FSHATI GOLEM; KAVAJË | U ARRESTUAN SAJMIR NDRECAJ; ZAHO JAÇAJ; ARTAN KASA; HAMID SULA; BUJAR AGOLLI; MBAJTËN PENG PUNONJËSIT E ADMINISTRATËS TATIMORE.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 1 day ago
- 4 min read

Fshati Golem, Kavajë, Shqipëri | Në funksion të luftës institucionale ndaj Agjenturës së Krimit Ordiner strukturat vendore të Policisë së Shtetit arrestuan:
1- Z. Sajmir Ndrecaj, me detyrë administrator i resortit.
2- Z. Zaho Jaçaj, me detyrë shef finance.
3- Z. Artan Kasa.
4- Z. Hamid Sula.
5- Z. Bujar Agolli (punonjës sigurimi).
Njoftim | Mbajtën të mbyllur, për një kohë të konsiderueshme, brenda ambienteve të një resorti në Golem, punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, vihen në pranga administratori dhe 4 punonjës të tjerë të resortit.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, pas kallëzimit të bërë nga punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, arrestuan në flagrancë, për veprën penale "Heqja e paligjshme e lirisë", shtetasit:
S. N., 34 vjeç, administrator i resortit;
Z. J., 56 vjeç, shef finance në resort;
A. K., 56 vjeç, shef i sigurisë së resortit;
H. S., 64 vjeç, punonjës i sigurisë së resortit;
B. A., 57 vjeç, punonjës i sigurisë së resortit.
Arrestimi i tyre u bë pasi dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 18.07.2026, kanë penguar dhe kanë mbajtur të mbyllur, për një kohë të konsiderueshme, brenda ambienteve të një resorti në Golem, punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilët ishin duke ushtruar detyrën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Deklaratë | Duke marrë shkas nga veprimet e fundit të ndërmarra nga organet tatimore ndaj Prestige Resort, Golem, ndiejmë detyrimin të përgënjeshtrojmë pretendimet e ngritura prej tyre, si edhe çdo deklaratë apo informacion të pavërtetë të shpërndarë nga palë të treta, të cilat, në kundërshtim me ligjin dhe faktet, janë bërë pjesë e një fushate dezinformimi dhe shtrembërimi të së vërtetës.
Kjo deklaratë u drejtohet opinionit publik, klientëve, partnerëve dhe bashkëpunëtorëve tanë.
Më datë 18.07.2026, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ndërmori një kontroll të befasishëm pranë Prestige Resort, pa asnjë njoftim paraprak. Gjatë këtij kontrolli nuk u konstatua asnjë shkelje fiskale, asnjë punonjës i padeklaruar dhe asnjë klient pa kupon tatimor. Pra, kontrolli nuk evidentoi asnjë shkelje dhe, për rrjedhojë, nuk ekzistonte asnjë bazë ligjore për marrjen e masave ndëshkuese ndaj resortit.
Megjithatë, sipas informacionit të marrë gjatë zhvillimit të kontrollit, inspektorëve u është kërkuar nga strukturat qendrore të Tatimeve që të evidentonin patjetër një shkelje. Në këto rrethana, është tentuar të fabrikohet një pretendim për shkelje dhe në vazhdën e këtij veprimi, inspektorët kanë kërkuar të sekuestrojnë kompjuterët dhe pajisjet e punës së Prestige Resort.
Është e qartë se synimi nuk ishte zbatimi i ligjit, por bllokimi i aktivitetit të një resorti që vazhdon të operojë pavarësisht një serie veprimesh të vazhdueshme të administratës shtetërore ndaj tij, duke filluar nga gjobat, prishja me eksploziv, konfiskimi i pronës dhe deri te përpjekjet për paralizimin e aktivitetit të përditshëm.
Synimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve duket i qartë: t’i japë Prestige Resort një goditje në kulmin e sezonit, duke privuar në mënyrë të paligjshme subjektin nga pajisjet e domosdoshme për operimin normal të aktivitetit, duke siç janë kompjuterët e sistemit të check-in/check-out e deri te pajisjet fiskale.
Inspektorët sekuestruan kompjuterët në mënyrë arbitrare, veprim që në mungesë të çdo procedure ligjore, përbën një rast të qartë të shpërdorimit të detyrës.
Pikërisht në momentin e sekuestrimit, administratori i shoqërisë iu drejtua Drejtorisë Vendore të Policisë Kavajë për të paraqitur kallëzim penal. Kallëzimi nuk iu pranua dhe administratori u orientua të paraqitej pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës. Aty, pas zvarritjes së procedurave, kallëzimi penal u depozitua.
Pas paraqitjes së kallëzimit penal, inspektorët krijuan artificialisht pretendimin se u ishte kufizuar liria. Ky pretendim është tërësisht i pavërtetë.
Ata kanë qëndruar në ambientet e resortit me vullnetin e tyre të lirë, pa iu kufizuar lëvizja apo ushtrimi i detyrës në asnjë moment. Gjatë gjithë kohës ata kanë qëndruar në ambientet e recepsionit të hotelit, një ambient publik, ku gjithçka është filmuar edhe nga kamerat e News24. Ky fakt, së bashku me pamjet e kamerave të sigurisë së resortit, provon qartë se nuk ka pasur asnjë kufizim të lirisë së tyre.
Prestige Resort ka qenë i hapur gjatë gjithë kohës, vijon të jetë plotësisht funksional dhe ka pritur e vijon të presë turistë. Nuk ka ekzistuar asnjë ambient i mbyllur apo i bllokuar për inspektorët. Gjatë gjithë kohës ata kanë qëndruar në hollin e hotelit dhe kanë ushtruar veprimtarinë e tyre pa asnjë pengesë apo kufizim.
Hedhim poshtë me vendosmëri çdo pretendim të pavërtetë, trillim dhe përpjekje për të dezinformuar e manipuluar opinionin publik. Njëkohësisht, bëjmë të qartë se çdo veprim arbitrar dhe i kundërligjshëm i ndërmarrë nga organet tatimore apo çdo strukturë tjetër shtetërore do të ndiqet me të gjitha mjetet ligjore në dispozicion.
Çdo person që ka tejkaluar kompetencat e tij, ka shpërdoruar detyrën ose ka cenuar të drejtat dhe interesat e ligjshme të Prestige Resort do të mbahet përgjegjës përpara organeve kompetente, deri në rivendosjen e plotë të ligjshmërisë, u tha në një deklaratë të subjektit tregtar “Prestige Resort”, të botuar në entin mediatik (në zotërimin e oligarkut Irfan Hysenbelliu) “Panorama”.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)











Comments