite me radhë. Z. Umerov mori pjesë aktive, në hartimin e ligjeve të shumta, dhe luajti një rol kyç, në formulimin e deklaratës zyrtare të parlamentit ukrainas, që dënonte aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Rusia.
Gjatë fillimit të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës në mars 2022, ai mori pjesë në bisedimet e paqes midis dy palëve.
Sipas raportimeve nga faqja Meduza, Kremlini e akuzoi atë për spiunazh në dobi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe ngadalësimin e qëllimshëm të negociatave, për të përfituar Ukraina.
Më vonë, atë muaj, më 28 mars, u raportua se z. Umerov, z. Roman Abramoviç (Roman Abramovich), dhe një deputet tjetër, kishin simptoma që tregonin helmim të mundshëm pas negociatave.
Tre pjesëmarrësit udhëtuan për në Stamboll për trajtim mjekësor, dhe z. Umerov më vonë informoi publikun përmes rrjetit shoqëror virtual “Facebook”, se ishte mirë, dhe u kërkoi atyre të mos besonin informacione të paverifikuara.
Ai ka qenë pro-ukrainas që në fillim, dhe ka folur për këtë në intervista të shumta: “Propagandistët rusë, shpikën narrativën e ndarjes së kombit ukrainas në grupe etnike, për të justifikuar veprimet e tyre ushtarake, në territorin e vendit tonë”, tha ai në një intervistë vitin e kaluar.
“Por ne si tatarë nuk ndjejmë asnjë shovinizëm apo islamofobi në Ukrainë në lidhje me etninë apo fenë tonë”, shtoi ai.
Ai ishte anëtar i delegacionit ukrainas, në negociatat me Rusinë, në javët e para të luftës, dhe mori pjesë në negociatat për krijimin e një korridori eksporti për grurin ukrainas, përmes Detit të Zi.
Rusia u tërhoq nga marrëveshja e grurit këtë verë, duke akuzuar Ukrainën, dhe aleatët e saj, për dështimin në respektimin e një pjese të marrëveshjes, për të lehtësuar eksportet ruse.
Shtatorin e kaluar, ai u emërua kreu i Fondit të Pronës Shtetërore, një funksion kompleks në Ukrainë, ku procesi i privatizimit është rrënuar nga korrupsioni.
Atij i njihet merita për pastrimin e një institucioni, që shpesh ishte i zhytur në skandale korrupsioni, duke rritur shitjet e pronave shtetërore, dhe duke arritur të ardhura rekord gjatë luftës.
Tani, “i bekuar” nga presidenti Zelenski, atij do t’i duhet të kombinojë aftësitë e tij, të njëjtat të treguara deri më tani, për të drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes.
Megjithatë, kjo lëvizje pa dyshim shkaktoi “tërmet” në qeverinë ukrainase. Nga ana tjetër, nuk dihet si do të pritet kjo në Rusi, apo si do të ndikojë në fushë-betejë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

___.png)












Comments