top of page
E BARDHË SHIRIT.png

GJYKATA E POSAÇME E APELIT PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR NUK NDRYSHOI MASAT E SIGURISË PËR ISH-PRESIDENTIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË ILIR METAJ (META) DHE PËR MONIKA KRYEMADHIN.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Nov 19, 2024
  • 3 min read
ree

Tiranë, Shqipëri | Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar konfirmon masat e sigurisë për ish-presidentin e Republikës së shqipërisë Ilir Meta dhe ish-bashkëshorten e tij, znj. Monika Kryemadhi.

 

Apeli i GJKKO-së bën me dije se konfirmon masën detyrim paraqitje për znj. Monika Kryemadhin dhe masën arrest në burg për z. Ilir Metën.

 

Njoftim | Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi, sot më datë 19.11.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 60 akti, datë 11.11.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim Ilir Metaj dhe Monika Kryemadhi, me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 dhe vendimit nr. 130, datë 23.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

 

– Miratimin e vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 130, datë 23.10.2024 të së njëjtës gjykatë, për pjesën e ankimuar nga personat nën hetim Ilir Metaj dhe Monika Kryemadhi, thuhet në njoftimin zyrtar.

 

MBROJTJA E ILIR METAJT (METËS) NE GJKKO.

Gjatë seancës së sotme në Apelin e GJKKO-së ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Metaj (Meta) ka deklaruar para togave të zeza se akuzat për mosdeklarim pasurie i konsideron tendecioze, pasi sipas tij, me plotësimin e formularëve të pasurisë është marrë ish-bashkëshortja Monika Kryemadhi.

 

Z. Metaj (Meta) është shprehur se shumica e pronave dhe llogarive bankare janë të znj. Monika Kryemadhi, duke shtuar se: “Unë kam qenë në mirëbesim të plotë se ajo çdo gjë e bënte sipas ligjit”.

 

Ish-Presidenti i vendit deklaroi para gjyqtareve se nuk mban përgjegjësi për shpenzimet e familjarëve, përfshirë ish-bashkëshorten dhe ish-vjehrrën e tij.

 

Lidhur me pretendimet për mosdeklarime të shpenzimeve, i konsideroj tërësisht tendencioze. Së pari, nuk mund të mbaj unë përgjegjësi për çdo shpenzim apo pakësim llogarish të familjarëve të mi apo edhe të ish-gruas dhe ish-vjehrrës time.

 

Së dyti, siç e kam shpjeguar në SPAK me plotësimin e formularëve të pasurisë merrej ish-bashkëshortja ime, e cila, i ndiqte edhe me avokat edhe me noter të gjitha veprimet, edhe për arsyen se shumica e pronave dhe rrjedhimisht llogarive bankare ishin të saj dhe i ndiqte ajo. Unë kam qenë në mirëbesim të plotë se ajo çdo gjë e bënte sipas ligjit.

 

Unë asnjëherë nuk kam refuzuar si individ të bëj deklarimin sipas nenit 5 të ILDKPI.

 

Po kështu, sipas nenit 22 të ILDKPI nuk mbaj përgjegjësi për deklarimin e familjarëve dhe po kështu asnjëherë nuk kam patur sipas nenit 32 as njoftim dhe as gjobë, as nga ILDKPI dhe as nga Tatimet.

 

Si përfundim Zonja Gjykatëse, pas këtyre shpjegimeve që ju dhashë, unë kërkoj nga ju që me vendimin e sotëm të respektoni Kushtetutën, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, parimin e prezumimit të pafajësisë dhe një proces të rregullt ligjor për të ardhmen”, tha z. Ilir Metaj (Meta).

 

Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page