top of page
E BARDHË SHIRIT.png

KREMLINI PO REKRUTON KRIMINELË ORDINERË PËR TË KRYER SABOTIME NË MBARË EVROPËN.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Nov 11, 2025
  • 3 min read

Bruksel, Mbretëria e Belgjikës | Rusia ka krijuar një rrjet agjentësh për qëllimet e luftës së saj hibride kundër Evropës, ku institucionet shtetërore janë të lidhura ngushtë me botën kriminale.


Sipas një studimi të përbashkët nga OJQ-ja GLOBSEC dhe Qendra Ndërkombëtare për Kundër-Terrorizëm (ICCT), njerëz me të kaluar kriminale që flasin rusisht po rekrutohen për të kryer operacione sabotimi në të gjithë Evropën.


Rezultatet u prezantuan në Bruksel në një takim të Komitetit Special të Parlamentit Evropian për Mbrojtjen e Demokracive (EUDS).

 

Studimi i lidh këto taktika me luftën kundër Ukrainës, duke vënë në dukje se operacionet hibride nuk janë një veprim anësor, por një shtyllë kryesore e strategjisë së Rusisë.


Studiuesit i krahasojnë këto taktika me metodat e Shtetit Islamik (IS), i cili më parë ka rekrutuar kriminelë në Evropë.


Këtë herë, nuk është një organizatë terroriste, por një shtet që udhëheq rekrutimin dhe operacionet”, thotë studimi.


Kriminelët dhe sabotazhet | Nga janari 2022 deri në korrik 2025, 110 përpjekje sabotimi dhe sulmi të lidhura me Rusinë u regjistruan në Evropë, kryesisht në Poloni dhe Francë.


Nga këto, 89 ishin të suksesshme ndërsa 21 u parandaluan mekohë.


Autorët e studimit besojnë se numri i sulmeve të parandaluara ka të ngjarë të jetë më i lartë, sepse shërbimet e inteligjencës nuk i publikojnë të gjitha të dhënat.


Janë identifikuar 131 subjekte, të cilët, janë të lidhur me incidentet, të paktën 35 prej të cilëve kishin dënime të mëparshme dhe u rekrutuan në burgje ose përmes organizatave kriminale.


Kremlini më shpesh rekruton subjekte rreth 30 vjeç, nga vendet post-sovjetike, të cilët, flasin rusisht dhe janë në rrethana të vështira jetese.


Rekrutimi shpesh bëhet në internet, nëpërmjet Telegramit, por edhe përmes të afërmve dhe miqve.


Motivi kryesor për pjesëmarrje në sabotim është paraja - nga disa euro për shpërndarjen e fletëpalosjeve pro-ruse, deri te shuma të mëdha për sulme ndaj infrastrukturës kritike.


Hakmarrja ndaj Bashkimit Evropian për ndihmën e Ukrainës.


Për të financuar këto aktivitete, Moska po përdor gjithashtu metoda të paligjshme për të anashkaluar sanksionet perëndimore për shkak të Ukrainës.


Këto kanale i lejojnë Kremlinit të shmangë kufizimet dhe të përfshijë më thellë rrjetet kriminale në strategjinë e tij të luftës hibride”, thotë studimi.


Flukset e paligjshme të parave, krimi dhe operacionet hibride nuk janë të ndara, por elementë të një plani të vetëm veprimi.


Gjithashtu, fushata ushtarake e Rusisë - bombardimet, sulmet me zjarrvënie, përpjekjet për vrasje - duhet të shihen si ndëshkim për mbështetjen e Bashkimit Evropian për Ukrainën, por edhe si përgatitje për një konflikt të mundshëm më të madh.


Krimi si mjet shtetëror | Znj. Dominika Hajdu nga GLOBSEC shpjegon se përdorimi i kriminelëve nga autoritetet ruse nuk është asgjë e re.


Qytetarët që jetonin në lindje të Perdes së Hekurt kujtojnë se si mungesat në BRSS krijuan një varësi nga ekonomia ilegale.


Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ndryshe nga vendet e tjera post-komuniste, lufta kundër korrupsionit në Rusi nuk kishte përparësi.


Në vend të kësaj, korrupsioni u bë normë dhe metodë funksionimi e institucioneve shtetërore.


Sipas znj. Hajdu, në vitin 1994, mbi 500 grupe kriminale ishin aktive në Rusi, duke kontrolluar rreth 40000 kompani.


Në fillim të viteve 2000, ish-oficerët e KGB-së konsoliduan kontrollin mbi shtetin dhe lidhjet e tyre me botën e krimit u bënë pjesë e sistemit shtetëror.


Kremlini ka përdorur prej kohësh metoda kriminale dhe botën e krimit për të rekrutuar agjentë në Evropë.


Autorët e studimit propozojnë një numër masash për reagimin e Bashkimit Evropian, duke përfshirë monitorim më të mirë të platformave online, veçanërisht të Telegram-it.


Ata gjithashtu sugjerojnë zgjerimin e përkufizimit të kërcënimeve hibride, sepse shumë strategji kombëtare nuk e marrin mjaftueshëm parasysh rolin e aktorëve informalë si grupet kriminale, ndërmjetësit ideologjikë ose individët që veprojnë në interes vetjak.


Është pikërisht ky boshllëk ligjor që i lejon Rusisë të mohojë përgjegjësinë për sulmet dhe sabotimin.


Znj. Hajdu thekson rëndësinë e bashkëpunimit midis sektorit publik dhe privat.


Ata duhet të jenë partnerë, sepse kompanitë private në Evropë kanë mekanizma më të sofistikuar për zbulimin e aktiviteteve kriminale ruse.


Kjo është arsyeja pse ajo mbështet krijimin e një platforme koordinimi për të parandaluar sulmet hibride ruse ndaj vendeve evropiane.


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page