FORUMI BOTËROR PËR ETIKËN E AI NË SLLOVENI.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Feb 2, 2024
- 2 min read
Lubjanë, Slloveni | Më 5 dhe 6 shkurt, Sllovenia do të presë Forumin Botëror për Etikën e Inteligjencës Artificiale, me titull: “Transformimi i qeverisjes së AI”, i promovuar nga UNESCO në Kranj.
Rritja e shpejtë e inteligjencës artificiale ka krijuar shumë mundësi globalisht, nga lehtësimi i diagnostikimit të kujdesit shëndetësor, deri te automatizimi i detyrave të punës; ndryshime që ngrenë gjithashtu shqetësime të thella etike, nga kontributi në kolapsin e klimës, deri te kërcënimi i të drejtave të njeriut.
“Këto teknologji të gjithanshme po riformësojnë mënyrën se si ne punojmë, ndërveprojmë dhe jetojmë - nënvizon UNESCO - Bota është e destinuar të ndryshojë me një ritëm të paparë, që nga ardhja e shtypshkronjës gjashtë shekuj më parë. Teknologjia AI, në fakt, sjell avantazhe të mëdha në shumë sektorë, por pa mbrojtje etike, rrezikon të përsërisë paragjykimet, dhe diskriminimin, të nxisë ndarjet dhe të kërcënojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.”
“Prandaj - nënvizon UNESCO - në asnjë fushë tjetër busulla etike nuk është më e rëndësishme se në fushën e inteligjencës artificiale.”
Për këtë arsye, forumi i mbajtur në Kranj synon të bashkojë njohuritë dhe dituritë nga vendet në nivele të ndryshme të zhvillimit teknologjik dhe politik, për një shkëmbim të thelluar, për të mësuar nga njëri-tjetri dhe për dialog me sektorin privat, botën akademike dhe shoqërinë civile.
Tashmë në vitin 2021, UNESCO miratoi Rekomandimin për Etikën e IA, i cili, udhëzon zbatimin e tij nga Shtetet Anëtare, për të siguruar që përfitimet e IA janë të barabarta, gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe jodiskriminuese.
Në ditën e parë të Forumit, drejtues të biznesit, përfaqësues të institucioneve shkencore dhe kërkimore, dhe organizatave joqeveritare, do të ndajnë idetë dhe praktikat e tyre më të mira mbi qeverisjen e AI në nivel global, rajonal dhe kombëtar.
Në ditën e dytë, ekspertët kryesorë do të shqyrtojnë mundësitë dhe sfidat e paraqitura nga AI, të tilla, si potenciali i teknologjisë për të avancuar barazinë, diversitetin, dhe çështjet e mosdiskriminimit, shfaqja e praktikave më të mira në mbikëqyrjen e AI, partneritetet me sektorin privat përmes vlerësimeve të ndikimit etik, dhe së fundi, ndikimi i AI në barazinë gjinore.
Forumi do të jetë gjithashtu një mundësi për të nisur iniciativa të ndryshme të UNESCO-s, duke përfshirë Observatorin Global, dhe Rrjetin e Ekspertëve për Etikën e AI.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)













Comments