top of page
E BARDHË SHIRIT.png

KUSH ËSHTË KALIN GEORGESKU (CĂLIN GEORGESCU) POLITIKANI PRO-RUS QË DËSHIRON TË MARRË RUMANINË FALË TIKTOK-ut? | SIPAS TIJ AFRIMI I RUMANISË ME BE-në DHE NATON-n NUK KA ZGJIDHUR PROBLEMET E BRENDSHME.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Nov 30, 2024
  • 4 min read
ree

Bukuresht, Rumani | Nga udhëheqësit e Kombeve të Bashkuara tek videot në TikTok: me 22% të votave, ish-teknokrati ndërkombëtar është bërë kandidati i ekstremit të djathtë sovran, i cili frikëson establishmentin rumun.

 

Rumania u zgjua nga një tërmet politik që asnjë sondazh nuk e kishte parashikuar.

 

Z. Kalin Georgesku (Călin Georgescu), 62 vjeç, kandidat i pavarur i ekstremit të djathtë dhe kritik i Perëndimit, fitoi raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale me 22.59% të votave, duke kaluar favoritin e mëparshëm, kryeministrin socialdemokrat Marcel Ciolacu, i cili u ndal në 19 ,55%.

 

Të dy do të konkurrojnë në një balotazh më 8 dhjetor për të pasuar presidentin në largim Klaus Iohannis, i cili, për dhjetë vjet e ka udhëhequr vendin drejt integrimit gjithnjë e më të ngushtë me Perëndimin.

 

Ky rezultat i parë zgjedhor tashmë ka tronditur ekuilibrin e një vendi që është bërë vendimtar për mbrojtjen e Evropës Lindore.

 

Gjatë njëzet viteve të fundit, Rumania ka ndryshuar plotësisht fytyrën e saj: nga një ish satelit i Bashkimit Sovjetik, ajo është shndërruar në një nga aleatët kryesorë perëndimorë në Detin e Zi, duke iu bashkuar NATO-s dhe Bashkimit Evropian në vitin 2004.

 

Rëndësia e saj strategjike u rrit në mënyrë dramatike me pushtimin rus të Ukrainës.

 

Kufiri prej 650 kilometrash që ndan me Kievin është bërë një nga kufijtë kryesorë midis botës perëndimore dhe Rusisë së Putinit.

 

Porti rumun i Konstancës në Detin e Zi është kthyer në një mjet shpëtimi për ekonominë ukrainase: pjesa më e madhe e grurit që Kievi ende arrin të eksportojë kalon këtu, pasi rusët bllokuan në mënyrë efektive portet e Ukrainës.

 

Nuk është rastësi që territori rumun ka pësuar shkelje të vazhdueshme të hapësirës së tij ajrore nga dronët rusë, edhe pse deri më tani pa pasoja.

 

Udhëtimi i një të huaji: Historia e z. Kalin Georgesku (Călin Georgescu) është ajo e një teknokrati ndërkombëtar të kthyer në lider populist.

 

I lindur në vitin 1962 në lagjen Cotroceni të Bukureshtit, ai është djali i një inxhinieri bujqësor, autor i manualeve teknike dhe një zyrtar ministror.

 

As ai dhe as babai i tij nuk kanë qenë kurrë anëtarë të Partisë Komuniste.

 

Pas diplomimit për agronomi në vitin 1986, karriera e tij mori hov në vitet nëntëdhjetë, në periudhën pas-revolucionare.

 

Ai grumbulloi përvoja të rëndësishme ndërkombëtare: një bursë të qeverisë britanike, pozicione në Ministritë Rumune të Mjedisit dhe Punëve të Jashtme, drejtimin e mbi 40 projekteve të zhvillimit të qëndrueshëm për autoritetet lokale nën kujdesin e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim.

 

Kërcimi cilësor në karrierën e tij erdhi në vitin 2010, kur ai u emërua raportues special i OKB-së për të drejtat e njeriut dhe mbetjet e rrezikshme.

 

Edhe atëherë qëndrimet e tij në politikën ndërkombëtare treguan shenjat e para të skepticizmit ndaj Perëndimit.

 

Në vitin 2021 - siç raportohet nga shtypi rumun - ai akuzoi Shtetet e Bashkuara për manipulimin e situatës në Ukrainë në interes të shkaktimit të një konflikti që do të ndihmonte financiarisht kompleksin ushtarak amerikan.

 

Pika e kthesës ideologjike: Nga viti 2013 deri në 2015 ai kryesoi Qendrën Evropiane Winterthur të Klubit të Romës: pikërisht në këto vite ai filloi të zhvillonte një vizion gjithnjë e më kritik ndaj institucioneve ndërkombëtare.

 

Siç raporton gazeta britanike Rojtari (The Guardian), politikani rumun e quajti mburojën raketore të NATO-s në Deveselu një turp diplomatik, duke argumentuar se Aleanca Atlantike nuk do të mbronte asnjë nga anëtarët e saj në rast të një sulmi rus.

 

Në tetor 2024 au u prezantua si kandidat i pavarur në zgjedhjet presidenciale.

 

Strategjia e tij e komunikimit, e përqendruar në mediat sociale, ka rezultuar e suksesshme: videot e tij në TikTok kanë mbledhur 1.6 milionë pëlqime.

 

Siç raporton gazeta britanike Rojtari (The Guardian), ai e ka ndërtuar imazhin e tij përmes përmbajtjes që e tregon atë duke ndjekur kishën, duke ushtruar xhudo, në pista vrapimi dhe duke u shfaqur në podkaste.

 

Rumania në udhëkryq: Suksesi i tij përfaqëson një ndarje të mundshme me dhjetë vjet stabilitet pro-perëndimor nën presidencën e z. Klaus Iohannis.

 

Që nga viti 2014, ai e ka udhëhequr Rumaninë drejt integrimit gjithnjë e më të ngushtë me Perëndimin, duke forcuar lidhjet me NATO-n dhe Bashkimin Evropian dhe duke e bërë vendin një shtyllë të aleancës Atlantike në Evropën Lindore.

 

Por kjo hapje drejt Perëndimit nuk i ka zgjidhur problemet e brendshme të vendit.

 

Rumania mban rekordin evropian për qytetarët në rrezik të varfërisë, ndërsa inflacioni gërryen fuqinë blerëse të familjeve.

 

Një situatë që ushqeu pakënaqësi me establishmentin pro-evropian, duke i hapur rrugën mesazhit sovranist të z. Georgesku (Georgescu).

 

Prandaj, votimi i 8 dhjetorit do të jetë një referendum për drejtimin e vendit. Nga njëra anë, kryeministri në largim Marcel Ciolacu, i cili premton të vazhdojë në rrugën e ndjekur nga z. Iohannis.

 

Nga ana tjetër, z. Georgesku (Georgescu), i cili, propozon një ndryshim rrënjësor në marrëdhëniet me Perëndimin.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page