KUBË | POPULLI KA DALË NË PROTESTA; NUK KA ENERGJI ELEKTRIKE DHE UJË; BANDA KRIMINALE E PARTISË KOMUNISTE E QUAJTUR SIGURIMI I SHTETIT DERI MË TANI KA ZHDUKUR 6 VETA.

Havanë, Kubë | Valë të reja protestash po përshkojnë Kubën, e goditur rëndë nga kriza energjetike dhe ekonomike.
Në Havana, banorët e disa lagjeve, duke përfshirë San Isidro, Sentro (Centro) Habana-n, Guanabakoa-n dhe San Miguel del Padron-in, dolën në rrugë, duke organizuar kaserolasos (goditje tenxheresh) dhe duke bllokuar rrugët për të denoncuar ndërprerjet e energjisë elektrike dhe mungesën e ujit.
Rrjeti elektrik ka regjistruar defektin e katërt të vitit 2026, duke bërë që kompania kombëtare të parashikojë një deficit energjie prej 69% gjatë orëve të pikut.
Ndërprerja e zgjatur e energjisë e bën pothuajse të pamundur ruajtjen e ushqimit, gatimin dhe funksionimin e pompave të ujit.
Kushtet e jetesës janë përkeqësuar me një rritje të ndjeshme të çmimeve të imponuara nga qeveria, e cila pothuajse ka dyfishuar çmimet e brendshme të gazit.
Kostoja e një bombole LPG prej 10 kilogramësh është rritur nga 213 peso (rreth 0.30 €) në 350 peso (rreth 0.50 €).
Qeveria e ka justifikuar masën, e cila është pjesë e një pakete prej 176 reformash, me vështirësitë aktuale në importimin e naftës.
Megjithatë, për popullsinë, kjo përfaqëson një barrë të rëndë në një sistem ku inflacioni vjetor arriti në 18.3% në qershor.
Pakënaqësia në rritje po shqetëson Partinë Komuniste.
Një diapozitiv i shfaqur aksidentalisht gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në kanalin televiziv shtetëror Canal Caribe zbuloi objektivin e vërtetë të takimeve të fundit të presidentit Miguel Diaz-Kanel (Canel) me Këshillat e Mbrojtjes; shmangia e një shpërthimi social.
Dokumenti citon në mënyrë të qartë direktivat politike, ekonomike dhe të komunikimit që duhen zbatuar për të ndaluar trazirat, duke kundërshtuar narrativën zyrtare që i portretizonte samitet si takime të zakonshme menaxhimi.
Gjatë vizitave të tij në bashkitë e qytetit, presidenti u kërkoi gjithashtu autoriteteve vendore të gjejnë zgjidhje për pensionistët dhe të ruajnë qetësinë e qytetit.
Shifrat e mospajtimit dokumentojnë tensione në rritje të vazhdueshme.
Në muajin maj 2026, u regjistruan 1311 demonstrata në të gjithë vendin, të ndjekura nga 107 protesta në rrugë në muajin qershor, kryesisht të përqendruara në kryeqytet.
Shkaqet mbeten të njëjta; ndërprerje të energjisë elektrike që zgjasin deri në 48 orë në Havanë dhe 87 orë në Matanzas, të kombinuara me mungesa kronike ushqimore.
Organizata Cubalex denoncoi zhdukjen me forcë të gjashtë vetave pas protestave në Guantanamo dhe numëroi mbi 319 ngjarje shtypëse midis muajit maj dhe qershor të vitit 2026.
Sipas analistëve dhe historianëve, mundësia e rënies së regjimit komunist përmes një kryengritjeje popullore të pakontrollueshme tani duket të jetë një skenar i mundshëm.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit








Comments