GREQI | NËPËRMJET NJË PROJEKTLIGJI TË RI QEVERIA GREKE SYNON TË HAPI TREGUN E PUNËS PËR REFUGJATËT.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Sep 27, 2025
- 2 min read

Athinë, Greqi | Greqia po bën hapa për të integruar azilkërkuesit drejtpërdrejt në tregun e saj të punës, ndërsa vendi përballet me mungesë në rritje të punëtorëve në bujqësi, turizëm dhe ndërtim.
Ministri i Migracionit Thanos Plevris i paraqiti së fundmi Kryeministrit Qirjakos Micotaqis (Kyriakos Mitsotakis) një plan të lidhur me një projektligj të ri për migracionin ligjor.
Propozimi, që pritet të paraqitet para kabinetit të martën, trajton gjithashtu kërkesat në pritje për azil dhe procedurat për sjelljen e punëtorëve nga jashtë.
Zyrtarët qeveritarë thanë se masa do t'u lejonte refugjatëve që u është dhënë azil të hynin menjëherë në fuqinë punëtore, duke plotësuar rreth 20 mijë vende pune çdo vit.
Gjatë pesë viteve, plani mund të gjenerojë deri në 100 mijë punëtorë, megjithëse zyrtarët presin që rreth 60 mijë të qëndrojnë, kundrejt një nevoje të parashikuar prej 200 mijësh.
Skema parashikon një sistem paraburgimi me dy nivele.
Migrantët që nuk kanë gjasa të marrin azil - kryesisht nga vende si Egjipti dhe Pakistani - do të mbeteshin në qendrat e nivelit të parë.
Ata me një profil refugjati, përfshirë ata nga Sudani, Siria, Afganistani dhe Eritrea, do të vendoseshin në qendrat e nivelit të dytë, ku do të mësonin greqishten bazë dhe aftësi pune.
Trajnimi do të përshtatej për sektorët me mungesa dhe përfitimet do të reduktoheshin për të shmangur tërheqjen e migracionit të ri.
Rreth 15% e përfituesve të azilit janë gra, të cilat, mund të kalojnë shpejt në turizëm dhe shërbim ushqimor.
Zyrtarët i përmendin migrantët sudanezë si veçanërisht të përshtatshëm për punë bujqësore, duke përmendur përvojën në prodhimin e pambukut, misrit dhe grurit.
Qendrat në rajonet me kërkesë të lartë për punë - Thesalia, Viotia dhe Greqia veriore - do të shndërrohen në objekte pilot të nivelit të dytë.
Ministri Plevris ka bërë thirrje gjithashtu për decentralizimin e strukturave larg Athinës.
Zyrtarët argumentojnë se integrimi i refugjatëve është thelbësor për të mbështetur normën e rritjes ekonomike prej 2% të Greqisë.
“Pa këta punëtorë - tha një burim - sektorë të tërë do të përballen me probleme serioze”.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)












































Comments