KONFEDERATA E ZVICRËS | NJË BABA DERVISH NGA KOSOVA U DËNUA ME BURG; JETË SUPER LUKSOZE ME MASHTRIME FINANCIARE.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 3 days ago
- 3 min read

Gjenevë, Konfederata e Zvicrës | Shumë vetura, vila me qira 24 mijë franga në muaj, targa speciale, 1.5 milionë franga dëm, kredi të papaguara.
Një Baba dervish nga Kosova përfshiu familjen e tij prej gjashtë anëtarësh, si dhe dy ndihmës, në mashtrime sistematike.
Nga një gjykatë zvicerane ai u dënua me 3 vjet e gjysmë burg - dhe 3 vjet ndalim-hyrje në Konfederatën e Zvicrës.
Një skemë mashtrimi në Zvicër ka marrë epilog në Gjykatën e Dietikonit afër Zyrihut duke zbuluar prapaskenat e një jete përrallore të ndërtuar mbi gënjeshtra, mashtrime dhe keqpërdorime të shtetit zviceran.
“Në qendër të këtij skandali është një 57-vjeçar nga Kosova, i cili, njihet si sheh-imam dhe pretendon se udhëheq rreth 8000 besimtarë bektashinj”, shkruan enti mediatik “Tages Anzeiger”.
Ai akuzohet se ka organizuar një sistem kriminal familjar duke shkaktuar një dëm total prej 1.5 milion frangash zvicerane.
Hetimet penale paraprake kishin nisur me një bastisje në një vilë luksoze afër Zyrihut, për të cilën, Babai (Shehu) paguante qira marramendëse prej 24 mijë frangash në muaj.
Gjatë operacionit, hetuesit konfiskuan dokumente dhe pajisje elektronike; po ashtu u zbulua një sistem kompleks i firmave fiktive që shërbenin si mbulesë për pasurimin e paligjshëm.
Sipas prokurorisë, ky Baba luante rolin e një sipërmarrësi të patundshmërive, duke mashtruar bankat dhe shtetin zviceran me bilance të falsifikuara, veçanërisht duke përfituar mbi gjysmë milioni franga nga kreditë emergjente të Covid-19 (pandemia e koronës).
Ajo që ka lënë pa fjalë opinionin publik është luksi i shfrenuar që familja shfaqte me paratë e vjedhura.
Ndonëse para zyrave të shtetit Babai deklaronte se ishte i varfër, familja kishte në pronësi një flotë prej shumë automjetesh.
Mes tyre bien në sy vetura të tipit Porsche Panamera, disa modele Mercedes dhe një Hummer H2 Luxury.
Si merakli i veturave Babai shpenzoi rreth 100 mijë franga vetëm për blerjen e tri targave të regjistrimit me numra të veçantë, të cilat në Zvicër shiten në ankand si simbole prestigji.
Gjatë procesit gjyqësor, i cili, zgjati gjashtë ditë, i akuzuari kryesor u dënua me 42 muaj burg dhe dëbim të detyrueshëm nga territori i Konfederatës së Zvicrës për një periudhë prej 3 vitesh.
Prokuroria kishte kërkuar 15 vjet dëbim nga Konfederata e Zvicrës.
Sa i përket anëtarëve të tjerë të familjes, përfshirë ish-bashkëshorten dhe katër fëmijët, gjykata vendosi t’i lirojë nga akuzat penale ose t’i dënojë me gjoba minimale.
Arsyetimi i gjykatës ishte se brenda familjes mbretëronte një strukturë strikte patriarkale ku Babai vendoste për çdo gjë.
Fëmijët dëshmuan se kishin nënshkruar dokumente verbërisht për shkak të besimit ndaj Babait dhe nuk kishin njohuri për financat.
Madje, për shkak të muajve të kaluar në paraburgim, vajza dhe njëri nga djemtë e tij do të dëmshpërblehen me rreth 70 mijë franga nga shteti, pasi gjykata vlerësoi se nuk mund të ketë përgjegjësi kolektive për mëkatet e kryefamiljarit.
Gjatë procesit, Babai kërkoi falje duke u arsyetuar se si prijës fetar nuk dëshironte të figuronte publikisht si pronar biznesesh, andaj përdori anëtarët e familjes.
Gjykatësja ishte e bindur se energjia kriminale e Babait dervishit kosovar ishte rritur me kalimin e kohës dhe dënimet e mëparshme me gjoba nuk kishin pasur asnjë efekt reflektimi tek ai.
Njëri ndihmës i Babait u dënua me kusht.
Tjetri do të gjykohet penalisht më vonë.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)




















Comments