KOLEGJI I POSAÇËM I APELIMIT (KPA) LA NË FUQI VENDIMIN PËR SHKARKIMIN NGA DETYRA TË PROKURORES ELINA KOMBI.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Sep 14, 2024
- 1 min read
Tiranë, Shqipëri | Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) njoftoi të enjten vendimin për lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të prokurores së Tiranës Elina Kombi.
Vendimi u mor në mënyrë unanime të mërkurën më 11 shtator 2024 nga trupi gjykues i KPA-së i kryesuar nga z. Sokol Çomo, me relatore znj. Natasha Mulaj dhe anëtare znj. Albana Shtylla, znj. Mimoza Tasi e znj. Rezarta Schuetz, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të Kombit.
Vendimi i KPA është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm, duke e larguar përfundimisht prokuroren Kombi nga sistemi i drejtësisë.
Prokurorja Elina Kombi u shkarkua nga detyra prej Komisionit më 3 shkurt 2022, për probleme të pasurisë, kriterin e vetëm për të cilin u përmbyll hetimi administrativ.
Ajo e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994.
Ajo punoi fillimisht si prokurore në Prokurorinë e Pogradecit dhe prej vitit 2013 e deri në shkarkimin nga detyra e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Tiranës.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments