GREQI | U ARRESTUA LULZIM CAKA; MBI 110 KG KOKAINË.

Updated: 5 days ago

Athinë, Greqi | Në funksion të luftës institucionale ndaj Agjenturës së Krimit Ordiner strukturat vendore të Policisë (Ελληνική Αστυνομία) në bashkëpunim me Agjencinë amerikane kundër Drogës (Drug Enforcement Administration) në kuadër të operacionit policor të koduar “Lulet e së keqes” arrestuan:
1- Z. Lulzim Caka, i njohur edhe si Xhon (John) Franko, me moshë 56 vjeç.
2- Një subjekt (mashkull), gjeneralitetet e të cilit mbahen konfidencialë (dyshohet i biri).
Ai konsiderohet drejtues i një grupi të strukturuar kriminal që trafikoi rreth njëqind e dhjetë pikë tetë (110.8) kg kokainë nga Kolumbia drejt Greqisë; e fshehur në trëndafila.
Nga autoritetet shqiptare të zbatimit të ligjit ai është konsideruar që para viteve 1995 si ish-anëtar i Agjenturës vendore të Krimit Ordiner që vepronte në periferi të Beratit.
Ai ishte dhe mbetet subjekt i shpallur në kërkim policor nga autoritetet shqiptare të zbatimit të ligjit penal, për shkak se në vitin 2019 u lirua në kundërshtim me ligjislacionin në fuqi nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Lushnje ku kryente dënim penal me njëzet e pesë (25) vjet heqje lirie për vrasje.
Në lidhje me rastin në datën 30 korrik të vitit 2019 u arrestuan për shpërdorim detyre:
1- Z. Judmir Shurdhi, drejtor i IEVP-së Lushnje.
2- Z. Llazar Mino, kartelist i IEVP-së Lushnjë.
Pas daljes nga burgu ai u arratis në Greqi, ku kërkoi strehim politik; në vitin 2022 autoritetet gjyqësore greke hodhën poshtë kërkesën proceduriale penale të autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij.
Karriera e tij kriminale daton në vitin 1995 ku pati konflikt me pronarin e një kafeneje në fshatin Suk, Fier.
Pas shoqërimit në ambientet policore, ai u arratis.
Një tjetër episod kriminal i tij lidhet me datën 26 mars të vitit 1996, kur së bashku dhe z. Bujar Sulaj, i njohur rëndom si Loshi i Karbunarës, u konsideruan doras për sulmin e armatosur ndaj dy oficerëve të Policisë Gjyqësore që ushtronin funksione në Kuçovë dhe në Berat, te vendi i njohur si “Ura e Samaticës”.
Një tjetër episod kriminal i tij lidhet me datën 20 korrik të vitit 1997, kur u konsiderua doras në vrasjen e z. Nezir Yzeiri, znj. Ashime Yzeiri dhe të z. Ilir Yzeiri.
Një tjetër episod kriminal i tij lidhet me muajin qershor të vitit 1998 kur u konsiderua i përfshirë në vrasjen e z. Lulzim Emini, i njohur edhe si Pëllumb Emini (Petriti), ngjarje kriminale për të cilën autoritetet gjyqësore i shqiptuan njëzet e pesë (25) vjet heqje lirie.
Një tjetër episod kriminal i tij lidhet me datën 6 janar të vitit 2001, kur u arratis nga ambientet e izolimit për të marrë hak për vrasjen e së ëmës, znj. Xhevrie Caka (për të cilën, ai personalisht pati denoncuar se para vrasjes u përdhunua) dhe të vëllait, z. Bardhosh Caka.
Një tjetër episod kriminal i tij lidhet me datën 22 mars të vitit 2001, në fshatin Samaticë, kur u konsiderua i përfshirë në vrasje të kryer në bashkëpunim (me disa individë, mes të cilëve dhe me z. Shkëlqim Beqiraj), konkretisht në vrasjet e z. Valter Bega dhe të z. Maringlen Çami, ndaj të cilëve dyshonte se kishin gisht në vrasjen e të vëllait, z. Bardhosh Caka.
Një tjetër episod kriminal i tij lidhet me datën 23 qershor të vitit 2001, kur u konisderua i përfshirë në vrasjen e z. Arben Hoxha.
Më pas u arratis në Itali ku u arrestua nga autoritetet e zbatimit të ligjit në zonën e Foxhias (Foggia); në datën 24 dhjetor të vitit 2001.
Pas një procesi gjyqësoi penal u mor vendim që ai të ekstradohej drejt autoriteteve shqiptare të zbatimit të ligjit, akt procedurial që u vu në zbatim në datën 10 mars të vitit 2003.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









Comments