KATAR: VIZITË E RE E KREUT TË MOSSAD-it PËR PENGJET.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Nov 28, 2023
- 1 min read

Doha, Katar | Kreu i Mossad-it, Deivid Barnea (David Barnea) është në Doha, për të zhvilluar bisedime me drejtorin e CIA-s, Bill Bërns (Bill Burns), dhe zyrtarë të lartë të Katarit, sipas gazetës izraelite Kohërat e Izraelit (Times of Israel).
Ky është udhëtimi i tretë i z. Barnea në Katar, që nga fillimi i luftës, ndërsa zyrtarë të lartë të Katarit kanë shkuar gjithashtu në Izrael, si dhe Doha ndërmjetëson mes Izraelit dhe Hamasit.
Vizita vjen pasi Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për një zgjatje dy-ditore të armëpushimit të përkohshëm për të lejuar lirimin e të paktën 20 pengjeve të tjera nga Gaza.
Bisedimet e z. Barnea fokusohen në sigurimin e lirimit të 20 pengjeve të tjera, dhe ndoshta në zgjatjen e armëpushimit të përkohshëm për më shumë ditë, në mënyrë që të sigurohet lirimi i të gjitha grave dhe fëmijëve.
Izraeli vlerëson se janë 93 gra dhe fëmijë të mbajtur nga grupet terroriste islamike, duke përjashtuar pesë ushtarët femra, dhe beson se dy ditët e ardhshme, janë kritike për të bindur Hamasin, që të zgjerojë marrëveshjen, për t'i përfshirë të gjitha brenda saj.
Izraeli ra dakord të lirojë 30 të burgosur palestinezë, dhe të zgjasë armëpushimin me 24 orë, për çdo 10 pengje izraelitë të liruar.
Deri tani Hamasi ka liruar 51 izraelitë, dhe 19 punëtorë të tjerë të huaj.
Arsyeja e dytë për udhëtimin e z. Barnea është të vendosë bazat për marrëveshjet e ardhshme, të cilat, mund të përfshijnë pengje, që nuk mbulohen nga marrëveshja aktuale, duke përfshirë burra dhe ndoshta ushtarë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

___.png)












Comments