ITALI | MINISTRI I MBROJTJES GUIDO KROSETO (CROSETTO): NJË AVION LUFTARAK ITALIAN EUROFIGHTER U GODIT NGA SULMET NË BAZËN AJRORE NË ARABINË SAUDITE.

Romë, Itali | “Mbrëmë, unë personalisht ndoqa evolucionin e situatës në Arabinë Saudite, me vëmendjen më të madhe dhe në kontakt me Shefin e Shtabit të Mbrojtjes, Gjeneralin Luçiano (Luciano) Portolano, veçanërisht në bazën ajrore Ta'if, e cila ka qenë shënjestër e disa sulmeve dhe ku është i pranishëm personeli italian, i angazhuar në Operacionin Inherent Resolve.
Nuk ka ushtarë italianë të përfshirë.
Sulmi goditi një avion italian F-2000, i cili ndodhej brenda bazës dhe në një zonë të decentralizuar.
Nuk pati dëme të tjera në automjete ose infrastrukturë të përdorur nga personeli ynë”.
Kështu tha ministri italian i Mbrojtjes Guido Kroseto (Crosetto).
“I kam kërkuar Shefit të Shtabit të Mbrojtjes, Gjeneralit Luçiano (Luciano) Portolano, Komandantit të Komandës së Përbashkët të Operacioneve, Gjeneralit Xhovani Maria Ianuçi (Giovanni Maria Iannucci) dhe Shefit të Forcave Ajrore, Gjeneralit Antonio Konserva (Conserva) të më japin një vlerësim të mëtejshëm, pas atyre të kryera tashmë në javët e fundit, mbi situatën në zhvillim, gjendjen e personelit tonë dhe opsionet e mundshme operative.
Jam rikonfirmuar se të gjitha masat e sigurisë për të mbrojtur personelin ushtarak ishin vendosur prej kohësh.
Pas pak minutash do të kem përditësimin e parë gjatë një takimi në Ministrinë e Mbrojtjes.
Situata po monitorohet me vëmendjen më të madhe me qëllim sigurimin e mbrojtjes së plotë të personelit tonë dhe operimin me përgjegjësinë e nevojshme”, - tha ministri Kroseto (Crosetto).
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit






Comments